Të qenurit i mohuar apo mosnjohur nga “tjetrit i afërt” ose “tjetri i rëndësishëm” detyrimisht shkakton edhe ndjenjën e inferioritetit dhe aktivizon reflekset mbrojtëse të individit ose grupit të caktuar. Gjendja psikologjike e të qenurit i mohuar nga “tjetri” manifestohet me një përpjekje të vazhdueshme për të dëshmuar se “kush jemi” gjegjësisht “kush nuk jemi”.
Rrënjët e asaj që në diskursin publik dhe shkencorë njihet si “Çështja maqedonase” mundë të gjenden pas gjysmës së dytë të shekullit XIX, konkretisht pas Kongresit të Berlinit. Ajo që njihet si “Çështja maqedonase” në thelb ka të bëj me dy pyetje apo dilema kryesore: e para, cila është përkatësia etnike e popullatës sllave që jeton në rajonin e Maqedonisë dhe e dyta kujt i përket, pra cilit shtet i përket rajoni i quajtur Maqedoni?
Pas gjysmës së dytë të shekullit XIX, Greqia, Bullgaria dhe Serbia, kishin tri përgjigje të ndryshme për këto pyetje: sipas Greqisë Maqedonia historikisht ka qenë pjesë e Greqisë dhe popullata që jeton në atë hapësirë është greke por që çuditërisht flet një gjuhë sllave. Për Bullgarët popullata sllave në rajonin e Maqedonisë etnikisht është bullgare dhe rajoni gjeografik i quajtur Maqedoni historikisht ka qenë pjesë e hinterlandit bullgar. Ndërkaq për Serbinë popullata sllave në Maqedonisë etnikisht ishte serbe dhe kësisoj Maqedonia (Serbia Jugore) është pjesë e pandashme e tokave historike dhe të premtuara serbe.
Pra është shekulli XIX atëherë kur shtetet fqinje të Maqedonisë nën ndikimin e ideologjive të tyre nacionaliste dhe politikave irredentiste mohuan kategorikisht ekzistencën e maqedonasve si kategori e veçantë etnike, kulturore dhe historike. Edhe pse shtetet në fjalë kohë pas kohe kanë ndryshuar qëndrime sa i përket “Çështjes maqedonase”, në thelb ata vazhduan, veçmas Greqia dhe Bullgaria të mohojnë identitetin kombëtar maqedonas ose përbërës të tij sot e kësaj dite.
Sindromi i “Kombit të mohuar”
Mohimi apo mosnjohja e ekzistencës së kombit maqedonas apo përbërësve të identitetit kombëtare siç janë emri, gjuha, e kaluara historike etj., për një periudhë më shumë se një shekullore, në mesin e anëtarëve të kombit maqedonas ka krijuar ndjenjën e të qenurit një “komb i mohuar”.
Të qenurit i mohuar apo mosnjohur nga “tjetrit i afërt” ose “tjetri i rëndësishëm” detyrimisht shkakton edhe ndjenjën e inferioritetit dhe aktivizon reflekset mbrojtëse të individit ose grupit të caktuar. Gjendja psikologjike e të qenurit i mohuar nga “tjetri” manifestohet me një përpjekje të vazhdueshme për të dëshmuar se “kush jemi” gjegjësisht “kush nuk jemi”.
Parë nga kjo perspektiv një nga karakteristikat kryesore te mendimi nacionalist maqedonas është përpjekja e vazhdueshme për të argumentuar dhe dëshmuar së janë një grup etnik i veçantë dhe të ndryshëm nga fqinjët e tyre serb, bullgarë dhe grek.
Parimisht mosnjohja nga tjetri e detyron një subjekt ose kolektivitet që në mënyrë obsesive të dëshmoj të kundërtën, pra ekzistencën e tij. Ky fenomen, pra obsesioni për të dëshmuar identitetin e mohuar shpesh herë shoqërohet me një paranojë kolektive dhe psikologjinë e viktimizimit.
Kjo paranojë kolektive që e shoqëron mendimin nacionalist maqedonas prodhon armiq të shumtë, të brendshëm e të jashtëm të cilët dëshirojnë shkatërrimin e shtetit të Maqedonisë dhe asimilimin e kombit maqedonas. Sigurisht këto armiq më shumë janë imagjinar se sa real. Megjithatë këto reagime që në fakt shpërfaqin reflekset mbrojtëse duhet parë si shumë normale.
Nga ana tjetër, këto situata në të cilat kontestohet identiteti kombëtare ose në të cilat preken çështjet etnike paraqesin një mundësi e mirë për populstët anembanë botës. Në këtë kontekst në emër të mbrojtjes së identitetit maqedonas, shumë parti politike, kryesisht të traditës së djathtës zhvilluan diskurs populist. Gjuha me ngjyrime nacionaliste dhe populiste gjithmonë ka qenë një instrument efektiv për mobilizimin e masave dhe rrjedhimisht mbajtjen sa më gjatë të pushtetit politik.
