Fondi i Sigurimit Shëndetësor në Maqedoninë e Veriut njoftoi se brenda një viti, nga gjithsej 1.883 kërkesa të paraqitura dhe të shqyrtuara për fekondim të asistuar biomedikal (FAB), 237 kanë qenë për përpjekjen e katërt, të pestë ose të gjashtë, transmeton Portalb.mk.
Nga Fondi theksojnë se zgjerimi i së drejtës për FAB deri në gjashtë përpjekje, i cili më parë nuk mbulohej nga Fondi, tashmë po zbatohet në praktikë.
Rreth 12,6 përqind e të gjitha kërkesave të shqyrtuara gjatë vitit të parë pas ndryshimeve ligjore kanë qenë për përpjekjet shtesë.
Nga gjithsej 237 kërkesa, 216 kanë qenë për përpjekjen e katërt, 17 për të pestën dhe katër për të gjashtën.
Ndryshimet në Ligjin për Sigurimin Shëndetësor u publikuan në „Gazetën Zyrtare“ më 17 korrik 2025, ndërsa më 7 gusht të po këtij viti Komisioni për FAB mbajti mbledhjen e parë, në të cilën u shqyrtuan kërkesat për përpjekjen e katërt, të pestë dhe të gjashtë.
“Pas secilës prej këtyre shifrave qëndron një familje që ka fituar edhe një mundësi për të vazhduar aty ku më parë mbështetja sistemore përfundonte”, thuhet në njoftimin e Fondit.
Nga FSSh-ja bëjnë të ditur se, paralelisht me ndryshimet ligjore, janë përshtatur aktet e brendshme, procedurat dhe zgjidhjet teknologjike, me qëllim që e drejta e re të zbatohet pa pengesa.
Procedura është thjeshtuar më tej përmes dërgimit elektronik të njoftimit për miratimin e së drejtës për FAB, zgjatjes së afatit për ankesë nga tetë në 15 ditë, si dhe mundësisë që shërbimet shëndetësore për FAB të përdoren në bazë të njoftimit nga Fondi, pa pasur nevojë për udhëzim shtesë nga gjinekologu amë.
Për procedurat e FAB-it të kryera në tetë institucione shëndetësore me të cilat Fondi ka lidhur kontrata, gjatë vitit 2025 janë realizuar më shumë se 97,3 milionë denarë.
“Sistemi shëndetësor vetë nuk mund t’i ndryshojë trendet demografike, por mund të bëjë diçka shumë konkrete – të sigurojë më shumë mundësi dhe që pengesa financiare të mos jetë arsyeja për shkak të së cilës një familje do të duhet të heqë dorë para kohe nga përpjekja për të pasur fëmijë”, thonë nga FSSh-ja.
Ndërkohë, të dhënat për natalitetin tregojnë ulje të vazhdueshme të numrit të lindjeve në vend.
Sipas të dhënave statistikore, në vitin 2025 janë regjistruar 15.850 lindje të gjalla, që është 1,3 përqind më pak se një vit më parë. Në të njëjtën kohë, numri i të vdekurve ka arritur në 20.287 persona, duke bërë që shtimi natyror i popullsisë të jetë negativ.
- LEXO: Qeveria: Shteti do të mbulojë gjashtë fertilizime “in vitro” dhe do ndajë kuponë prej 250 eurosh për çdo student
- LEXO: Ligji liberal i RMV-së josh të huajt për fekondim in-vitro
- LEXO: Gratë paguajnë vetë: Ngrirja e qelizave vezë në RMV dhe Kosovë lejohet, por nuk financohet nga shteti (Infografik)