Një përjetim i shfaqjes “Sytë e Ujkut” nga Refet Abazi
Trigorini: Subjekt për një rrëfim të vogël: në breg të liqenit, që nga fëmijëria, jeton një vajzë e re, e këtillë siç jeni ju. E do liqenin si pulëbardha dhe është e lumtur e e lirë si pulëbardha. Mirëpo, rastësisht ia beh një njeri, e sheh atë dhe, shkurt, nga bezdia, e shkatërron…
(A. P. Çehov – “Pulëbardha”)
Këtë subjekt për një tregim, Trigorini ia rrëfen Ninës që në fillim të dramës “Pulëbardha” të A. P. Çehovit. Dhe pikërisht kështu ndodh edhe me jetën e Ninës: ajo shndërrohet në një pulëbardhë, të cilën një njeri, rastësisht dhe nga bezdia, e shkatërron!
Ky mendim m’u paraqit sapo pashë ambientin skenik ku do të luhej shfaqja “Sytë e Ujkut”. Bukur, thashë me vete, Kushtrimi po e vazhdon teatrin e tij laboratorik minimalist, siç e kisha shijuar në shfaqjen “Babai dhe babai”. Ambienti skenik ishte ndarë me vija kufizuese, të krijuara nga tela, në të cilët ishin varur pëlhura të qëndisura që ngjanin me pajën e nusërisë. Fillova të përfytyroja se ato vija ndarëse me tela do të ndryshonin, ashtu siç do të zhvilloheshin edhe veprimet brenda atyre mini-territoreve të ndara me tela. Efekti akustik i pikës së ujit që binte mbi një teneqe ma rikujtoi torturën e tmerrshme që historikisht u është bërë të burgosurve. Hëm, thashë me vete, do të jetë një përjetim intensiv.
Irenë Aliu (Gjyshja), edhe pse në karrocë, dukej sikur vallëzonte mes atyre pëlhurave të varura. M’u duk sikur ajo i njihte mirë ato, si dhe vendndodhjen e tyre. Dhe përsëri, nuk e di pse, mendja më shkoi te Pulëbardha.
Por paraqitja e Edonë Reshitajt më detyroi të mendoja se ajo nuk ishte Nina. Ndoshta i përngjante, por assesi nuk ishte ajo!
Edonë Reshitaj (Lumja), duke ecur mes pajës së saj, të larë e të tharë kushedi sa herë, i përcaktoi kufijtë e botës ku jeton, një botë që nuk njeh gjë tjetër veçse dhimbjen. Çdo vendosje e telit dukej sikur përcaktonte kufij të rinj të dhembjes brenda së cilës jeton ajo. Paja zakonisht simbolizon kalimin e vajzës në një fazë të re të jetës, në fazën e nusërisë, siç emërtohet zakonisht, së cilës më pas i vjen radha e mëmërisë. Gjatë dialogut me Gjyshen kuptojmë se Lumja është nënë dhe se kemi të bëjmë me tri gjenerata grash. Por Edona na bën të kuptojmë se kalimi i saj në fazën e mëmërisë ka ndodhur dhunshëm! Dukej sikur brenda saj ishte vrarë faza e natyrshme e nusërisë. Dhe pikërisht me veprimet e saj, duke e zhvendosur pajën, ajo përpiqet ta ruajë atë fazë brenda vetes, prej vitesh, dhe nuk lejon që ajo të zhduket. E mban gjallë atë kohë brenda vetes, sepse dëshiron që, po të ishte e mundur, prej aty ta rifillonte jetën edhe një herë.
Në lëvizjet e Edonës shohim se ajo nuk ka jetuar një jetë normale, në të cilën një vajzë përjeton natyrshëm çdo fazë të zhvillimit të saj, me të gjitha ndryshimet që e shoqërojnë atë rrugëtim. Këto ndryshime janë pjesë e zhvillimit të një vajze nga fëmijëria deri në mëmëri, duke ruajtur njëkohësisht butësinë e femrës. Një butësi që, kur ajo bëhet NËNË, merr përmasa hyjnore, siç shprehet Ibn Arabi, duke u emërtuar “butësia e Nënës”.
