Kurti: Populli fitoi, koalicioni VV, “Guxo” dhe “Alternativa” do ta formojnë qeverinë Kurti 3

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se është fitues i zgjedhjeve, duke shtuar se do të vazhdojë mandatin e tretë me “Guxo” dhe “Alternativa”. Ai i cilësoi zgjedhjet si të lira, demokraike dhe të ndershme, transmeton Portalb.mk.

“Gjithçka ka shkuar sipas procedurave, falënderoj Policinë dhe organet e rendit në përgjithësi. Koalicioni ynë do ta formojë qeverinë e re, pra Kurti 3 dhe gjithashtu ne do të vazhdojmë punët edhe ato punët që i kemi nisur dhe shumë të tjera”, ka thënë Kurti.

Ai më tej akuzoi se, koalicioni i tij, është përballur me një luftë hibride.

“Qytetarët e Kosovës e kanë dëshmuar suksesshëm rezistencën e tyre edhe kundër një lufte të paparë hibride që është bërë kundër koalicionit tonë, me ç’rast oligarkët, sidomos njëri prej tyre, kanë shpenzuar para pa hesap, kanë kërcënuar punëtorët dhe gjithashtu kemi pasur premtimet më absurde të mundshme në këtë fushatë të cilët kanë krijuar një atmosferë irracionale, por edhe përkundër të gjitha këtyre populli fitoi, fitoi Vetëvendosja, ne jemi subjekti i parë, subjekti fitues i cili do ta formojë qeverinë e ardhshme Të gjithë e kanë të qartë se ata që dolën të dytët e të tretët po të mblidhen bashkë, nuk bëjnë sa ne”, ka thënë Kurti.

LEXO: Sipas DnV-së VV-ja ka fituar mbi 40% të votave

Albin KurtiVetëvendosjeZgjedhje në Kosovë