Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, Ligji për arsim të lartë dhe ligjet e tjera për të cilat nevojitet mekanizmi i ‘Badenterit’ do të ‘flenë’ në sirtarët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut derisa të gjendet konsensus politik, i cili për momentin nuk ekziston, shkruan Portalb.mk.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut gjatë muajit shtator pritet të mbajë të paktën katër seanca, por sfidë mbetet votimi i ligjeve për të cilat nevojitet ‘Bandenter’, mes të cilëve janë edhe Ligji për përfaqësim të drejtë si dhe Ligji për arsimin e lartë, dy ligje të cilët janë kundërshtuar vazhdimisht nga opozita.
Gashi tha se nuk dëshiron të japë afate konkrete për votimin e këtyre dy ligjeve, duke theksuar se ato do të hidhen në votim kur të krijohen kushtet e nevojshme dhe të arrihet pajtim politik mes partive.
“Është e drejtë e kryetarit të thërrasë për votim kur të piqen kushtet dhe kur të ketë konsensus brenda partive politike. Nuk do të doja të flisja me afate, por në të ardhmen do të tentoj të kemi konsultime me partitë politike dhe të arrijmë një konsensus”, deklaroi Gashi.
Ai kritikoi gjithashtu siç tha keqpërdorimin e Rregullores së Kuvendit për bllokimin e proceseve ligjvënëse. Sipas Gashit, krijimi i një praktike të tillë mund të kthehet në precedent, pasi ajo që sot keqpërdoret nga opozita për të penguar miratimin e ligjeve, nesër mund të përdoret edhe nga forca të tjera politike.
“Nuk duhet të keqpërdoret Rregullorja e Kuvendit për t’i bllokuar ligjet, sepse kjo nuk është praktikë e mirë asnjëherë”, tha Gashi.
Nga ana tjetër, opozita shqiptare vazhdon të kundërshtojë Ligjin për përfaqësim të drejtë, duke vlerësuar se ai nuk duhet të miratohet në formën aktuale, pasi, sipas tyre, nuk përmban mekanizma detyrues dhe ndëshkues.
“Pas debatit amendamentues, në të cilin nuk u pranua asnjë amendament, mbetemi në qëndrimin se këtë Ligj nuk do ta mbështesim. Arsyet i kemi thënë disa herë: nuk ka kuota etnike, nuk ka mekanizma institucionalë për zbatimin e tij dhe nuk përmban sanksione për institucionet që nuk do ta respektojnë”, thonë nga BDI.
Përplasje midis opozitës dhe pozitës ka pasur edhe për Ligjin për arsim të lartë.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka deklaruar se nuk është në rregull që shumica e Badenterit të përdoret si mjet për arritjen e zgjidhjeve politike, veçanërisht në fushën e arsimit.
“Në procedurë parlamentare janë tre ligje të propozuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës – Ligji për Arsimin e Lartë, Ligji për Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore dhe Ligji për Cilësinë në Arsimin e Lartë dhe Shkencë. Këto ligje janë kundërshtuar nga partitë opozitare shqiptare, të cilat kërkojnë që gjatë miratimit të tyre të zbatohet parimi i Badenterit”, u shpreh Janevska.
Deklaratës së Janevskës i është përgjigjur BDI-ja, duke e akuzuar ministren se Badenterin e trajton si “mjet” dhe kërkon që ai të mos zbatohet në rastet kur, sipas saj, nuk është i nevojshëm.
“Kushtetuta nuk ia jep këtë të drejtë. Amendamenti X kërkon shumicë të dyfishtë për ligjet që prekin arsimin. Zbatimi i Badenterit nuk varet nga vlerësimi personal i Janevskës nëse një ligj i caktuar i prek shqiptarët. Edhe më poshtëruese është se, në kontekstin e bllokadës nga deputetët shqiptarë, ministrja flet për shqiptarët si për një ‘komunitet të vogël’. Shqiptarët janë popull shtetformues dhe pjesë thelbësore e rendit kushtetues të dalë nga Marrëveshja e Ohrit”, thonë nga BDI.
Ndryshe, Gashi në brifingun me gazetarët foli edhe për çështje të tjera. Ai njoftoi se së shpejti në Kuvend pritet të arrijë zgjidhje ligjore që lidhet me kërkesat që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe, por pa afate dhe detaje konkrete.
Ndërkaq në pyetjen e Portalbit se kur do të shkarkohet drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq për shkak të deklaratave të tij skandaloze në glorifimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiç, tha se këtë e vendos qeveria e RMV-së.
Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, ai tha se nuk ka informacione për ndonjë momentum të ri, por theksoi se Kuvendi është gjithmonë i gatshëm që në kohë t’i miratojë ligjet e nevojshme që lidhen me Agjendën e Reformave, si dhe në rast se merret vendim për ndryshime kushtetuese.