Lëvizjet e Edonës janë ndryshe. Aty nuk ka pothuajse fare butësi, aq më pak butësi në prekje. Mungojnë nazet femërore, sepse mbizotërojnë lëvizjet dhe veprimet e ashpra, në momente edhe të egra. Me siguri, mendova, këto veprime janë zhvilluar dhunshëm, si rezultat i mbijetesës. Përmes këtyre lëvizjeve të ashpra e të egra, Edona na bën të kuptojmë se jo vetëm “vrasja” e dhunshme e ka nxjerrë jetën e saj nga boshti, por edhe vitet pas asaj “vrasjeje” kanë qenë edhe më të tmerrshme.
Doruntia Basha, duke ndjekur parimin “më pak do të thotë më shumë”, nuk i paraqet as ato vite, as ata dhe ato që ia kanë shndërruar jetën Lumes në skëterrë pas dhunimit. Por Edona më bëri të shihja se ajo kishte qenë e përndjekur nga një kor Erinish gjakpirëse, pothuajse si Erinitë e Eskilit, që e përndiqnin Orestin pas vrasjes së nënës së tij. Por Oresti kishte bërë krim, kishte vrarë nënën, dhe akti i vrasjes i kishte thirrur Erinitë. Po çfarë krimi kishte bërë Lumja? Kjo ishte pyetja që më mbeti në kokë. Nuk gjeja përgjigje, sepse e kërkoja brenda logjikës së shëndoshë, e cila, në këtë rast, e anulonte vetë çdo pyetje. Si mund të akuzohet një grua ndaj së cilës është kryer krimi më i tmerrshëm gjatë luftës? Për çfarë mund të akuzohet një grua, ndaj së cilës është kryer krim, një grua që është dhunuar? Kush mund ta akuzojë një grua të pafajshme për diçka që i është bërë asaj në mënyrën më makabre?
Te kjo pyetje, fytyra e Edonës, teksa paloste pajën e saj, atë pajë të kohës së ndërprerë të nusërisë së Lumes, më dha një përgjigje. Vetëm qyqarët! Po, vetëm ata që fshehin paaftësitë dhe përgjegjësitë e veta janë në gjendje të bëjnë akuza të tilla. Sepse etiketimi i një gruaje të pafajshme si “mëkatare”, “e pamoralshme”, madje edhe “bashkëpunëtore me armikun”, krijon mbulesë për paaftësinë e tyre. Vetëm krijesa të tilla mund të kërkojnë përgjegjësi morale nga një grua, faji i vetëm i së cilës është se ka ndodhur në kohën e gabuar dhe në vendin e gabuar. Fillova ta përfytyroja atë kor dhe i parafytyrova pjesëtarët e tij si një kor korbash të zinj, të cilët e kanë detyruar Lumen të ndërtojë mekanizma mbrojtës, që ajo dhe fryti i ardhur në jetë të mund të mbijetojnë. Një kor që pambarimisht ia ka rikujtuar se është emblema e turpit.
Edonë Reshitaj, në shfaqje, nuk e luan viktimën. Përkundrazi, ajo jeton në botën e saj distopike, të cilën e ka krijuar vetë për t’u mbrojtur nga kori i padukshëm i akuzuesve, nga Erinitë. Ajo shpërfaq fuqishëm se, brenda atij territori, e ka mbisunduar dhembjen dhe është ngritur mbi të. Ne, që e shikonim shfaqjen, tentonim (të paktën unë, në disa çaste) të shfaqnim indiferencë, ndoshta për të mos u përfshirë tepër në atë botë të dhembjes, sepse mund të perceptoheshim edhe ne, publiku, si pjesë e atij kori.
