Kryeministri Albin Kurti i ka bërë “ofertë publike” Partisë Demokratike të Kosovës për t’ia kaluar ndryshimet e propozuara në ligjin për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Ai tha se, nëse PDK-ja zotohet se ia siguron të paktën gjysmën e votave të 22 deputetëve të saj për zgjedhjen e Bekim Sejdiut president të ri të Kosovës sonte, atëherë ai do t’ia sigurojë 62 vota nga partia e tij dhe partnerët e koalicionit qeverisës për kalimin e ndryshimeve në ligjin për Specialen.
Sejdiu ishte kandidat i një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje të Kurtit dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe u tërhoq muajin e kaluar, pasi gjashtë deputetë të LDK-së kundërshtuan garimin e tij.
Kurti tha në konferencë se Sejdiu mbetet kandidat dhe se i nevojiten gjysma e votave të PDK-së për ta siguruar praninë e nevojshme e të paktën 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende për zgjedhjen e tij në ditën e fundit të afatit kushtetues për emërimin e presidentit të ri.
Ai tha se tani pret përgjigje nga PDK-ja, meqë partia opozitare “nuk po dëshiron të takohet më me ne”.
“Bedri Hamza na ka kushtëzuar në mënyrë ultimative dhe refuzon të takohet”, tha ai Kurti.
Paraprakisht, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se nuk takohet me Kurtin dhe askënd për asgjë ka kaluar ndryshimet për ligjin i cili synon t’ia kufizojë kompetencat Gjykatës Speciale.
Kurti tha se “zotohet” se do t’ia votojë “të enjten qysh në mëngjes” PDK-së ndryshimet e propozuara për t’ia kufizuar kompetencat Speciales, duke argumentuar se duhet respektuar Nenin 85 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, i cili thotë se shqyrtimi i dytë nuk mund të bëhet më herët se 72 orë nga dita e miratimit në parim.
Ndryshimet kaluan në parim të hënën.
6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës; nëse Kuvendi dështon, ai shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Sot është, rrjedhimisht, edhe mundësia e fundit që kjo përbërje e Kuvendit t’i votojë në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Kjo në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit të ri dhe kur mbetet i papërfunduar edhe shqyrtimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës, Vigan Qorrolli, nga Lëvizja Vetëvendosje, bëri thirrje që të martën të votohet si presidenti i ri, ashtu edhe projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Sot nuk është dita për ta çuar shtetin në prapakthim: e votojmë presidentin dhe e votojmë projektligjin për Specialen, sepse të dyja janë pjesë e të njëjtit detyrim – t’i japim vendit institucione funksionale dhe vendimmarrje”, shkroi Qorrolli në Facebook.
Ai paralajmëroi për pasojat e dështimit për ta zgjedhur presidentin, që do të çonte në shpërndarjen e Kuvendit dhe në zgjedhje të parakohshme.
“Shkuarja në zgjedhje e lëndon Hagën dhe Republikën tonë”, tha Qorrolli, duke kritikuar mundësinë që partitë të mos arrijnë marrëveshje.
Nëse Kosova nuk e zgjedh presidentin sot, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
Por, kush do t’i shpallë ato?
Mandati gjashtëmujor i Albulena Haxhiut si ushtruese e detyrës së presidentit ka përfunduar, ndërsa Kushtetuta nuk e thotë qartë se kush i ushtron kompetencat presidenciale pas këtij afati.
Një paqartësi kushtetuese pikërisht në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit.
Presioni nga rruga pritet të vazhdojë edhe sot.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së u bëri thirrje protestuesve që të mblidhen sërish në mëngjes në sheshin e Prishtinës.
“Mëngjesi duhet të na gjejë të gjithëve në sheshin e Prishtinës”, thuhet në thirrjen e organizatës, e cila kërkon që Kuvendi ta përfundojë votimin e ndryshimeve për Specialen.
Protestat kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara dhe në mbështetje të ndryshimit të ligjit kanë nisur pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit më 16 shtator dhe kanë vazhduar për disa javë.