Derisa iknin nga përndjekja e ushtrisë serbe, prindërit vendosën ta hidhnin foshnjën në borë duke shpresuar se i jepnin një mundësi mbijetese. Foshnja gati e ngrirë, që u shpëtua nga një kalimtar, ishte gjyshi im.
E njëjta skenë përshkruhet te romani Plagët i Murat Isakut. Selman Kërdhëraku e gjen në borë foshnjën e mbështjellë me gëzof dhe e pagëzon Eng Humbalaqi. Eng – shurdhmemec dhe humbalaqi – i humburi.
Një skenë e ngjashme përshkruhet edhe në romanin “Shtëpia e kujtesës dhe e harresës” nga Filip Davidi, i cili ndërroi jetë para ca ditësh. Shkaku i qëndrimeve kundër nacionalizmit serb, ai u shpall “tradhtar”, por më vonë u vlerësua si njëri nga pjesëtarët e “vertikales morale të Ballkanit”…
Derisa deportohen në kampe përqendrimi, prindërit i hedhin fëmijët nga “treni i vdekjes”. Shpresojnë se u japin një mundësi mbijetese. Këtu fillon edhe drama e protagonistit Albert Vajs, të cilin, bashkë me vëllanë më të vogël Elihaja, prindërit e hedhin nga treni. Pasi nuk arrin ta gjejë vëllanë, Vajsi vuan nga ndjenja e fajësisë pa bërë faj. I gjendur në “Ishullin e vdekjes”, mes skeleteve të kafshëve, ku vëllai i fanitet në formë zogu, Vajsi për herë të parë në jetë e ndien edhe praninë e vdekjes.
Vajsi nuk urren askënd, por kujtesën e ka të rënduar me kujtime të trishta, kurse zemrën e ka të mbushur me pikëllim. Në ëndërr e dëgjon fishkëllimën e trenit, si metaforë e deportimit dhe e vdekjes. Në kujtesë e ka të fiksuar çastin kur prindërit i lënë fëmijët rrugëve, bashkë me një letër ku është shënuar identiteti i tyre.
“Afër hekurudhës përherë e më shpesh gjeja mesazhe në gjuhë të ndryshme të shkruara në copa letrash, të hedhura nga të çarat e vagonëve, të cilat i drejtoheshin dikujt. Më vonë mora vesh se ku shkonin trenat dhe cilët transportonin”. (Filip David, Shtëpia e kujtesës dhe e harresës, përktheu Xhelal Fejza, Times, Tiranë, 2016).
Skenën me trenat e vdekjes e kemi parë edhe gjatë deportimit të shqiptarëve të Kosovës. E keqja përsëritet në kohë e vende të ndryshme…
Të gjendur në situatë pa shtegdaljeje, njerëzit që kishin besuar se jetonin në një botë të rregulluar, tash kërkojnë mënyra mbijetese. Ata mbështeten te tradita e kabalas dhe misticizmit. I mbyllin sytë që të harrojnë. Kalojnë në një përmasë tjetër. Larg botës së trishtë dhe të dehumanizuar. Shpikin një botë ku nuk arrijnë xhelatët anonimë që vrasin në emër të ideologjisë. Mosprania, padukshmëria dhe zotërimi i vetvetes mundësohet nëpërmjet simboleve dhe duke e humbur identitetin.
Në këtë roman, tmerri i (pas) luftës paraqitet nëpërmjet jetëshkrimeve të miqve të Albert Vajsit: Solomon Levit, Misha Volfit dhe Urijel Koenit. Çdo jetëshkrim është dramë personale dhe kolektive. Protagonistët janë në kërkim të identitetit të humbur. Disa e kuptojnë vonë se çfarë emrash kishin dhe kush ishin prindërit e tyre biologjikë. Për të mbijetuarit lufta nuk përfundon kurrë…
Albert Vajsi, tani i plakur, derisa shëtit rrugëve të Nju Jorkut lexon mbishkrimin: “Shtëpia e kujtesës dhe e harresës”. Aty mund të pijë pilulat e harresës, të harrojë gjithçka dhe të çlirohet nga kujtesa historike. Vajsi është në dilemë: të kujtojë ose të harrojë. Vendos të kujtojë, sepse duke harruar, ai nuk është askush. Kështu kujtesa bëhet më e tmerrshme se harresa…
Personazhet nuk mund ta rrëfejnë dhe ta zbërthejnë as shkakun e së keqes.
“Duhej shpikur gjuhë e re kur të flitej për të keqen, sepse e keqja s’mund të rrëfehet me mënyrën tonë të të folurit dhe të të menduarit… E keqja është kozmike, irracionale, e pandalshme”…
Nga e sipërthëna mund të arrijmë në përfundimin se “Shtëpia e kujtesës dhe e harresës” është roman mbi traumat e përhershme të të mbijetuarve të luftës, mbi të keqen universale dhe mbi “banalitetin e ligësisë” [Hannah Arendt].
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre