Masa të vjetra në plan të ri për përmirësimin e ajrit në Shkup

Hartimi i një kadastri të oxhaqeve, ku do të përfshihen të gjitha lokacionet me emetime të substancave ndotëse në ajër nga industria, por edhe nga amvisëritë, është një nga masat e reja të parapara në Draft-planin për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Shkup. Në të rekomandohen edhe masa tashmë të njohura, si zgjerimi i rrjetit të ngrohjes qendrore, zvogëlimi i ngrohjes me lëndë djegëse fosile, elektrifikimi i transportit publik, si dhe zbatimi i teknologjive më të mira në dispozicion dhe kontrolli i industrisë, transmeton Portalb.mk.

Dokumenti, i cili po hartohet nga Qyteti i Shkupit dhe për herë të parë po punohet në një platformë digjitale, sot u prezantua për herë të parë para publikut. Sipas analizës së të dhënave të dhjetë viteve të fundit, të disponueshme përmes Sistemit Shtetëror Automatik të Monitorimit të Cilësisë së Ajrit Ambiental (DAMSQAA), ajri në Shkup çdo vit i tejkalon nivelet e lejuara të grimcave PM10 dhe PM2.5. Megjithatë, nga ana tjetër, të dhënat tregojnë edhe ulje të ndotjes për 40 deri në 50 përqind që nga viti 2015 e deri më sot.

Në plan analizohen tre shkaktarët kryesorë të ndotjes: komunikacioni, industria dhe amvisëritë. Parashikohen masa për të tria kategoritë, të cilat synojnë përmirësimin e cilësisë së ajrit, me afate konkrete dhe disa subjekte përgjegjëse për zbatimin e tyre, por pa përcaktuar qartë se cili institucion do të jetë përgjegjës për monitorimin e zbatimit të masave në të ardhmen. Në plan përfshihen vetëm propozime për burimet e financimit të masave.

Zgjerimi i sistemit të ngrohjes qendrore, heqja e sobave me dru dhe subvencionet për sistemet solare dhe pompat termike janë masat e propozuara për amvisëritë. Për uljen e emetimeve nga komunikacioni rekomandohet blerja e 100 autobusëve elektrikë, vendosja e një zone me emetime të ulëta në qendër të qytetit, zbatimi i sistemit BRT dhe zgjerimi i rrjetit të çiklizmit. Edhe masat për industrinë janë tashmë të njohura, siç janë forcimi i kontrolleve dhe nxitja e përdorimit të teknologjive më të mira. Plani përmend edhe masa investuese afatgjata, si sistemet për kompostimin e mbetjeve organike, zgjerimin e rrjetit të monitorimit, por edhe termocentralet me gaz për kogjenerim, të cilat i kishte paralajmëruar më herët edhe kryeministri Hristijan Mickoski.

Në dokument rekomandohen edhe masat e njohura afatshkurtra që mund të ndikojnë në uljen e ndotjes së ajrit, si larja më e shpeshtë e rrugëve, parandalimi i zjarreve, kontrolli i pluhurit nga kantieret e ndërtimit, pastrimi i rregullt i oxhaqeve dhe të tjera.

Draft-plani i ri, i cili pritet të jetë në fuqi nga viti 2027 deri në vitin 2031, është një bazë e mirë për përmirësime të mëtejshme, vlerëson Elena Nikollovska nga “Eko Svest”. Ajo thekson se dokumenti duhet të harmonizohet me ligjet e reja për cilësinë e ajrit dhe emetimet industriale, si dhe me dokumentet kombëtare të planifikimit. Gjithashtu, duhet të sigurohen kapacitetet financiare dhe teknike për zbatimin e tij.

“Njëkohësisht, konsiderojmë se masa për përdorimin e gazit fosil në amvisëri duhet të zëvendësohet me mbështetje për burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe efikasitetin energjetik, në përputhje me Ligjin e ri për Energjetikë, i cili mundëson zhvillimin e konsumatorëve aktivë dhe komuniteteve energjetike qytetare. Konsiderojmë se para miratimit të planit duhet të organizohen më shumë debate publike, në të cilat do të marrin pjesë ekspertë, institucione, qytetarë dhe palë të tjera të interesuara“, thotë Nikollovska.

Raporti më i fundit i Komisionit Evropian për përparimin e vendit drejt BE-së, konstaton se nuk ka asgjë të re, e as pozitive, lidhur me cilësinë e ajrit gjatë vitit të kaluar. Në analizën e Kapitullit 27 thuhet se administrata edhe më tej mbetet e pakualifikuar për punën që bën, kapacitetet janë të dobëta, ndërsa nuk ka përparim as në harmonizimin me legjislacionin evropian.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH)Ndotja e ajrit - ajër i ndoturQyteti i Shkupit