Edhe pse Qeveria disa herë njoftoi analiza dhe masa të mundshme për përballje me çmimet e larta të ushqimeve, për momentin nuk ka asnjë ndërhyrje konkrete. Edhe pse rritja e çmimeve mbetet një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve as pas seancës së fundit të Këshillit Ekonomik dhe Social nuk u njoftua asnjë vendim për kufizimin e çmimeve ose marzheve, transmeton Portalb.mk nga Dojçe Vele (DW).
Ministri i ekonomisë dhe punës, Besar Durmishi, deklaroi se kontrollet e mbi 700 produkteve reguan se në periudhën nga muaji maj i vitit 2025 deri në muajin maj të vitit 2026 çmimet mesatare në treg të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve për higjienë janë rritur për 2,66 përqind, ndërsa çmimet mesatare të shitjes janë rritur për 4,56 përqind.
“Kjo do të thotë se një pjesë e rritjes së çmimeve me pakicë është për shkak të rritjes së marzheve të fitimit bruto te disa tregtarë. Kur u ulën çmimet e blerjes disa tregtarë nuk i ulën çmimet e tyre të shitjes”, tha Durmishi.
Për të hënën është planifikuar një takim me prodhuesit dhe distributorët, në të cilin do të diskutohen çmimet e shitjes dhe blerjes së sasive të mëdha të produkteve. Nga shtatori njoftohet prezantimi i një shporte mesatare të konsumit, e cila, sipas zëvendësministrit të ekonomisë Marjan Risteski, duhet të jetë një mjet i rëndësishëm për krijimin e politikave ekonomike. Sipas tij shporta e re sindikale e konsumit nuk do të jetë zëvendësim për shportën minimale sindikale të konsumatorit, por një indikator shtesë për gjendjen në ekonomi.
Durmishi: Disa tregtarë i kanë rritur marzhet
Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, është i mendimit se inflacioni mbetet nën kontroll dhe se për momentin nuk ka nevojë për masa të reja për ndërhyrje në treg.
“Për momentin nuk ka nevojë për masa intervente shtesë. Gjendja po monitorohet me kujdes dhe nëse evidentohen sjellje devijante ose rritje të pajustifikuara të çmimeve institucionet do të ndërhyjnë me masa adekuate”, tha Durmishi.
Ndërkohë Inspektorati Shtetëror i Tregut ka realizuar kontrolle nga muaji mars deri në muajin qershor, me ç’rast është konkluduar se çmimet e blerjes janë rritur për rreth 2,04 përqind, ndërsa çmimet e shitjes janë rritur vetëm për 0,16 përqind.
Por, pavarësisht këtyre deklaratave ende nuk ka pasur asnjë njoftim konkret në lidhje me kufizimin e marzheve ose një paketë të re masash për mbrojtjen e qytetarëve nga rritja e çmimeve.
Në fillim të muajit korrik kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se pas analizimit të marzheve të rreth 600 deri në 700 produkteve do të ndërmerren hapa adekuate nëse konstatohen rritje të pajustifikuara të marzheve. Ai tha se Qeveria është inkurajuar nga të dhënat e fundit për inflacionin, i cili në muajin qershor ka qenë 3,4 përqind dhe shtoi se ky është një nga nivelet më të ulëta në rajon.
Shporta sindikale mbetet e lartë
Por, përderisa institucionet po analizojnë e përderisa autoritetet po njoftojnë takime shtesë me tregtarët dhe prodhuesit, qytetarët vazhdojnë të përballen me rritjen e çmimeve të karburanteve, rritjen e çmimeve dhe presionin në rritje mbi buxhetet familjare. Tregues për këtë janë edhe të dhënat e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM). Sipas shportës minimale sindikale shpenzimet minimale mujore për një familje katëranëtarëshe në muajin qershor janë ulur vetëm për 88 denarë krahasuar me ato në muajin maj.
Megjithatë, vlera e shportës minimale sindikale edhe më tej mbetet e lartë dhe është 68.654 denarë. Nëse përllogariten edhe shpenzimet për marrjen me qira të një apartamenti prej 60 metrash katrorë, një familjeje me katër anëtarë i nevojiten 84.024 denarë në muaj për mbulimin e nevojave bazë për jetesës. Pjesa më e madhe e buxhetit, gjegjësisht 25.120 denarë, shpenzohet për ushqim dhe pije, gjë që tregon se sa ndikon drejtpërdrejt rritja e çmimeve të produkteve themelore ushqimore në standardin e jetesës së qytetarëve.
