Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri në një konferencë për media me nënkryetaren e Kuvendit, Vlora Çitaku ka ftuar deputetët që të vijnë dhe të votojnë ndryshimet në Ligjin për Specialen edhe në lexim të dytë në orët sa kanë mbetur para se të shpërbëhet kjo legjislaturë, raporton Koha.net.
Ai ka thënë se është obligim dhe përgjegjësi e çdo force politike të votohen ndryshimet e këtij Ligji.
“Është obligim dhe përgjegjësi kombëtare e secilës forcë politike dhe secilit deputet të Kuvendit të Kosovës, të vijë në Kuvend në këto orë sa kanë mbetur para se të shpërbëhet Kuvendi dhe të miratohet Ligji për Specialen edhe në lexim të dytë”, ka thënë Tahiri.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë dalur nga objekti i Kuvendit të Kosovës, pasi Policia e Kosovës ka hedhur gaz lotsjellës për të larguar protestuesit që kishin rrethuar objektin.
Pasi nuk është arritur dakordim mes Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës për t’u mbajtur një seancë tjetër, deputetët e VV-së janë larguar nga Kuvendi ndërsa ata të PDK-së vazhdojnë të qëndrojnë.
Nga PDK-ja kanë thënë se është kushtëzuar votimi në lexim të dytë i ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara me votimin e presidentit.
Të martën është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit.