Den Donçev shëtitet nëpër botë, ndërsa policia e kërkon pa lëshuar fletarrest ndërkombëtar

Ish-drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Den Donçev, ndaj të cilit së fundmi është ngritur kallëzim penal për keqpërdorime në shëndetësi, nuk ndodhet në Maqedoni, por as nuk kërkohet me fletarrest ndërkombëtar. Ndërkohë, në profilin e tij privat në Facebook ai publikon fotografi nga vende të largëta, transmeton Portalb.mk.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) konfirmojnë se Donçevi është  “i paarritshëm për organet e ndjekjes dhe se po ndërmerren masa për gjetjen e tij“. Ndërkaq, nga Prokuroria për “Slloboden Peçat“ konfirmojnë se deri në këtë moment nuk është kërkuar lëshimi i fletarrestit.

“Prokuroria po ndërmerr veprime në procedurë të shkurtuar ndaj të dyshuarit. Duke pasur parasysh veprimet e ndërmarra, Prokuroria deri në këtë moment nuk ka kërkuar lëshimin e fletarrestit”, thonë nga Prokuroria për “Slloboden Peçat“.

Në fund të tetorit, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se ndaj Donçevit dhe 10 personave të tjerë është ngritur kallëzim penal. Me këtë rast, u arrestuan tetë persona, por jo edhe Donçevi.

Emri i tij u shfaq pothuajse në të gjitha mediat si i dyshuari i parë për keqpërdorimet, përkatësisht për rastin kur në një spital privat në Shkup ndërhyrjet okulistike paguheshin dyfish.

Nga 3.000 deri në 4.000 pacientë i paguanin ndërhyrjet privatisht, por spitali merrte para edhe nga Fondi.

Në këtë mënyrë, buxheti i Fondit u dëmtua për 1,7 milionë euro, me të cilat paguheshin fatura fiktive, ndërsa spitali privat përfitoi 4,25 milionë euro.

Kryetarit të Bordit Drejtues të spitalit privat, biznesmenit Bilal Kara, si dhe pronares, u janë caktuar masa kujdesi. Ata nuk guxojnë ta lëshojnë vendin dhe janë të detyruar të paraqiten rregullisht në gjykatë.

Donçevi ndiqet konkretisht për veprën penale “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, nga neni 353, paragrafi 5. Megjithatë, duke qenë se dyshohet për një vepër të kryer në vitin 2020, për të vlen ligji më i butë, përkatësisht ndryshimet kontroverse të Kodit Penal të vitit 2023.

Sipas ndryshimeve të Kodit Penal të vitit 2023, për veprën penale për të cilën ndiqet Donçevi parashihet dënim maksimal me burg deri në pesë vjet. Kjo do të thotë se parashkrimi absolut i ndjekjes penale ndodh pas kalimit të një periudhe dy herë më të gjatë se dënimi maksimal i paraparë, përkatësisht pas dhjetë vjetësh.

Meqë vepra, sipas dyshimeve, është kryer në vitin 2020, ndjekja penale do të parashkruhej në vitin 2030. Afati llogaritet nga koha e kryerjes së veprës, e jo nga momenti kur institucionet e kanë zbuluar ose kanë filluar ta hetojnë atë.

Donçevi në të kaluarën ka qenë objekt i disa hetimeve, kallëzimeve penale dhe procedurave kundërvajtëse. Emri i tij është përmendur në aferën “Reket 2”, rastin “Diamed”, ndërsa menjëherë pas dorëheqjes së tij, në internet u publikuan video dhe incizime audio ku shihet Donçevi duke marrë para dhe duke i vendosur në një çantë.

Këto incizime u ndërlidhën me dyshimet për marrje ryshfeti. Në atë kohë, Donçevi pretendonte se incizimet ishin të vjetra, private dhe të nxjerra jashtë kontekstit.

Në vitin 2020, Prokuroria Publike hapi procedurë parahetimore pasi në opinion u bë e ditur se Donçevi, gjatë kohës kur ishte drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH), kishte marrë mbi 50.000 euro për shërbime konsulence nga kompania australiane „Megantik“, përmes një kompanie bijë të saj në Murino të Strumicës.

Deri më tani nuk është bërë publike se ndaj tij është ngritur aktakuzë për ndonjë vepër penale.

Fondi i Sigurimit Shëndetësor RMV