Irani mohoi përfshirjen në komplotin për vrasjen e një biznesmeni në Greqi, ku dyshohet se u rekrutua një rrjet nga Maqedonia

Edhe pse autoritetet në Maqedoninë e Veriut dhe Greqi nuk e kanë zbuluar zyrtarisht identitetin e personit që ishte shënjestër e atentatit të planifikuar, sipas udhëzimeve të një shtetasi iranian, mediat greke, izraelite dhe perëndimore kanë publikuar një sërë informacionesh që hedhin më shumë dritë mbi rastin, i cili ka tërhequr vëmendje të madhe në rajon dhe më gjerë, raporton Deutsche Welle.

Sipas gazetës greke “Kathimerini”, duke iu referuar burimeve pranë hetimit, shënjestër e atentatit dyshohet se ishte një drejtor ekzekutiv izraelit i një kompanie me seli në Athinë. Ky informacion deri më tani nuk është konfirmuar zyrtarisht nga asnjë institucion, por është një nga versionet që përmenden më shpesh në mediat greke.

Detaje shtesë ka publikuar edhe mediumi izraelit “The Times of Israel”, i cili shkruan se shënjestër e mundshme mund të kenë qenë një ose më shumë biznesmenë izraelitë që jetojnë ose punojnë në Greqi. Sipas të njëjtit burim, autoritetet izraelite ishin informuar me kohë për kërcënimin, ndërsa personat që mund të ishin shënjestër ishin paralajmëruar të merrnin masa paraprake.

Dje, drejtorët e Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK), Bojan Hristovski, dhe të Byrosë për Siguri Publike (BSP), Aleksandar Janev, njoftuan se ishte zbuluar një rrjet prej gjashtë shtetasish të Maqedonisë së Veriut, të cilët kishin ndërmarrë aktivitete përgatitore logjistike për një atentat ndaj një personi në Greqi, sipas udhëzimeve të shtetasit iranian Edris Jahangiri Mavaneh. Në aksion janë arrestuar pesë persona, ndërsa i gjashti ende kërkohet. Gjatë bastisjeve janë gjetur armë, municion, telefona celularë, kompjuterë dhe materiale që lidhen me hetimin.

Mediat greke ditëve të fundit kanë publikuar analiza dhe informacione duke iu referuar burimeve të tyre, ku përmenden disa skenarë të mundshëm. Sipas disa raportimeve, shënjestër mund të ketë qenë një biznesmen grek me prejardhje hebraike. Në raportime të tjera thuhet se bëhet fjalë për një izraelit që drejtonte një kompani të madhe në Greqi, ndërsa një version i tretë i referohet një personi të lidhur me interesat izraelite në këtë vend. Megjithatë, asnjëri prej këtyre informacioneve nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet greke ose maqedonase.

Mediat në Greqi kanë raportuar gjithashtu se sulmi ishte planifikuar në mënyrë të tillë që të dukej si një përplasje mes grupeve të nëntokës kriminale ose larje hesapesh mes strukturave kriminale. Sipas analizave, në këtë mënyrë mund të fshihej lidhja e mundshme me rrjetet iraniane.

Në qendër të vëmendjes është edhe personi i arrestuar në Greqi. Mediat greke raportuan se bëhet fjalë për një shtetas 30-vjeçar të Maqedonisë së Veriut, i cili ishte shpallur person i padëshiruar për arsye sigurie. Gazeta “Kathimerini” shkroi se ai ishte arrestuar derisa po përpiqej të largohej nga Greqia përmes kufirit tokësor me Turqinë, në rajonin e Evrosit.

Vëmendje të veçantë tërhoqi informacioni i publikuar nga “The Times of Israel”, sipas të cilit në zbulimin e komplotit kishte ndihmuar edhe shërbimi izraelit i inteligjencës, Mossad. Sipas mediave izraelite, pikërisht bashkëpunimi ndërkombëtar mes shërbimeve të inteligjencës kishte mundësuar zbulimin me kohë të planeve dhe marrjen e masave para se të realizohej sulmi i mundshëm.

Agjencia amerikane AP dhe gazeta “The Washington Post” e vendosin rastin në kontekstin më të gjerë të aktiviteteve të rrjeteve proksi të Iranit jashtë Lindjes së Mesme. Ato rikujtojnë se Naxhi Sharifi Zindashti, me të cilin, sipas autoriteteve maqedonase, është i lidhur edhe shtetasi iranian Edris Jahangiri Mavaneh, gjendet në listën e personave të kërkuar nga FBI-ja, për shkak të dyshimeve se ka organizuar rrëmbime dhe atentate ndaj disidentëve iranianë jashtë vendit.

Agjencia Reuters, duke iu referuar burimeve të sigurisë greke, raportoi se njëri nga të arrestuarit tashmë ka dhënë informacione për kontaktet me organizatorët dhe takimet që kanë zhvilluar në Iran. Të njëjtat burime pretendojnë se një pjesë e anëtarëve të grupit kanë udhëtuar drejt Iranit, ku janë takuar drejtpërdrejt me kontaktin e tyre.

Agjencia greke ANA-MPA dhe ajo franceze AFP në raportimet e tyre theksojnë se operacione të tilla shpesh realizohen përmes grupeve kriminale nga vende të treta, me qëllim që të mjegullohet prapavija e vërtetë dhe të krijohet përshtypja se bëhet fjalë për një aksion kriminal dhe jo për një veprim me motive politike ose të inteligjencës.

Zëdhënësja e Policisë greke, Konstantina Dimoglidou, për televizionin shtetëror ERT deklaroi se për momentin nuk mund të konfirmojë zyrtarisht se kush ishte shënjestër e sulmit të planifikuar.

“Ne në Policinë greke nuk e dimë konkretisht se kush ishte shënjestër. Kjo është diçka që e di Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës dhe ai tashmë ka marrë masat e nevojshme”, tha Dimoglidou, duke shtuar se rrjedha e hetimit duhet të tregojë nëse bëhej fjalë për një vrasje të planifikuar të një personi konkret apo për një plan më të gjerë terrorist.

Drejtori i ASK-së, Hristovski, deklaroi se situata e sigurisë në Maqedoninë e Veriut mbetet stabile dhe se nuk ka informacione për aktivitete të planifikuara të rrjetit në territorin e vendit. Megjithatë, ai paralajmëroi se institucionet e sigurisë mbeten vigjilente për shkak të kërcënimeve më të gjera rajonale dhe globale që lidhen me strukturat proksi të Iranit.

Ambasada e Iranit në Athinë mohon përfshirjen

Ambasada e Iranit në Athinë sot i hodhi poshtë si të pabazuara pretendimet se Teherani ishte i përfshirë në planet e rrjetit terrorist në Maqedoninë e Veriut për kryerjen e një atentati në Greqi.

“Ambasada e Iranit në Athinë i hedh poshtë plotësisht si të pabazuara pretendimet mediatike se persona të lidhur me Iranin ishin të përfshirë në komplotin e pretenduar terrorist. Këto akuza janë pjesë e fushatës së njohur të Izraelit për denigrimin e Iranit, e cila zhvillohet përmes propagandës dhe luftës psikologjike. Bëhet fjalë për vazhdim të operacioneve të mëparshme me flamur të rremë, ndërsa akuzat nuk kanë asnjë bazë apo besueshmëri. I bëjmë thirrje publikut të jetë i kujdesshëm dhe të mos bie pre e taktikave të tilla manipuluese”, njoftoi ambasada iraniane.

GreqiaIraniMaqedonia e Veriut RMV