Numri më i madh i fëmijëve lindën në Shkup, ndërsa në komunën e Zërnovcit nuk ka lindur asnjë fëmijë. Pasi që edhe tremujori i parë, edhe tremujori i dytë i këtij viti sollën një tjetër “shuplakë” demografike, me rënie të numrit të fëmijëve të lindur gjallë dhe shtim natyror negativ në vend, është e qartë se edhe në fund të këtij viti, 2026, do të përballemi me një gjendje dëshpëruese demografike. Tetova dhe Kumanova e kanë humbur “epërsinë” si komuna me mbi 1.000 fëmijë të lindur gjallë, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Ulet numri i fëmijëve të lindur gjallë, në pjesën më të madhe të komunave ka më shumë të vdekur sesa të lindur
“Portalb”-i bëri një shqyrtim të detajuar të të dhënave demografike në bazën e të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës – cilat janë shifrat krahasuese për shtimin natyror dhe për fëmijët e lindur gjallë? Në fund të gjysmëvjetorit të dytë, pjesa më e madhe e komunave kanë shtim natyror negativ, që do të thotë se ka më shumë të vdekur sesa të lindur.
Në Shkup, shtimi natyror është -36, ndërsa shtimi më i theksuar negativ natyror është shënuar në Manastir, me -118, Aerodrom -62, Kumanovë dhe Prilep -59, Gostivar dhe Koçan -58, Veles -57 dhe Ohër -51.
Në komunat me numër më të madh banorësh, gjendja është ndryshe. Në Tetovë, në tremujorin e parë, gjendja ishte në “zonën negative”, me shtim natyror prej -18, ndërsa në fund të qershorit, në këtë komunë kishte 44 të lindur më shumë sesa të vdekur. E ngjashme është gjendja edhe në Strugë, ku deri në mars shtimi natyror ishte -37, ndërsa në fund të qershorit kaloi në 20. Në Kumanovë, si në tremujorin e parë, ashtu edhe në të dytin, ka më shumë të vdekur sesa të lindur, përkatësisht deri në mars -81, ndërsa në fund të qershorit -59. Në Kërçovë vazhdon trendi negativ i shtimit natyror, nga -80 në fund të marsit në -26 në fund të qershorit, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk. Edhe gjendja në Gostivar është me shenjë negative, -50, përkatësisht -58 në fund të tremujorit të dytë. Haraçina është në zonën e shtimit natyror pozitiv, me 32, përkatësisht 33 të lindur më shumë sesa të vdekur. Edhe në Çair ka trend pozitiv, me shtim natyror prej 12 në tremujorin e parë, i cili u rrit ndjeshëm në 92 në tremujorin e dytë. Edhe pse shifrat në nivel tremujorësh ndryshojnë, statistikat e përmbledhura në fund të vitit janë dëshpëruese.
Të dhënat e detajuara nga ESHS-ja tregojnë se në vitin 2025, për herë të parë në vend, numri i fëmijëve të lindur gjallë ra nën 16.000. Pothuajse të gjitha komunat përballen me rënie të numrit të fëmijëve të lindur gjallë gjatë periudhës së fundit pesëvjeçare. Tetova dhe Kumanova e kanë humbur epërsinë si komunat e vetme ku ka mbi 1.000 fëmijë të lindur gjallë.
Në komunën e Tetovës, në vitin 2021 kishte 1.025 fëmijë të lindur gjallë, ndërsa kjo shifër në vitet pasuese u ul në 822 në vitin 2025. Edhe në Kumanovë nuk lindin më mbi 1.000 fëmijë – në vitin 2025, numri u ul në 829. Para pesë vitesh, në Strugë kishte 543 fëmijë të lindur gjallë, ndërsa vitin e kaluar 474. Në Çair të Shkupit dhe në Haraçinë, gjatë periudhës së analizuar, shifrat nuk kanë ndryshuar ndjeshëm.
Të dhënat për gjendjen në fund të qershorit lënë të kuptohet se në horizont është edhe një vit tjetër në të cilin do të përballemi me një disfatë demografike.
“Në tremujorin e dytë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, numri i fëmijëve të lindur gjallë është 3.684 dhe është ulur për 3,0%. “Shtimi natyror është negativ dhe arrin në -1.005, që do të thotë se numri i fëmijëve të lindur gjallë është për kaq persona më i vogël se numri i personave të vdekur”, theksojnë nga Enti i Statistikës.
VMRO-DPMNE-ja në pushtet, në programin e saj parazgjedhor paralajmëroi një paketë masash për përballjen me krizën demografike, së bashku me një Strategji Kombëtare për Demografinë. Pas më shumë se dy vjetësh në pushtet, ky dokument ende nuk është miratuar, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
“Përcaktimi ynë është i qartë – në vend të politikës së frikës, po ndërtojmë politikë të rezistencës. Në vend të masave afatshkurtra, po krijojmë një strategji afatgjatë. Në vend të angazhimeve deklarative, po vendosim zgjidhje sistemore. Pikërisht për këtë arsye, kemi përgatitur Strategjinë e re për Rezistencën Demografike 2026–2046. “Jo si një dokument formal që do të mbetet në letër, por si një kornizë kombëtare për të ardhmen e shtetit”, deklaroi kryeministri në fillim të majit të këtij viti.
Ndërkohë, disa nga deputetët paralajmëruan iniciativa për ndryshime ligjore për përmirësimin e gjendjes financiare të nënave dhe familjeve me fëmijë.