Ka njerëz, ndeja me të cilët të lë më të vogël nga ç’ishe para se t’i takoje dhe kjo nuk vërehet menjëherë. Në fillim, mund të ketë sharm, intensitet, madje edhe një familjaritet të çuditshëm sikur diçka brenda teje njeh diçka tek ata. Por në një formë pothuajse në mënyrë të padukshme terreni yt i brendshëm fillon të ndryshojë. Fillon të vësh në dyshim ndjenjat e tua. E shpjegon veten më shumë. Ndihesh fajtor për gjëra që nuk mund t’i emërosh. Dhe një ditë vetëm e gjen vetën tënde duke mos qenë më vetvetja…
Autorja Miller, këto sjellje të rënda i emëron si mungesë e vetes autentike. Frojdi na ndihmon në përpikshmëri t’a kuptojmë mekanizmin, sipas tij, këta individë mbështeten shumë në mekanizmat mbrojtës si projeksioni, mohimi, shtrembërimi. Atë që nuk mund ta tolerojnë brenda vetes, e vendosin në mënyrë të pavetëdijshme tek ju. Ju filloni të ndjeni atë që ata nuk mund ta ndiejnë. Ju mbani konfuzion, faj, madje edhe turp që nuk buron nga ju.
Frojdi thotë se pavetëdija e tyre flet nëpërmjet të tjerëve. Jungu nga ana tjetër e quan këtë proces si mos integrim i hijes. Kur hija nuk është e integruar, ajo nuk zhduket. Ajo vepron. Shfaqet në marrëdhënie si kontroll, manipulim, ftohtësi emocionale ose ndryshime të papritura midis idealizimit dhe refuzimit. Ju nuk po kontaktoni vetëm një person ju po kontaktoni gjithçka që ata nuk e kanë hasur kurrë brenda vetes. Kjo është arsyeja pse përvoja mund të ndihet kaq intensive, madje shqetësuese. Nuk është vetëm ajo që bëjnë ata – është ajo që ju ndodh në praninë e tyre.
Realiteti juaj bëhet i paqëndrueshëm. Emocionet tuaja ngatërrohen. Ju filloni të dyshoni në atë që e dini se është e vërtetë. Dhe këtu, shfaqet instinkti juaj t’i quani ata të këqij madje monstruozë. Jo sepse jeni mizorë por sepse po përpiqeni të rivendosni diçka thelbësore si qartësinë morale. Po përpiqeni të thoni: Kjo ishte e gabuar. Ajo që më ndodhi mua nuk duhej të kishte ndodhur, nuk e meritova.
Psikoanaliza ju fton të shkoni një hap më tej jo drejt empatisë për ta por drejt saktësisë brenda vetes. Sepse të quash dikë përbindësh është në një mënyrë delikate të thjeshtëzosh diçka që është psikologjikisht tepër komplekse. Rreziku është se mund t’ju mbajë të lidhur me ta përmes intensitetit të ndjenjës që është krijuar tek ju. Jung paralajmeron se ajo që e shndërrojmë në të keqe absolute jashtë vetes mund të mbetet e pazgjidhur brenda nesh. Frojdi nga ana tjeter thotë se ajo që nuk përpunohet në mënyrë të vetëdijshme tenton të përsëritet mbase jo domosdoshmërisht me të njëjtin person por në të njëjtin model emocional për t’u kthyer te vetja pa shtrembërim, pa mohim dhe pa braktisur përsëri realitetin tuaj. Ky është ndoshta rreziku më i madh i marrëdhënieve toksike dhe strukturave të rënda të personalitetit, jo vetëm dëmi që të shkaktojnë por mënyra se si ngadalë fillon të humbasësh lidhjen me veten.
Në një shoqëri si e jona ku shpesh njerëzit edukohen të durojnë, të heshtin, te mos flasin për manipulimin, kontrollin emocional apo dhunën psikologjike keshtu individi shumë lehtë mësohet ta vërë fajin mbi veten. Sidomos gratë shpesh rriten me idenë se duhet të jenë mirëkuptuese pafundësisht, të sakrifikojnë, të justifikojnë sjelljen e tjetrit dhe të mbajnë marrëdhënien gjallë edhe kur ajo po i shkatërron nga brenda. Por psikoanaliza na mëson diçka shumë të rëndësishme se shërimi nuk fillon kur e justifikon tjetrin por kur pushon së mohuari realitetin tënd. Nuk është egoizëm të pranosh se dikush të ka lënduar. Nuk është mizori të emërtosh manipulimin, kontrollin apo ftohtësinë emocionale. Përkundrazi, është hapi i parë drejt rikthimit të vetes autentike. Dhe ndoshta forma më e lartë e pjekurisë psikologjike nuk është të fitosh betejën me tjetrin, por të mos e humbasësh më veten duke u përpjekur ta kuptosh, ta shpëtosh apo ta ndryshosh atë. Jungu na këshillon se njeriu nuk ndriçohet duke imagjinuar figura drite, por duke e bërë të vetëdijshme errësirën.
Shërimi fillon në momentin kur pushon së tradhtuari të vërtetën tënde për ta mbajtur tjetrin të rehatshëm.
Po flas për çregullimin e personalitetit. Kur vet personaliteti është çregullim. Çrregullimet e personalitetit janë modele të qëndrueshme dhe të ngurta të mendimit, emocioneve dhe sjelljes, të cilat devijojnë nga pritshmëritë kulturore dhe shkaktojnë vështirësi në marrëdhënie, funksionim dhe perceptim të vetes e të të tjerëve. Sipas DSM-5 apo manualit te shenjtë psikiatrik ato fillojnë zakonisht në adoleshencë ose në fillim të moshës adulte dhe mbeten relativisht të qëndrueshme me kalimin e kohës.
Llojet kryesore të çrregullimeve të personalitetit janë: çrregullimi paranoid i personalitetit, i karakterizuar nga mosbesim i vazhdueshëm ndaj të tjerëve; çrregullimi skizoid, që shfaqet me distancë emocionale dhe tërheqje sociale; çrregullimi skizotipal, i lidhur me sjellje dhe mendime të pazakonta; çrregullimi antisocial, që karakterizohet nga mungesë empatie dhe shkelje e normave sociale; çrregullimi borderline, i shoqëruar me paqëndrueshmëri emocionale dhe frikë intensive nga braktisja; çrregullimi histrionik, i lidhur me nevojë të vazhdueshme për vëmendje; çrregullimi narcistik, i karakterizuar nga grandiozitet dhe nevojë për admirim; çrregullimi shmangës (avoidant), që përfshin ndjeshmëri të lartë ndaj refuzimit; çrregullimi i varur (dependent), i cili manifestohet përmes varësisë emocionale ndaj të tjerëve; si dhe çrregullimi obsesiv-kompulsiv i personalitetit, i karakterizuar nga perfeksionizëm dhe nevojë e tepruar për kontroll.
Mos u përpiq të bëhesh aq i fortë sa të durosh çdo gjë. Bëhu aq i vetëdijshëm sa të dallosh atë që nuk duhet ta durosh më…