Administratori i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., me inicialet L.K., është arrestuar në flagrancë nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nën drejtimin e prokurorit të çështjes, raporton Euronews. Sipas Prokurorisë së Posaçme, L.K. dyshohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.
Arrestimi është kryer më 5 tetor 2026, në kuadër të procedimit penal nr. 108 të vitit 2026, të regjistruar nga SPAK më 1 tetor, pas referimit të BKH-së. Gjatë hetimit janë përdorur metoda speciale hetimi dhe veprime të simuluara.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se administratori i “ECO-ELB” ka kërkuar dhe marrë shumën prej 400 mijë lekësh nga administratori i një operatori ekonomik, si përfitim të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkohen me ligj.
Shuma e parave është gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrollit personal të L.K.
SPAK bën me dije se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Çdo person prezumohet i pafajshëm deri në vërtetimin e fajësisë me vendim gjyqësor të formës së prerë.