Me mesazhe për rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit dhe kontrolleve të rregullta shëndetësore, në Tetovë u organizua ecje ndërgjegjësuese nga shoqata “Për Tetovën”. Përmes këtij aktiviteti u bë thirrje që gratë të kujdesen më shumë për shëndetin e tyre dhe të mos i neglizhojnë kontrollet parandaluese. Megjithatë, përfaqësuesit e shoqatës theksuan se fushatat sensibilizuese nuk mjaftojnë pa angazhim konkret të institucioneve për të lehtësuar qasjen në shërbimet shëndetësore, shkruan Portalb.mk.
Narta Kasa Iseni nga shoqata “Për Tetovën” theksoi se organizimet e tilla kanë për qëllim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe zbulimit të hershëm të sëmundjes. Sipas saj, fushatat ndërgjegjësuese ndër vite kanë dhënë rezultate, ndërsa aktivitetet e përbashkëta u mundësojnë grave të shkëmbejnë përvoja dhe të inkurajojnë njëra-tjetrën për t’u kujdesur për shëndetin.
“Në mbledhime të tilla gjithkush diskuton për temën për të cilën është mbledhur. Ndajnë përvoja, japin mendime, sugjerojnë edhe hapat e radhës. Prandaj, secila, kur kthehet në shtëpi, ndoshta e kujton se në cilën ditë ta marrë hapin e radhës për të bërë një kontroll”, tha Kasa Iseni.
Ajo theksoi se ndonëse gjatë muajit tetor shtohen aktivitetet ndërgjegjësuese dhe interesimi për kontrolle, kujdesi për shëndetin e grave nuk duhet të kufizohet vetëm në këtë muaj. Sipas saj, krahas fushatave, nevojitet edhe angazhim më i madh i institucioneve shëndetësore.
“Është e rëndësishme që të bëhen apele gjithmonë, mirëpo është e rëndësishme që të bëhen apele edhe te institucionet përkatëse, te Ministria e Shëndetësisë, se ndonjëherë nuk mjaftojnë vetëm kampanjat sensibilizuese, por duhet të gjejnë metoda të tjera për t’i afruar pacientët ose të gjitha gratë te mjekët”, tha Kasa Iseni.
Ajo kritikoi mungesën e hapave konkretë institucionalë për këtë çështje, duke theksuar se shumë gra nuk i kryejnë rregullisht mamografitë për shkak të mungesës së informacioneve, pajisjeve dhe metodave të diagnostikimit në spitale, por edhe për shkak të pritjeve të gjata.
Kasa Iseni u bëri thirrje grave që të jenë më këmbëngulëse në kryerjen e kontrolleve, pavarësisht pengesave me të cilat përballen. Njëkohësisht, kërkoi nga institucionet që të gjejnë mënyra për t’i afruar shërbimet shëndetësore te qytetarët.
“Me të vërtetë besojmë që detektimet e hershme kanë treguar rezultate shumë të mira në kurimin dhe trajtimin e sëmundjes”, përfundoi Kasa Iseni.
Në Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar janë diagnostikuar një mijë paciente me kancer të gjirit, ndërsa aktualisht shtatë mijë pacientë me sëmundje onkologjike janë në trajtim aktiv në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë në Shkup.
Pas shifrave dhe fushatave të tetorit rozë qëndrojnë probleme të pazgjidhura me vite, pritje me orë për terapi, mungesë e stafit, shërbime të përqendruara në Shkup ndërsa skriningu që mbulon vetëm një pjesë të vogël të grave.