“Qyteti i Sigurt” edhe në Manastir, Shtip dhe Strumicë

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, paralajmëroi zgjerimin e sistemit “Qyteti i Sigurt” edhe në Strumicë, Shtip dhe Manastir. Sipas tij, sistemi në Strumicë pritet të fillojë zyrtarisht të zbatohet në javën e parë të dhjetorit. Më pas, aktivitetet do të vazhdojnë në rajonin e SPB-së së Shtipit, ku pritet të përfundojnë deri në fund të këtij viti. Në fund mbetet Manastiri, lidhja e të cilit me sistemin qendror, sipas ministrit, do të kërkojë edhe një muaj deri në një muaj e gjysmë, transmeton Portalb.mk.

Toshkovski pret që deri në shkurt sistemi “Qyteti i Sigurt” të vendoset në të gjithë territorin e shtetit.

Sistemi filloi punën provuese më 1 dhjetor 2025. Në këtë fazë, kamerat regjistronin kundërvajtjet, ndërsa pronarët e automjeteve merrnin njoftime. Sanksionimi zyrtar filloi më 1 shkurt 2026.

Në fazën e parë, sistemi u aktivizua në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, si dhe në Korridoret 8 dhe 10. Më pas, u zgjerua në rajonin e SPB-së së Velesit, që përfshin Velesin, Kavadarin, Negotinën dhe Demir Kapi-në.

Që nga 12 tetori, sistemi funksionon edhe në rajonin e SPB-së së Ohrit, përkatësisht në Ohër, Strugë, Kërçovë dhe Dibër.

Shpejtësia do të matet edhe nga automjetet policore me kamera

Ai theksoi se vendosja e kamerave nuk është fundi i aktiviteteve, por pjesë e një plani më të gjerë për përmirësimin e sigurisë në komunikacion.

MPB-ja planifikon t’i pajisë automjetet policore me kamera që do të matin shpejtësinë gjatë lëvizjes, ndërsa në pikat kritike të trafikut do të vendosë edhe pajisje mobile.

Këtë e paralajmëroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke shpjeguar se analizat e deritanishme kanë treguar se kontrolli vetëm në lokacione të përcaktuara paraprakisht nuk mjafton për të arritur efektin e dëshiruar parandalues.

Sipas bilancit të fundit të përgjithshëm të publikuar nga MPB-ja, në periudhën nga 2 shkurti deri më 20 gusht 2026, sistemi ka regjistruar gjithsej 310.865 kundërvajtje në trafik. Prej tyre, plot 301.835 kanë të bëjnë me drejtimin e automjetit me shpejtësi mbi kufirin e lejuar.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)Pançe ToshkovskiQyteti i Sigurt safe city