KSHZ: Stojanço Radiçevski dhe Arkin Jahiji shkojnë në raundin e dytë për kryetar të Komunës së Bërvenicës më 1 nëntor

Stojanço Radiçevski nga koalicioni “Maqedonia Jote”, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, dhe Arkin Jahiji nga “Aleanca Kombëtare për Integrim” do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, i cili do të mbahet më 1 nëntor, transmeton Portalb.mk.

Kjo vjen pasi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), në mbledhjen e 23-të të mbajtur sot, miratoi njëzëri konkluzionin për përfundimin e rezultateve të raundit të parë, të mbajtur më 18 tetor.

Kryetari i KSHZ-së, Bojan Mariçiq, informoi se procesi zgjedhor ka kaluar pa ankesa të paraqitura.

“Kanë përfunduar të dy afatet për paraqitjen e ankesave: ai për procedurën e votimit, i cili përfundoi dje në orën 19:00, dhe ai për procedurën e përcaktimit dhe përmbledhjes së rezultateve të votimit, i cili zgjati deri sot në orën 12:30. Deri në përfundimin e këtyre dy afateve, në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve nuk është paraqitur asnjë ankesë”, njoftoi Mariçiq.

Sipas rezultateve fillestare zyrtare të publikuara nga KSHZ-ja një ditë pas votimit, kandidati i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “Maqedonia Jote”, Stojanço Radiçevski, ka marrë 2.945 vota, ndërsa Arkin Jahiji nga “Aleanca Kombëtare për Integrim” (AKI), i cili u rendit i dyti, ka fituar 2.152 vota.

Në vendin e tretë në zgjedhje u rendit kandidati i VLEN-it, Jakup Huseini, me 1.529 vota ose 20,19 përqind, ndërsa në vendin e katërt ishte Jovica Radeski nga LSDM-ja dhe koalicioni, me 707 vota ose 9,34 përqind.

Në vendin e pestë doli Dushan Bogdanovski, nga grupi i zgjedhësve, me 57 vota, ndërsa në vendin e gjashtë ishte kandidatja Arife Idrizi, po ashtu nga grupi i zgjedhësve, e cila fitoi 21 vota.

Zgjedhjet e parakohshme lokale në Bërvenicë u mbajtën pasi më 23 qershor 2026, në moshën 58-vjeçare, ndërroi jetë kryetari i atëhershëm i komunës, Jovica Ilievski.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve RMV (KSHZ)Komuna e Bervenicës