Integrimet peng i sindromit ballkanik
Problemet me të cilat u përball Maqedonia që nga pavarësia e saj, mosmarrëveshjet ndëretnike, tranzicion i dhimbshëm, korrupsioni, mosnjohja e kombësisë dhe gjuhës nga Bullgaria dhe veçmas kontesti për emrin me Greqinë shkaktoj një nevrozë kolektive e cila u manifestua me një obsesion për ta mbrojt identitetin kombëtar dhe izolim mendor.
Në kohë e qeverisjes së Gruevskit (2006-2016) meqenëse zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë u parashtrua si parakusht për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, para qytetarëve maqedonas u imponua një dilemë ku ata duhej të zgjidhnin ndërmjet identitetit dhe BE-së.
Qëndrimet e Greqisë ndaj emrit të Maqedonisë dhe përgjithësisht ndaj trashëgimisë historike dhe kulturore të Maqedonisë antik nga qarqet nacionaliste dhe përgjithësisht nga maqedonasit u konceptua si sulm direkt ndaj identitetit dhe shtetësisë maqedonase. Në atë periudhë sipas eksponentëve të VMRO DPMNE kërkesa e Greqisë për ndryshim të emrit zyrtar të shtetit është kërkesë për zhveshje të popullit Maqedonas nga identiteti i tyre kombëtar. U argumentua që në rast të ndryshimit të emrit kushtetues të vendit Maqedonasit do të hiqnin dorë nga e kaluara e tyre historike, gjë që në fakt paraqet një vetë-mohim.
Me gjithë mangësitë që i ka Marrëveshja e Prespës, ajo dëshmoj që ndryshimi i emrit të vendit nuk nënkuptonte heqje dorë nga identiteti kombëtar, ashtu siç u ishte thënë qytetarëve për vite me radhë. Është e vërtetë që me këtë marrëveshje Maqedonia u pajtua të heqë dorë nga trashëgimia historike dhe kulturore e maqedonasve antik, por nga ana tjetër në marrëveshje shumë saktë precizohet se populli maqedonas etnikisht është me origjinë sllave dhe se gjuha maqedonase është gjuhë sllave, marrëveshje ky që kombit maqedonas i njeh një të kaluar gatisë 15 shekullore në këto hapësira.
Çka fitoj Maqedonia nga qëndrimet e ngurta të qeverive të Gruevskit? Parë objektivisht lirisht mundë të thuhet që nuk fitoj asgjë. Ajo humbi 10 vjet në proceset integruese të Maqedonisë në NATO dhe BE. Nga gjithë ajo dramë 10 vjeçare është e siguritë që fituan vetëm politikanët populist të cilët duke eksploatuar ndjenjat kombëtare të qytetarëve arritën të qëndrojnë në pushtet për më shumë se një decenie.
Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës në vitin 2018 “të gjithë menduam” se “Çështja maqedonase” u mbyll një herë e përgjithmonë dhe me këtë përfundimisht u hapën të gjithë dyert për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike.
Por pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje shumë shpejt qytetarët e Maqedonisë do të zhgënjehen sërish. Sepse Maqedonia u anëtarësua vetëm në NATO, por nuk filloj negociatat për anëtarësim të plotë me BE-në, ashtu siç pothuajse të gjithë liderët e vendeve të rëndësishme të BE-së u kishin premtuar qytetarëve të Maqedonisë.
Fillimisht Franca në vitin 2019 me arsyetimin se duhet një metodologji e re për anëtarësimin e vendeve kandidate në BE, bllokoi fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE. Kjo u tejkalua shumë shpejt dhe në vitin 2020 u miratua metodologjia e re për anëtarësim në BE.
Realisht zhgënjimi kryesor do të vijë nga Bullgaria, e cila duke ndjekur shembullin e Greqisë, kushtëzoj fillimin e negociatave të Maqedonisë me një sërë kërkesash të cilat duhet ti plotësoj Maqedonia e të cilat në fakt nuk paraqesin gjë tjetër përveç shantazh dhe kërkesa groteske.
Arsyetimi kryesor i Bullgarisë ishte që Maqedonia nuk kishte zbatuar obligimet nga Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë e nënshkruar në vitin 2017. Me rastin e përdorimit të vetos nga ana e Bullgarisë, ministrja e asokohshme e punëve të jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva argumentonte që në kornizën negociuese të Maqedonisë me BE-në duhet inkorporuar formula e vitit 1999 sa i përket çështjes së gjuhës maqedonase dhe çështja e mohimit të pakicës maqedonase në Bullgari.
Pak më vonë Bullgaria do të bëj të ditur edhe kushtin kryesor për të tërhequr veton ndaj Maqedonisë: përfshirjen e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë, me qëllim që Maqedonia t’i njeh bullgarët si pakicë. Pas shumë diskutimeve dhe negociatave në vitin 2022 palët rënë dakord që të nënshkruajnë të ashtuquajturin “Propozimi Francez”, sipas së cilit Maqedonia obligohet të bëj ndryshime kushtetuese dhe të inkorporoj bullgarët në kushtetutë dhe nga ana tjetër Bullgaria të tërheq veton përmes së cilës bllokonte fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në.
Maqedonia çdo ditë e më larg BE-së
Në vitin 2018, BE vlerësoi se procesi i integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE duhet të ecë paralelisht dhe njëkohësisht. Por ndryshe nga Shqipëria, e cila dy muaj më parë nisi negociatat për anëtarësim të plotë, Maqedonia duket se është larg këtij procesi.
Sigurisht arsyeja kryesore për këtë është që Maqedonia nuk arriti ti bej ndryshimet e nevojshme kushtetuese. Sipas VMRO DPMNE-së e cila edhe në mandatin e kaluar si parti opozitare edhe tani si parti në pushtet ishte përcaktuese për këto ndryshime, Bullgaria po ushtron një diktat ndaj Maqedonisë dhe se kërkesat e saja të parapara me Propozimin Francez edhe me të ashtuquajturit protokole të cilët janë pjesë e kornizës negociuese të Maqedonisë me BE-në në fakt prekin në çështjet identitare.
Në fakt VMRO DPMNE nuk kundërshton përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë. Frika e saj është se Bullgaria nuk do të mjaftohet vetëm me këtë. Sipas tyre Bullgaria do të kërkoj ndryshimin e teksteve shkollore, vendeve të kujtesës kolektive dhe shumë kërkesa tjera të cilët cenojnë identitetin kombëtar të maqedonasve. Dhe duke u nisur nga ky fakt VMRO DPMNE kërkon një garanci që ndryshimet kushtetuese do të jenë kushti apo kërkesa e fundit e Bullgarisë.
Një nga çështjet më të diskutuara para zgjedhjeve parlamentare të 8 majit por edhe pas 8 majit ishte sigurisht fati i perspektiva evropiane e vendit. Dhe atë që po shohim tani gati se 4 muaj pas formimit të qeverisë së re është një stagnim, madje edhe një indiferencë totale ndaj procesit euro-integrues të vendit.
Është interesant fakti që narracioni i zhvilluar nga VMRO DPMNE kundrejt politikave dhe qëndrimeve të Bullgarisë pothuajse në asnjë pikë dhe presje nuk ndryshojnë nga ato që përdoreshin gjatë qeverisjes së Gruveskit. Janë po të njëjtat argumente dhe po e njëjta gjuhë moraliste dhe normativiste.
Është e vërtetë që e drejta morale qëndron në anën e popullit maqedonas, por se kjo frikë dhe ky dramatizim për zhdukjen e kombit maqedonas është e tepruar dhe kësisoj manifeston një psikozë inferioriteti.
Këmbëngulja për të ruajtur identitetin kombëtar nga sulmet e jashtme apo të brendshme dhe pikëpamjet sovaraniste janë diçka shumë legjitime. Kësisoj çdo shtet dhe komb duhet të mbrojë identitetin e tij kombëtar. Por pyetja e vërtetë është nëse Maqedonia e ka këtë luks për qëndrime të tilla të prera, duke marrë parasysh potencialin ekonomik të vendit, trendin demografik të popullsisë dhe ndikimin e përgjithshëm të vendit tonë në skenën ndërkombëtare. Një vend i vogël dhe i varfër si Maqedonia vështirë se mund të “mbijetojë” në këto konjuktura aktuale ekonomike, politike dhe ushtarake, duke qëndruar larg integrimit në struktura të mëdha si BE. Në rastin maqedonas, ky qëndrim i vendosur dhe këmbëngulje për të mbrojtur identitetin dhe dinjitetin kombëtar duke sakrifikuar anëtarësimin e vendit në BE duket sa naiv aq edhe dramatik. Sepse është pak naive të besohet se me disa marrëveshje dypalëshe një komb mund të humbasë identitetin e tij kombëtar. Kombi dhe identiteti kombëtar janë realitet kulturor dhe historik. Kombi maqedonas arriti të ndërtojë një rrëfim të së kaluarës së tij dhe arriti të formësojë një kulturë publike që e dallon atë nga të tjerët, veçanërisht nga popujt sllavë të Ballkanit.
Në një situatë të tillë ku bota dhe Ballkani përballen më rreziqe të ndryshme ndaj sigurisë si pasojë e zhvillimeve në botë (lufta në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme) dhe veçmas në një situatë të një tkurrjeje demografike që përjeton Maqedonia insistimi për identitet duket një aventurë tejet naive.
Shkruan: Murat Aliu – ResPublica