Komuna e Tetovës për vitin 2023 ka fshirë kërkesa për tatim në pronë në vlerë prej mbi 23 milionë denarësh (mbi 370 mijë euro). Këtë e ka konstatuar Enti Shtetëror i Revizionit. Derisa BDI-ja opozitare akuzon për keqpërdorime, komuna hesht, shkruan Portalb.mk.
Në raportin mbi efikasitetin e masave dhe politikave për administrinmin e tatimeve, taksave dhe tarifave lokale, Enti Shtetëror i Revizionit ka zbuluar një sërë paregullsish, mes të cilave edhe në Komunën e Tetovës.
Revizioni tregon se edhe pse Komuna e Tetovës ka miratuar Vendim për përditësimin dhe harmonizimin e kërkesave dhe detyrimeve, me të cilin Këshilli i Komunës e ngarkon Sektorin për çështje financiare që t’i përditësojë dhe harmonizojë kërkesat dhe detyrimet, në përputhje me dispozitat ligjore, në vendim nuk është përcaktuar shuma e kërkesave në bazë të tatimit në pronë dhe taksave komunale që duhet të fshihen.
“Gjithashtu, vendimi është miratuar pa propozim nga komisioni i regjistrimit për fshirjen e kërkesave, i cili do të duhej të përmbante arsyetimin për fshirjen e tyre, siç janë vjetërsimi i kërkesave ose pamundësia për arkëtimin e tyre.”, thonë nga Revizioni.
Revizioni thotë se kjo nuk është në përputhje me nenin 31-v të Rregullores për kontabilitetin për buxhetet dhe shfrytëzuesit buxhetorë.
“Nga shqyrtimi i gjendjes së kërkesave të evidentuara në softuerin LTAS më 31.12.2022 dhe i atyre të evidentuara në softuerin e ri Komuna për vitin 2023, rezulton se vetëm në bazë të tatimit në pronë janë fshirë kërkesa në vlerë 23,3 milionë denarë”, thuhet në raportin e Revizionit.
Për këtë reaguan nga Bashkimi Demokratik për Integrim opozitar, të cilët kërkojnë që kreu i Komunës së Tetoovës, Bilall Kasami të japë llogari institucionale dhe politike për funksionimin e administrimit financiar dhe kontrolleve të brendshme gjatë mandatit të tij.
“Neni 353 i Kodit Penal – Keqpërdorimi i pozitës dhe autorizimit zyrtar. Mund të shqyrtohet nëse një person zyrtar, përmes përdorimit të pozitës ose moskryerjes së detyrës, i ka siguruar dikujt përfitim të kundërligjshëm ose i ka shkaktuar dëm Komunës. Kjo mund të lidhet me fshirjen e kërkesave, anulimin e detyrimeve me “storno”, kompensimet dhe cesionet ose favorizimin eventual të debitorëve të caktuar. Kualifikimin penal e përcaktojnë Prokuroria dhe gjykata në bazë të provave. Raporti i revizionit nuk e zëvendëson hetimin penal, por gjetjet kërkojnë sigurimin e dokumenteve dhe verifikimin e përgjegjësisë së personave që kanë urdhëruar, autorizuar ose realizuar këto veprime”, thanë nga BDI.
Portalb.mk kërkoi sqarime se pse ka ndodhur kjo, por nga Komuna e Tetovës nuk u përgjigjën.
Revizioni mes tjerash ka konstatuar se Komuna e Tetovës, në Programin për rregullimin e tokës ndërtimore, parashikon mundësinë e pagesës së kompensimit me këste vetëm me paraqitjen e garancisë bankare. Megjithatë, nga shqyrtimi i mënyrës së arkëtimit të kompensimit, revizioni konstatoi se për llogaritjet e lëshuara për kompensimin për rregullimin e tokës ndërtimore, komuna ka lidhur marrëveshje për kompensim, gjë që nuk është në përputhje me Ligjin për qarkullimin pagesor, i cili parashikon se pjesëmarrësi në qarkullimin pagesor nuk mund të kryejë pagesë përmes kompensimit nëse ka llogari transaksionale të bllokuar.
Raportin e plotë të Revizionit mund ta lexoni KËTU.