Punësimet e fundit në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës kanë nxitur reagime politike, partitë opozitare kritikojnë se në mesin e dhjetëra personave të punësuar nuk ka asnjë shqiptar. Nga ana tjetër, nga udhëheqësia në sektorin e shëndetësisë heshtin për këtë rast, shkruan Portalb.mk.
Nga BDI-ja opozitare përmes një konference për media kanë reaguar për punësimet, siç thonë të bëra në mënyrë monoetnike dhe përjashtimin e shqiptarëve nga e drejta e punësimit. Ata kanë kërkuar përgjegjësi nga përfaqësuesit shqiptarë në pushtet, si dhe hetim nga inspektoratet përkatëse dhe Prokuroria për të verifikuar kriteret dhe procedurat e punësimit.
Ata kanë theksuar se rreth 70 mijë shqiptarë të cilët gravitojnë në zonën që mbulohet nga ky institucion shëndetësor janë taksa pagues dhe duhet të respektohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat.
“90 me 0 është bilanci i punësimeve në këtë institucion. Një diskriminim i përmasave të tilla nuk mbahet mend në 50 vitet e fundit, madje as në ish-Jugosllavi, që në një institucion të tillë të mos gjendet asnjë shqiptar. Ndërsa sot kemi një shifër tronditëse: 90 punësime dhe zero shqiptarë. Sot jemi mbledhur këtu për ta alarmuar opinionin e gjerë dhe për të kërkuar përgjegjësi nga përfaqësuesit shqiptarë pa legjitimitet, të cilët po heshtin përballë këtij procesi të de-shqiptarizimit të Spitalit të Kumanovës. Gjithashtu, kërkojmë hetim institucional nga inspektoratet dhe Prokuroria për të zbardhur se si dhe mbi bazën e cilave kritere janë bërë këto 90 punësime, në një proces kaq jotransparent. 70.000 shqiptarët që gravitojnë në këtë zonë janë taksapagues dhe kanë të drejtë të kërkojnë hisen që u takon”, thanë nga BDI.
Për punësimet në spitalin e Kumanovës ka reaguar edhe këshilltari i AKI-së në Komunën e Kumanovës, Blerim Hyseni, i cili e ka paraqitur këtë rast si shqetësues. Ai ka ngritur pikëpyetje për barazinë dhe përfaqësimin e shqiptarëve në këtë institucion.
Ndërkaq, Elmi Aziri nga Lidhja Shqiptare, ka thënë se një institucion publik që u shërben të gjithë qytetarëve duhet të reflektojë edhe strukturën demografike të popullsisë që i shërben. Sipas tij, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk është privilegj, por parim kushtetues dhe detyrim institucional.
“Si është e mundur që nga 80 punësime të mos ketë asnjë shqiptar? Cilat kanë qenë kriteret dhe procedurat e punësimit? A është respektuar parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat? Kush mban përgjegjësi për këtë gjendje? Qytetarët shqiptarë nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë barazi, dinjitet dhe mundësi të barabarta. Institucionet publike nuk janë pronë e askujt. Ato janë institucione të të gjithë qytetarëve. Heshtja përballë një situate të tillë nuk është zgjidhje. Kërkohet transparencë, përgjegjësi institucionale dhe veprim konkret për të korrigjuar këtë disproporcion”, thotë Aziri.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari i VLEN-it Bilall Kasami, ka deklaruar se punësimet në institucione bëhen duke u bazuar në nevojat dhe mundësitë momentale, por edhe në marrëveshjet politike.
“Sa i përket Spitalit të Kumanovës është një gjendje momentale që e keqpërdor BDI, ne garantojmë që në spitalin e Kumanovës do të punësohen së paku 15 shqiptarë duke përfshirë staf mjekësor dhe staf teknik”, tha Kasami.
Portalb.mk ka kërkuar sqarime nga Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës lidhur me numrin e saktë të punësimeve, procedurat e ndjekura dhe respektimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, por deri në publikimin e këtij shkrimi nga atje nuk u përgjigjën.
Kujtojmë se në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.
Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.
Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, u miratua nga Qeveria më 7 prill dhe u dorëzua në Kuvend më 8 maj.
Gjatë shqyrtimit në Kuvend, opozita kërkoi që ligji të përmbajë kuota etnike dhe masa ndëshkuese për institucionet që nuk e zbatojnë atë. Në qershor, partitë opozitare dorëzuan 31 amendamente, ndërsa Lidhja Shqiptare paraqiti edhe një propozim-ligj të veçantë. Më 4 qershor, Komisioni për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Kuvend vendosi që propozim-ligji i Qeverisë të kalojë me shumicë të dyfishtë të thjeshtë, të njohur si “Badenteri i vogël”. Ndërkaq, më 16 korrik, propozim-ligji nuk u vu në votim në seancën plenare dhe procedura mbeti pa epilog.
Momentalisht Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat vazhdon të jetë i bllokuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
- LEXO: RMV, asnjë shqiptar në 80 punësimet e reja në spital
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë i bllokuar në Kuvend: Sali kërkon mbështetje, Dauti e fton në debat
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë nuk u vendos në votim, opozita vijoi me akuza
- LEXO: Me cilin Badenter (nuk) duhet të miratohet Ligji për përfaqësim të drejtë?