Kush do jetë lider i VLEN-it, Kasami apo Mexhiti?

Pas fitores në zgjedhjet lokale, koalicioni VLEN ndodhet përballë një vendimi thelbësor, kush do të jetë lideri? Në opinion kanë nisur të qarkullojnë emrat e Bilall Kasamit nga Lëvizja Besa dhe Izet Mexhitit nga Lëvizja Demokratike, ndërsa vetë koalicioni ende nuk ka vendosur për këtë, raporton Portalb.mk. 

Ndonëse pjesëmarrës në këtë koalicion janë më shumë subjekte, pas rezultateve të zgjedhjeve lokale, dy emrat që përfliten për liderë të VLEN-it janë Izet Mexhiti i Lëvizjes Demokratike dhe Bilall Kasami i Lëvizjes Besa. 

Si Kasami, ashtu edhe Mexhiti thonë se nuk e kanë problem se cilido të bëhet lider. 

 Kasami ka thënë se VLEN së shpejti, duke mos precizuar se kur, do të ketë përgjigje rreth idesë së transformimit të koalicionit në parti politike. Për Kasamin kushdo që të jetë lider nuk përbën problem. 

“Çdo formë e gabuar e organizimit të VLEN-it ka rrezik që të dëshpërojë një pjesë të strukturës që nuk është interes i asnjërit subjekt politik. Pra në nivel të liderëve të VLEN-it nuk ka dilema sa i përket asaj se kush do të jetë lideri, pra kushdo që të jetë është e pranueshme, por ajo që është me rëndësi që organizimi i strukturës udhëheqëse të VLEN-it të reflektojë realitetin e strukturës organizative dhe mbështetësve që i ka VLEN-i në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut”, tha Kasami.

Edhe Mexhiti e ka të njëjtin qëndrim. 

“Në VLEN nuk kam shkuar me kusht që të bëhem lider a jo, mua më ka interesuar të kontribuoj në unifikimin e opozitës shqiptare, sjelljen e konkurrencës në kampin politik shqiptar, sjelljen e ndryshimit te shqiptarët dhe më mjafton edhe kështu si jam… As kam hyrë me kusht që të bëhem lider, as sot nuk kam asnjë kushti për lider. Edhe nëse nuk do jem lider unë do jem pjesë e VLEN-it dhe kontribuues i VLEN-it’’, tha Mexhiti. 

Zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani për Portalb.mk tha se zgjidhja e kryetarit do të trajtohet me dialog të hapur, por pa precizuar se kur do të ndodhë e njëjta.

“Koalicioni VLEN ka bashkëpunim të shkëlqyer mes katër partive dhe përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje. Ky bashkëpunim bazohet në besim të ndërsjellë, koordinim të plotë dhe dinamik, dhe në një platformë të përbashkët politike që ka fituar besimin e shqiptarëve në disa cikle zgjedhore. Në kuadër të këtij bashkëpunimi tashmë ekzistojnë kryesia qendrore, qendra mediale dhe komisioni kadrovik, të cilat janë funksionale dhe veprojnë me koordinim të plotë në interes të përbashkët. Këto struktura pasqyrojnë nivelin e organizimit dhe seriozitetin me të cilin VLEN po e ndërton bazën e saj politike për një angazhim të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Sa i përket çështjes së kryetarit, ajo do të trajtohet përmes dialogut të hapur dhe bashkëpunimit të plotë ndërmjet liderëve të partive, me synim që vendimi përfundimtar të reflektojë unitetin dhe frymën e përbashkët që karakterizon VLEN-in, me kujdes dhe pa presione kohe”, tha Sulejmani.

Koalicioni VLEN u krijua para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024 nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit. Pasi u bënë pjesë e Qeverisë në 2024, disa muaj më vonë, Aleanca e Arben Taravarit doli nga koalicioni dhe qeveria, ndërsa në koalicion mbeti një grup i anëtarëve të kësaj partie të cilët udhëhiqen nga Arben Fetai. Në zgjedhjet lokale 2025 VLEN fitoi 10 komuna.

Bilall KasamiIzet MexhitiVLEN koalicioniZgjedhje lokale RMV 2025