Nga rreth 77.000 qytetarë që kanë shprehur interesim për vaksinim kundër gripit sezonal, deri më tani janë vaksinuar rreth 21.000, përkatësisht pak më shumë se një e katërta. Ndërkohë, qytetarët që dëshirojnë ta blejnë vaksinën me shpenzimet e tyre nuk kanë një mundësi të tillë, pasi, siç thonë nga Qendra e Shëndetit Publik (QSHP), këtë vit nuk ka pasur furnizues të interesuar në tenderët për prokurimin e vaksinave komerciale, transmeton Portalb.mk.
Siç informojnë për Meta nga Ministria e Shëndetësisë, në numrin prej 21.000 qytetarësh të vaksinuar përfshihen edhe ata që janë paraqitur përmes platformës vakcinacija.mk dhe sistemit “Termini Im”, si dhe personat e përfshirë në vaksinimin në terren në shtëpitë e të moshuarve, qendrat e dializës dhe institucionet e tjera. Kjo do të thotë se rreth 56.000 qytetarë që kanë shprehur interesim ende nuk janë vaksinuar.
“Deri më tani në vend kanë arritur 30.000 vaksina, të cilat po përdoren për imunizimin aktual. Pritet që edhe 26.000 doza të tjera të arrijnë sot ose të hënën, e më pas edhe 30.000 të tjera, me çka sasia e përgjithshme do të arrijë në 86.000 vaksina”, thonë nga ministria.
Edhe pse numri i dozave të planifikuara është më i madh se numri i qytetarëve që deri më tani kanë shprehur interesim, vaksinimi po zhvillohet në varësi të sasive në dispozicion. Nga ministria shpjegojnë se terminet e reja për vaksinim hapen në përputhje me numrin e vaksinave që janë fizikisht në dispozicion në atë moment.
Këtë vit, për herë të parë, vonesa të pazakonta në procesin e vaksinimit kundër gripit sezonal janë shënuar edhe në vende të tjera evropiane. Siç njoftoi Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), shkak i vonesës është ndryshimi i të gjitha llojeve të virusit të gripit që janë përfshirë në vaksinat për këtë sezon.
“Njëkohësisht, ka vonesa edhe në furnizimin global me reagentë, i koordinuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Katër nga shtatë furnizuesit në tregun evropian kanë konfirmuar se presin vonesa në dërgesa, ndërsa tre të tjerët nuk kanë parashikuar vonesa të konsiderueshme”, thuhet në dokument.
Problem është edhe mungesa e vaksinave komerciale kundër gripit sezonal, të cilat qytetarët do të mund t’i blinin me shpenzimet e tyre. Nga ministria konfirmojnë se aktualisht nuk ka vaksina të tilla, pasi në procedurën e shpallur të tenderimit nuk është paraqitur asnjë furnizues i interesuar.
Muamet Demiri, drejtor i Qendrës së Shëndetit Publik, shpjegon për Meta se prokurimi i vaksinave komerciale realizohet në mënyrë të përbashkët për të gjitha qendrat e shëndetit publik, përmes Qendrës së Shëndetit Publik në Manastir. Sipas tij, në vitet e kaluara kompanitë kanë shprehur rregullisht interesim, por këtë vit situata është ndryshe.
“Çdo vit kishte kompani që paraqiteshin në tenderë, përveç këtij viti. Tenderi i dytë është shpallur para dy-tre javësh. Ndoshta nuk kanë pasur interesim, nuk mund t’i dimë arsyet. Detyra jonë është ta shpallim procedurën”, thotë Demiri.
Ai thekson se qendrat e shëndetit publik i marrin rregullisht vaksinat e destinuara për qytetarët që janë paraqitur përmes platformës vakcinacija.mk dhe se vaksinimi zhvillohet në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë. Për momentin mbetet e paqartë se kur do të jenë në dispozicion vaksinat komerciale, ndërsa dhjetëra mijëra qytetarë që kanë shprehur interesim për imunizim falas ende presin të vaksinohen.
Javën e kaluar, Instituti i Shëndetit Publik ka evidentuar pothuajse dyfish më shumë të prekur nga gripi, krahasuar me një javë më parë. Numri i të prekurve nga gripi dhe sëmundjet e ngjashme me gripin në Maqedoni është rritur për 90,2 për qind brenda vetëm një jave. Edhe pse vaksinimi filloi më 21 tetor, disa nga qytetarët që janë paraqitur për vaksinim ende presin termin. Në periudhën nga 26 tetori deri më 1 nëntor të këtij viti, në Maqedoni janë regjistruar 116 raste të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin, krahasuar me 61 raste në javën paraprake.