Por Edona, pasi na e prezantoi oqeanin e saj të dhimbjes, në të cilin jeton, na bëri një ofertë. Oferta ishte: nëse ua mban, nëse keni guxim, urdhëroni, ejani dhe jetoni këtu bashkë me mua! Por si mund të jetohet në një botë të tillë dhembjeje, ku edhe ajri, me siguri, nuk ka oksigjen të mjaftueshëm për ne, që jemi mësuar të thithim oksigjen në sasi të tjera?
Në një çast të tillë mëdyshjeje, Edona filloi të këndonte. Por nuk ishte këngë, jo, nuk ishte! Ne që e njohim mënyrën se si këndon ajo, nuk mund të themi se ajo këndonte. Ajo nxori nga shpirti të gjitha gjamat e lashta të burrave, të shtresëzuara në shpirtin e saj. Vargjet, që më ngjanin me një ninullë, i ktheu në gjamë përgjërimi, e cila kalonte thellë në kohë, deri te gjama përgjëruese e Demetrës për vajzën e saj, Persefonën, në Misteret e lashta të Eleusinës.
Supozova se Doruntia i kishte shkruar ato vargje të ninullës ashtu siç autorët e mëdhenj zakonisht lënë diçka në veprën e tyre, që mund të shërbejë si lëndë e parë për t’u përpunuar. Dhe kur përballë kësaj lënde të parë ke një regjisor kreativ dhe një aktore që zhytet në thellësitë shpirtërore mitike, ndodhin mrekulli të tilla. Kushtrimi dhe Edona, atë lëndë të parë, ashtu si skulptori që një cope shkëmbi ia zbulon zemrën dhe krijon skulpturën e tij, duke bërë që edhe guri i ngurtë të rrezatojë dritë e ndjenja, e shndërruan në një mini-ritual udhëtimi në kohë.
Përnjëherë, trupi i Edonës u shndërrua në një pëlhurë projektimi. Atë kor që unë e përfytyroja, Kushtrimi e projektoi në trupin e Edonës. Edhe pse ishin figura të projektuara, Edona i përjetonte sikur të ishin gaca zjarri që vizatonin vraga në trupin e saj. Ato gaca dukeshin sikur po bënin tatuazhe në lëkurën e saj. Prandaj doli edhe ajo gjamë aq e thellë, që buronte diku nga thellësitë e kohëve të lashta.
Ndjeva se ajri në sallë ndryshoi. Ndjeva se Edona më mori për dore dhe më zhyti në oqeanin e saj të dhembjes! I pafuqishëm për të rezistuar, nuk dija si të reagoja. Unë nuk mund të marr frymë nën ujë; si ishte e mundur që ajo të jetonte aq lirshëm nën ujin e atij oqeani? Ajo më udhëhoqi deri në fund të oqeanit, ku më përplasi në disa shkëmbinj nënujorë. Po, më përplasi në disa thepa, çuka e kreshta! I kërkova ndjesë për mëdyshjen time dhe iu luta të më lejonte të dilja nga ajo botë. Dhe ashtu ndodhi: ajo e mbaroi këngën/gjamën!
Dhe unë isha përsëri aty, në sallën e teatrit, ulur, me një ndjenjë të thellë turpi. Ndjeja turp nga mendimi se mund të perceptohesha si pjesë e atij kori që e kishte dënuar pa mëshirë një krijesë të tillë, madje më shumë sesa gjatë aktit kur asaj i ishte vrarë shpirti. U mundova ta qetësoja frymëmarrjen dhe sikur ndieja edhe dhimbje fizike nga përplasja në ata shkëmbinj, të cilët nuk besoja se ekzistonin në oqeanin e Lumes.
Edona, me një zhdërvjelltësi të veçantë, e zhvendosi telin me pajën në një pozicion tjetër. Nuk i kisha numëruar zhvendosjet (ripozicionimet) e telit, por, pasi u përmend ditëlindja e vajzës, mendova se çdo zhvendosje e telit nënkuptonte një vit të kaluar që nga lindja e saj. Gjyshja e vështronte çdo ripozicionim të telit. Në atë vështrim të saj lexova: “Të kuptoj, moj bijë, por nuk mund të të ndihmoj”.
