Mbi 80 institucione, nuk ia kanë dërguar Avokatit të Popullit të dhënat për përfaqësim etnik

Mbi 80 institucione shtetërore nuk i dorëzojnë tek Avokati i Popullit të dhënat për përkatësinë etnike të të punësuarve për vitin 2025. Zyra e Avokatit të Popullit, sqaron për Alsat se u është dhënë afat deri në fund të muajit, pas çka do të fillojnë me përgatitjen e raportit.

“Procesi i mbledhjes së të dhënave ende nuk ka mbaruar. Për momentin ka edhe mbi 80 institucione të cilat nuk kanë dorëzuar të dhëna nga numri i përgjithshëm rreth 1.300. Po kryhen verifikime të disa të dhënave që janë dorëzuar dhe deri në fund të muajit është afati i fundit për dorëzimin e të dhënave të kërkuara. Pastaj do të përgatitet raporti”, thonë për Alsat nga Avokati i Popullit.

Të dhënat e raportit të Avokatit të Popullit për përfaqësimin etnik gjatë vitit 2025 janë me rëndësi të veçantë, pasi iu referohen periudhës kur pas shfuqizimit të balancuesit, nuk ka asnjë mekanizëm ligjor në fuqi, që obligon apo detyron institucionet të punësojnë sipas etnisë.

Raporti i cili duhet të jetë gati deri në fund të vitit, duhet të japë pasqyrë më të qartë nëse mungesa e këtij mekanizmi ka disbalancuar strukturën e përkatësisë etnike nëpër institucione, duke e pasur parasysh se tanimë dy vite kriteri etnik nuk merret fare parasysh nëpër konkurset publike për punësim në administratë.

Ndërkohë ligji që do të duhej të rregullonte çështjen edhe pse nuk parashikon kuota të sakta për punësimin e etniteteve, ashtu siç parashikonte balancuesi, mbetet i bllokuar në Kuvend, pasi shumica parlamentare nuk i ka numrat e nevojshme të Badenterit.

Ndërkohë që çështja është temë debati tanimë për disa vite, javën e kaluar deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski, zbuloi një rast eklatant të keqpërdorimit të përkatësisë etnike. Sipas tij, drejtori aktual i Agjencisë për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik, Petar Gajdov kur ka hyrë fillimisht në këtë institucion është punësuar si shqiptar, ndërsa më pas ka ndërruar kombësinë.

Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, u miratua nga Qeveria më 7 prill dhe u dorëzua në Kuvend më 8 maj.

Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.

Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.

Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.

Agjencia për Punësim RMVAvokati i PopullitLigji për përfaqësim të drejtë - BalancuesiTensione etnike