Sipas DnV-së VV-ja ka fituar mbi 40% të votave

Sipas 50% të votave të numëruara nga ana e KQZ-së, Lëvizja VETËVENDOSJE! e ALbin Kurtit ka fituar më së shumti vota, përkatësisht 37.45 %, e dyta sipas rezultateve të deritanishme është PDK me 29.85 % të votave, më pas vjen LDK me 16.27 %, ndërksa koalicioni AAK-Nisma deri më tani ka 7.89 %.  Ndërkaq, koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim ka nxjerrë rezultatet preliminare. Sipas numërimit të votave nga Demokracia në Veprim në 98 për qind të vendvotimeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 40.4 për qind, me marzhë gabimi prej 1.44 për qind. Partia Demokratike e Kosovës është e dyta me 21.7 për qind, me marzhë gabimi 1.45 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta me 17.5 për qind, me marzhë gabimi 0.97 për qind. Koalicioni AAK-Nisma e katërta me 7.2 për qind, me marzhë gabimi 0.82 për qind. Koalicioni për Familjen ka 2.4 për qind, transmeton Portalb.mk.

Edhe sipas EXIT – polleve të ndryshme, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para, me një epërsi të konsiderueshme të votave. Sipas projeksionit të KOHËS, fituese e zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje me 42%, PDK 21%, LDK 20% dhe AAK – Nisma 6.

Zëdhënësi për media i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, tha se do të presin deri në numërimin final të votave “në mënyrë që të dimë rezultatin e fitores”. Ai ka shkruar në Facebook se numërimi po vazhdon.

“Të dashur qytetarë, numërimi po vazhdon dhe duhet të presim deri në numërimin e fundit, në mënyrë që të dimë rezultatin e fitores sonë”, ka thënë ai.

Blerand Stavileci, zëdhënës i PDK-së për zgjedhjet e 2025-s, ka thënë se kjo parti konsideron që rezultatet finale do ta paraqesin këtë parti më mirë se rezultatet e projeksioneve dhe exit-polleve të publikuara menjëherë pas zgjedhjeve. Në një konferencë për media, ai ka thënë se zgjedhjet ishin fitore për vendin. Ka falënderuar qytetarët dhe kandidatin e PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.

Edhe zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka thënë se sipas exit-pollit të tyre kanë marrë 24 për qind, shifër që u shpreh se do të rritet pas numërimit të votave të diasporës. Në konferencë për media pas përfundimit të zgjedhjeve, Mustafa u shpreh i bindur se Lumir Abdixhiku do të jetë kryeministri i ardhshëm.

“Kemi bërë exit-pollin më të madh ndonjëherë me 18 mijë respodentë. LVV ka 34%, LDK 24% e PDK 22%. Ajo që është e rëndësishme, LDK-ja së paku ka dyfishim të rezultatit nga zgjedhjet e kaluara parlamentare, pa llogaritur votat e diasporës, ku presim rezultat të shkëlqyeshëm, që do ta rrisë për 2-3 për qind rezultatin tonë”, ka thënë Mustafa, teksa u bëri thirrje komisionerëve dhe vëzhguesve të LDK-së ta ruajnë votën.

“Jemi të sigurt që vullneti i qytetarëve reflektohet edhe më mirë sesa që pasqyrojnë rezultatet preliminare të exit-polleve”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se në këto zgjedhje ka fituar opozita, duke u shprehur se “pres me padurim të bashkëpunojmë për krijimin e qeverisë”.

Ai ka thënë para mediave se beson që AAK-ja ka rezultat dyshifror në këto zgjedhje parlamentare.

“Jemi të sigurt se kemi rezultat dyshifror. Besoj se këtë do ta konfirmojmë. Ajo që më gëzon është fakti se opozita i ka fituar këto zgjedhje. I uroj opozitës fitoren dhe pres me padurim të bashkëpunojmë për krijimin e qeverisë se opozitës”, ka thënë Haradinaj.

Në zgjedhjet e sotme garuan katër kandidatë për kryeministër, edhe atë: Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, që është edhe kryeministër aktual, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sa i përket partive, në këto zgjedhje garojnë 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë, përkatësisht, 20 parti politike, pesë koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Ndër, premtimet që kanë dominuar në fushatën parazgjedhore, e cila ishte pa incidente, kanë qenë ato për zhvillim ekonomik të vendit, investime në projekte kapitale, rritje të pagave dhe cilësisë së jetës së qytetarëve si dhe integrimet në organizata ndërkombëtare. Lëvizja Vetëvendësosje ka premtuar 1 miliard euro për rritjen e kapaciteteve prodhuese në Kosovë, heqjen e taksës doganore prej 10 për qind për veturat e importuara nga Bashkimi Evropian, transport publik i integruar me biletë 10 euro në muaj në gjithë Kosovën etj. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka premtuar rritje të pagave për 50 për qind në sektorin publik, rritje e pensioneve për 70 për qind si dhe subvencionimi i familjeve që i dërgojnë fëmijët në çerdhe me nga 100 euro, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në fushatë elektorale ka premtuar investime prej 5 miliardë eurosh, një buxhet prej 5 miliardë eurosh dhe një rritje ekonomike prej 5 për qind gjatë mandatit të tij. Ndërkohë, Koalicioni “Për Kosovën Fituese” nga partitë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma kanë premtuar anëtarësim në NATO, përcjellë me premtimet për rritje pagash, investime dhe zhvillim ekonomik.

Edhe pse çështja me Serbinë, nuk ka dominuar në këtë fushatë zgjedhore, mbetet problemi kryesor i Kosovës, dhe sfida më e madhe e Qeverisë së ardhshme, kush do që ta udhëheqë atë. Votimet e sotme do të përcaktojnë se kush do të udhëheqë Kosovën në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të cilat kanë ngecur për një kohë të gjatë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë kërkuar të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjen e arritur gati dy vjet më parë sipas së cilës Kosova duhet të themelojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi të njohë ‘de facto’ pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri aktual Albin Kurti është kritikuar nga ndërkombëtarët për veprimet e qeverisë së tij në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe. Bashkimi Evropian vazhdon të mbajë në fuqi masa ndëshkuese ndaj Kosovës që nga qershori i vitit 2023 për shkak të tensioneve në veri.

Por, edhe përkundër kritikave nga ndërkombëtarët, qytetarët e Kosovës duket se e mbajnë anën e Kurtit në qasjen e tij për problemin me Serbinë si dhe shtrirjen e sovranitetin në veri të Kosovës, pasi në sondazhet e ndryshme parazgjedhore, Kurti gëzon më së shumti mbështetje qytetare në mesin e kandidatëve për kryeministër, ndërkaq qeveria Kurti është e vetmja që përmbushi mandatin katërvjeçar që nga pavarësia e vendit.

Në zgjedhjet e sotme, të drejtë vote kanë 2.075.868 qytetarë, prej të cilëve 104.924 janë regjistruar për votim jashtë vendit, ndërkaq,  këtë vit ka 125.852 votues të rinj që votojnë për here të parë.

Dialog Kosovë - SerbiQeveria e KosovësVeriu i KosovësZgjedhje në Kosovë