Irenë Aliu dukej sikur të ishte shkëputur nga filmi japonez “Balada e Narajamës”. Ishte pikërisht natyralizmi i saj ai që i bënte kundërpeshë të saktë jetës (prushit shpirtëror) skenike të Lumes. Kur jeta e Lumes ngarkohej nga emocionet që i riktheheshin në kujtesë, Gjyshja ia kundërpeshonte ato emocione me humor të këndshëm. Sepse, fundja, duhet një thellësi shpirtërore e përshkuar nga autoironia për të kundërpeshuar një traumë aq të madhe. Dhe Irena e realizonte me shumë saktësi këtë baraspeshë.
Paraqitja e Dilës (Albina Krasniqi) në skenë më ktheu te përshtypja e parë që kisha pasur kur pashë ambientin skenik. Po, ja, kjo qenka Pulëbardha, thashë me vete. Por një pulëbardhë ndryshe! Jo si ajo e Çehovit, por shumë më e bardhë, me pupla pafajësie. Albina, me paraqitjen e saj, iu bë krah ndihmës Irenës përballë prushit shpirtëror të Edonës dhe skena u balancua. Si aktore e re, ajo solli pikërisht pafajësinë në atë ambient ku e kaluara e kishte ngulfatur të tashmen dhe as që e lejonte të mendohej e ardhmja.
Albina, me sinqeritetin e vashës që sapo hyn në fazën e maturisë, nuk lejon që jeta e saj të mbetet peng i së kaluarës. Ajo këmbëngul që t’i mundësohet të jetojë jetën e vet, duke qenë e gatshme t’u paraprijë të panjohurave që mund ta presin. Por pa bagazhin e mëkateve të së kaluarës. Ajo pret që dikush t’i shohë sytë e saj ndryshe nga mënyra se si i sheh nëna e saj. Ajo thjesht dëshiron të jetojë.
Por Lumes i duhej edhe katarsisi i fundit, që të mund t’i shihte ndryshe sytë e vajzës së vet. Ky katarsis vjen përmes takimit me Ujkun (Armend Smajli), i cili ia ka lënë ata sy si trashëgimi. Armendi, në skenë, m’u duk si Trigorini në çastin kur takon Ninën. Me elegancë skenike, ai u imponua si ujku që vështron qengjin. Por, sado që ai do të dëshironte që skena të zhvillohej në kontekstin kohor të asaj kohe kur ai e kishte dominuar situatën, kjo nuk ndodh. Sepse Lumja, tani, përballë tij, nuk është më viktima e asaj kohe të kaluar. Ajo tashmë e luan skenën si një ritual ekzorcizmi, gjatë të cilit i shkul nga vetja edhe fijet e fundit të hijes së zezë që ai ujk kishte mbjellë brenda saj.
Dhe ia del! Arrin ta pastrojë veten, ashtu siç, në mënyrë figurative, ia pret thonjtë e këmbëve Gjyshes. Ujku detyrohet të largohet, sepse sheh se në atë shtëpi ka shumë dritë. Ajo dritë vjen nga puplat e pafajësisë së Pulëbardhës (Dilës). Ai largohet sepse e sheh se, edhe pse biologjikisht Dila është e tij, drita që ajo rrezaton mund ta shkrijë, duke e lënë vetëm një njollë diku në qiell. Ai largohet sepse nuk ka vend në atë dritë që Dila, e tashmë edhe Lumja, rrezatojnë. Lumja arrin t’i shohë sytë e vajzës së vet me gjithë shkëlqimin e tyre. Dhe ia uron ditëlindjen.
Pas duartrokitjeve në sallë, u largova ngadalë, me ndjesinë se edhe unë isha çliruar nga diçka brenda vetes, edhe pse nuk e dija se çfarë mund të kishte qenë ajo. Ndjeva lehtësim. Kuptohet, kolegëve të shfaqjes nuk i urova për shfaqjen, por i falënderova. Natyrisht, edhe Doruntinës i shkrova për ta falënderuar për këtë përjetim.
Ju faleminderit!