Nobel për tre shkencëtarët që zbuluan se si truri i formëson ndjenjat

Psikiatri dhe neurologu amerikan, Karl Deisseroth, dhe kolegët e tij gjermanë, Peter Hegemann dhe Georg Nagel, u shpërblyen me Çmimin Nobel të këtij viti për Mjekësi, për punën e tyre në fushën e optogjenetikës, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Hulumtimet e tyre u kanë ndihmuar shkencëtarëve të mësojnë më shumë për funksionimin e mendjes dhe të kuptojnë më mirë se si funksionon truri i njeriut.

Komiteti i Nobelit i vlerësoi tre shkencëtarët për vendosjen e themeleve të një epoke të re në neuroshkencë dhe për zbulimin e qarqeve nervore që qëndrojnë pas “kujtimeve, ndjenjave dhe sjelljeve të caktuara”, që “lidhen me çrregullimet neurologjike dhe psikiatrike”.

Në mjekësinë klinike, studiuesit po e përdorin këtë metodë në përpjekje për t’ua rikthyer shikimin personave me dëmtime të shikimit.

“Optogjenetika e ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si e kuptojmë trurin”, tha Asambleja e Nobelit.

“Çdo ditë sjell zbulime të reja, duke ndihmuar në zgjidhjen e një prej mistereve të mëdha të njerëzimit: si funksionon truri ynë i jashtëzakonshëm”, tha ajo.

Fituesit thanë se marrja e çmimit është “absolutisht e mrekullueshme”.

Tre shkencëtarët do ta ndajnë gjithashtu shumën prej 12 milionë koronash suedeze – rreth një milion euro – që shoqërojnë çmimin.

Optogjenetika

“Optogjenetika na jep mundësi për ta hartëzuar trurin në një mënyrë që dikur vetëm mund ta ëndërronim”, tha Per Svenningsson, kryetar i Komitetit të Nobelit për Fiziologji ose Mjekësi.

Më parë, mekanizmat e brendshëm të trurit që qëndrojnë pas ndjenjave, sjelljeve dhe funksioneve trupore, ishin shumë më pak të kuptueshëm për shkencëtarët.

Optogjenetika është një metodë që mundëson ndriçimin dhe studimin e rrugëve nervore në tru.

Ajo përdor një proteinë të veçantë të marrë nga algat, përmes së cilës shkencëtarët mund të kontrollojnë aktivitetin elektrik të qelizave duke përdorur dritën.

Në fillim të viteve 2000, Hegemann dhe Nagel zbuluan kanalrodopsinën – proteinën e algave me veti të veçanta.

Që atëherë, studiuesit kanë mundur të studiojnë qelizat dhe rrugët nervore dhe të zbulojnë shumë më tepër për mënyrën se si ato funksionojnë.

Çmimi NobelMjekësi Mjek(e) Doktor