A u dënua i riu për një sjellje që realisht nxiste urrejtje, apo për një shprehje simbolike që shkaktoi pakënaqësi te të tjerët?
Një 18 vjeçar shqiptar nga Kumanova, gjatë festimit të 28 Nëntorit, nxjerr dy flamuj nga dritarja e një veture. Një vit më pas, ai ka mbi vete një aktgjykim penal. Shteti ka detyrim të ndëshkojë nxitjen e urrejtjes ndëretnike. Por a është çdo simbol që shqetëson edhe nxitje urrejtjeje?
Më 9 tetor 2026, Gjykata Themelore në Kumanovë, mbi bazën e pranimit të fajësisë, e shpalli fajtor sipas nenit 319 të Kodit Penal. Sipas aktgjykimit (IV.K.br. 297/26), ai ishte pjesë e një kolone prej rreth njëzet automjetesh dhe kishte shfaqur flamurin e të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe” dhe atë të të ashtuquajturës UÇK. Gjykata konstatoi se kishte pasur dashje për të shkaktuar urrejtje, përçarje dhe mosdurim, dhe se veprimi shkaktoi shqetësim e reagime te qytetarë të bashkësive të tjera. Dënimi është tre muaj burg me masë alternative, të cilën ai vetë e përshkruan si burg me kusht.
Pranimi i fajësisë nuk e mbyll debatin juridik. Neni 319 nuk ndëshkon shqetësimin si të tillë. Ai kërkon shkaktim ose nxitje të urrejtjes, përçarjes apo mosdurimit përmes mënyrave që ligji i përshkruan. Në faktet e përmbledhura në aktgjykim nuk përmenden dhunë, kërcënime apo thirrje të drejtpërdrejta kundër ndonjë bashkësie. Mungesa e tyre nuk e përjashton automatikisht përgjegjësinë penale, por e bën edhe më të rëndësishme që gjykata të shpjegojë se si ekspozimi i flamujve, në rrethanat konkrete, shkaktoi ose nxiti urrejtje, përçarje apo mosdurim.
Shfaqja e një flamuri është shprehje, edhe pa asnjë fjalë. Sipas nenit 19 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kufizimi duhet të kalojë testin trepjesësh: të jetë i paraparë me ligj, të ndjekë një qëllim legjitim dhe të jetë i domosdoshëm e proporcional. Formulimi i hapur i nenit 319, “në mënyrë tjetër diskriminuese”, kërkon arsyetim veçanërisht të qartë. Mbrojtja e rendit publik dhe e të drejtave të të tjerëve është qëllim legjitim, por vetvetiu nuk mjafton. Sipas Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, General Comment 34, shteti duhet të tregojë saktësisht kërcënimin dhe lidhjen e drejtpërdrejtë e të menjëhershme të shprehjes me të, si dhe të zgjedhë mjetin më pak kufizues.
Plani i Veprimit i Rabatit ofron një kornizë të dobishme interpretimi për këtë vlerësim, përmes gjashtë kritereve. Konteksti ishte një kolonë festive, por duhet vlerësuar edhe gjendja ndëretnike në qytet. Folësi ishte një 18 vjeçar, për të cilin nuk dihet të ketë pasur ndikim publik. Qëllimi konstatohet në aktgjykim, por arsyetimi duhet të tregojë nga cilat fakte nxirret, pasi pakujdesia nuk mjafton. Sa i përket përmbajtjes dhe formës, kemi dy flamuj, ndërsa faktet e përmbledhura nuk përmendin parulla apo thirrje. Shtrirja ishte publike, në një kolonë prej rreth njëzet automjetesh. Së fundi, shqetësimi dhe reagimet nuk dëshmojnë vetvetiu gjasë reale dhe të afërt për veprim kundër një grupi. I njëjti plan e sheh dënimin penal si mjet të fundit.
Ka rëndësi edhe fakti se i riu i përket bashkësisë shqiptare, një prej bashkësive joshumicë të njohura shprehimisht nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut. Kjo është relevante për vlerësimin e kontekstit dhe të kuptimit që mund të kenë simbolet në shprehjen e identitetit dhe përkatësisë kombëtare. Amendamenti VIII i Kushtetutës, që zëvendëson nenin 48, garanton të drejtën e pjesëtarëve të bashkësive për të shprehur dhe zhvilluar identitetin e tyre, si dhe për të përdorur simbolet e bashkësisë. Kjo nuk nënkupton se çdo simbol gëzon mbrojtje automatike, por kërkon që përdorimi i tij të vlerësohet në kontekstin konkret.
Fakti që një shprehje ose simbol shkakton shqetësim, indinjatë apo edhe ofendim te të tjerët nuk mjafton, në vetvete, për të përbërë vepër të nxitjes së urrejtjes. Siç ka theksuar vazhdimisht GJEDNJ-ja, liria e shprehjes, e garantuar nga neni 10 i KEDNJ-së, mbron edhe shprehjet që mund të ofendojnë, tronditin ose shqetësojnë. Prandaj, vlerësimi duhet të shkojë përtej perceptimit subjektiv të publikut dhe të shqyrtojë nëse, në rrethanat konkrete, simbolet ishin pjesë e shprehjes së identitetit dhe përkatësisë kombëtare apo nëse shoqëroheshin me mesazhe që nxisnin realisht urrejtje, diskriminim ose dhunë. Kjo kërkon një analizë të veçantë të secilit flamur, të mesazhit që përcillte, si dhe të kontekstit, vendit dhe momentit të përdorimit të tij.
Praktika e Strasburgut ofron udhëzime të rëndësishme për këtë vlerësim. Në Vajnai kundër Hungarisë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut konstatoi shkelje të nenit 10 për shkak të dënimit të një personi që kishte mbajtur publikisht yllin e kuq. Ajo theksoi se shprehjet që ofendojnë, tronditin ose shqetësojnë mbrohen nga liria e shprehjes dhe se ndjenjat e pakënaqësisë apo shqetësimit të publikut nuk mund të përcaktojnë, në vetvete, kufijtë e kësaj lirie. Në Fáber kundër Hungarisë, Gjykata e zbatoi të njëjtin parim në lidhje me shfaqjen e një flamuri me kuptime historike dhe politike të shumëfishta. Ajo vlerësoi se shqetësimi që simboli shkaktonte te të pranishmit, pa sjellje kërcënuese, frikësim apo rrezik të provuar për sigurinë publike, nuk justifikonte ndërhyrjen e autoriteteve. Por, Gjykata pranoi se vendi dhe koha mund ta ndryshojnë kuptimin e një simboli, përfshirë kur ai glorifikon krime lufte.
Kufijtë e kësaj mbrojtjeje ilustrohen edhe në Šimunić kundër Kroacisë, ku Gjykata e shpalli ankesën të papranueshme pas dënimit të një futbollisti të njohur që kishte përsëritur katër herë përshëndetjen e regjimit ustash para një audience të madhe në stadium. Në këtë rast, peshë patën kuptimi historik i shprehjes, mënyra e përsëritur e përdorimit të saj, reagimi i spektatorëve dhe vlerësimi i arsyetuar i gjykatave vendase.
Edhe praktika gjyqësore në Maqedoninë e Veriut ofron një pikë krahasimi. Studimi i OSBE-së përmend vendimin K-84/19 të Gjykatës Themelore në Manastir, lidhur me një mbishkrim që përmbante referenca ndaj UÇK-së dhe Adem Jasharit në murin e një dyqani privat. Megjithatë, këto raste nuk japin përgjigje automatike për çështjen në Kumanovë. Ato tregojnë se vlerësimi i një shprehjeje simbolike nuk mund të mbështetet vetëm në reagimin që ajo shkakton te të tjerët, por kërkon shqyrtimin konkret të përmbajtjes, qëllimit dhe kontekstit të saj.
Arsyetimi ka peshë të veçantë. Një studim i botuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup vëren se vendimet për gjuhën e urrejtjes zakonisht janë shumë të shkurtra. Kjo analizë mbështetet vetëm në faqen e parë të këtij aktgjykimi, ndaj nuk mund të thotë se si gjykata i ka arsyetuar këto çështje. Por këto janë pyetjet me të cilat duhet matur arsyetimi i saj.
Mbrojtja nga urrejtja u takon të gjitha bashkësive, pa dallim. Por ajo nuk duhet të shndërrohet në instrument për kriminalizimin e çdo shprehjeje që shkakton pakënaqësi apo kundërshtim. Dallimi ndërmjet shprehjes provokuese dhe nxitjes së urrejtjes duhet të mbështetet në prova dhe në një arsyetim të kujdesshëm juridik. Përndryshe, rrezikohet që liria e shprehjes të varet jo nga kufijtë e përcaktuar nga ligji dhe Konventa, por nga reagimi i atyre që e dëgjojnë ose e shohin atë.
Në prag të një 28 Nëntori tjetër, pyetja mbetet: a mjafton reagimi i publikut për ta kthyer një simbol në vepër penale? Përgjigjja, sipas standardeve të të drejtave të njeriut, duhet të jetë jo.
Shkruan:
Nermine Aliji Ademi
LLM International Human Rights Law