LSDM: Rritje e re e çmimeve pas rritjes së çmimit të naftës
Opozita e kritikon Qeverinë sepse ende nuk ka masa për zbutjen e efektit të rritjes së çmimeve tek qytetarët, e as nuk ka as gatishmëri për të biseduar me sindikatat për rritjen e pagës minimale.
“Për dy vjet e gjysmë nuk ka pasur rritje të asnjë të drejte sociale. Ndërkohë, shporta sindikale e konsumatorit u rrit për rreth 10.000 denarë dhe i ka tejkaluar 70.000 denarë”, thanë nga LSDM. Nga kjo parti shtojnë se qytetarët jetojnë me xhepat e zbrazët, ndërsa Qeveria në vend të masave konkrete ofron analiza dhe përllogaritje të reja.
Ndërkohë, Qeveria miratoi një vendim të ri me të cilin gjendja e krizës me naftën zgjatet edhe për tre muaj të tjerë – deri më 21 tetor, pasi Komisioni Rregullator i Energjetikës vendosi ta rrisë çmimin e naftës për 5,50 denarë për litër, ndërsa atë të benzinës për 1,50 denarë.
Nga LSDM paralajmërojnë se rritja e çmimit të naftës për 5,5 denarë për litër do të shkaktojë një valë të re rritjesh të çmimeve të ushqimeve dhe produkteve bazë.
“Transporti është i lidhur drejtpërdrejt me çmimin e karburantit, ndërsa bujqësia varet kryesisht nga nafta. Kjo do të thotë që çmimet në supermarkete, tregje, si dhe të frutave, perimeve dhe produkteve të tjera ushqimore bazë do të rriten. E pastaj këto çmime shumë rrallë kthehen siç kanë qenë”, thonë nga partia.
Trençevska: Qeveria po e fsheh gjendjen reale
Edhe njoftimi për shportën e re të konsumatorit shkaktoi kritika nga LSDM-ja opozitare. Nënkryetarja e partisë, Jovanka Trençevska, vlerësoi se Qeveria po përpiqet ta paraqesë gjendjen statistikisht si më të favorshme sesa që është në të vërtetë.
“Vetëm në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi shportën mesatare të konsumatorit e bën Qeveria. Në numrin më të madh vendeve kjo është detyrë e institucioneve zyrtare statistikore. Është e qartë se ekziston një qëllim për të ndikuar në mënyrën se si do të paraqitet shporta e konsumatorit dhe bazuar në të të krijohen politika “, tha Trençevska.
Ajo theksoi se shporta mesatare e konsumatorit nuk mund të jetë një pikë referimi për politikat sociale sepse në të përfshihet edhe fuqia blerëse e qytetarëve më të pasur edhe atyre më të varfër. “Nuk mund t’i vendosni në një vend zakonet dhe mundësitë e qytetarëve të pasur dhe atyre të varfër. Shporta minimale sindikale është pika referuese që duhet t’i shërbejë Qeverisë në krijimin e politikave dhe masave sociale për mbështetjen e më të cenueshmëve”, tha Trençevska.
Tre të katërtat e punonëtorëve marrin paga nën pagën mesatare
Shqetësim shtesë shkaktojnë edhe të dhënat e publikuara nga LSM që thirren në informacionet nga Drejtoria e të Ardhurave Publike. Sipas analizës, rreth në 73 përqind e të punësuarve në vitin 2025 kanë marrë pagë më të ulët se paga mesatare zyrtare. Gjysma e punëtorëve kanë fituar të ardhura nga 24.380 deri më 36.900 denarë në muaj.
Edhe pse paga mesatare në muajin dhjetor arriti në 46.889 denarë sindikatat paralajmërojnë se këto të dhëna nuk e pasqyrojnë gjendjen reale për numrin më të madh të të punësuarve. Vetëm 3,4 përqind e punëtorëve kanë marrë më shumë se 100.000 denarë në muaj, ndërsa shumica e qytetarëve jetojnë me të ardhura dukshëm më të ulëta dhe e kanë të vështirë t’i përballojnë shpenzimet në rritje për jetesë.