- Autore: Lejla Beqiri
Aty ku dikur punoheshin tokat e fshatit, sot po ngrihet një mal me mbeturina. Në vendin e njohur nga banorët si “Korizë”, afër stadiumit të fshatit Nerasht të Komunës së Tearcës, është krijuar një deponi e egër, banorët ankohen, autoritetet përgjegjëse thonë se do të marrin masa por jo tani, shkruan Portalb.mk.
Banorët e papërgjegjshëm ndër vite e kanë krijuar “malin” me mbeturina duke hedhur gjithçka, nga mbeturinat e zakonshme shtëpiake, deri te ambalazhet plastike dhe mbetje ndërtimore. Me rritjen e temperaturave, era e rëndë është bërë e padurueshme për banorët e shtëpive më të afërta.
Ende më keq, në vend që të pastrohet, deponisë i vihet zjarri për t’u ulur sasia e mbeturinave me qëllim që të mbushet sërish. Tymi i djegies i helmon vendasit.
“Natyra po zbehet para syve tanë. Era e rëndë është bërë e padurueshme, ndërsa sa herë që i vendoset zjarri mbeturinave, tymi i zi e i dëmshëm na zë frymën,” tregon një i moshuar i fshatit Nerasht.
Ndotja ndikon keq edhe në tokat bujqësore përreth, duke i dëmtuar kafshët dhe vendin.
“Këtu dikur ishte qejf të kalosh rrugën. Kurse tash, mundohemi sa më shpejt të kalojmë, shkak i erës së keqe”, tregojnë fshatarët.
“Kjo deponi jo vetëm që po e shëmton pamjen e fshatit, por edhe po shkakton ndotje serioze që po përhapet çdo ditë e më shumë. Kjo gjendje duhet të marrë fund sa më parë dhe autoritetet duhet të ndërmarrin hapa konkretë për ta përmirësuar këtë aspekt”, thotë Fadil Xhaferi, banor i fshatit Nerasht.
Banorët e revoltuar kërkojnë nga Komuna e Tearcës reagim të menjëhershëm. Kërkesa e tyre është pastrimi i hapësirës, rrethimi i saj dhe vendosja e gjobave për secilin që kapet duke hedhur mbeturina.
“Deponia shkakton ndotje të ajrit, tokës dhe ujit. Ajo sjell erë të pakëndshme, shtim të insekteve si dhe rrezik për shëndetin e banorëve, infeksione të ndryshme dhe probleme respiratore, sidomos te fëmijët. Banorët përballen me kushte më të këqija jetese dhe me rrezik nga zjari sidomos gjatë temperaturave të larta. U bëjmë apel institucioneve kompetente që të ndërmarrin masa urgjente për zgjidhjen e problemit të deponisë në fshat. Kjo situatë po rrezikon mjedisin, shëndetin dhe cilësinë e jetës së banorëve. Kërkojmë veprim konkret dhe një zgjidhje sa më të shpejtë”, shprehet Samet Ismaili, Kryetar i Bashkësisë Lokale – Nerasht.
Çfarë thonë autoritetet?
Nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë shprehen se gjatë dy viteve të fundit nuk kanë pasur asnjë rast të raportuar në lidhje me ndezjen e zjarrit në këtë deponi.
Nga ana tjetër, nga siç thonë nga Inspektorati Komunal i Komunës së Tearcës, për dy vite vetëm dy persona janë dënuar për hedhje të mbeturinave.
“Gjatë dy viteve të fundit, Inspektorati Komunal ka shqiptuar dy gjoba për persona të kapur duke hedhur mbeturina në këtë lokacion”, thanë nga Komuna për Portalb.mk.
Për parandalimin e ndotjes, Komuna dhe Inspektorati kanë vendosur një tabelë informuese me mbishkrimin “Ndalohet hedhja e mbeturinave” dhe pretendojnë se vazhdojnë monitorimin në terren.
Nga atje thanë se pastrimi i këtij lokacioni është planifikuar të realizohet në një periudhë të ardhshme, në përputhje me programin dhe mundësitë operative të komunës.
Sa i përket kërkesës së banorëve për rrethimin e hapësirës, Komuna tha se do ta shqyrtojë mundësinë që kjo gjë të realizohet gjatë këtij viti.
Nevojitet një reagim i koordinuar institucional
Metin Muaremi, aktivist ekologjik dhe drejtor i organizatës CED, në një deklaratë për Portalb.mk thotë se deponitë ilegale janë shqetësim serioz për gjithë rajonin.
“Problemi me deponitë ilegale në fshatin Nerasht, por edhe në të gjithë rajonin e Pollogut, është një nga shqetësimet më serioze për mjedisin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. Hedhja e pakontrolluar e mbeturinave dëmton hapësirat publike dhe shëndetin e banorëve. Shkaqet kryesore të kësaj gjendjeje janë mungesa e një sistemi qëndrueshëm për menaxhimin e mbeturinave dhe kontrollet e pamjaftueshme, gjë që bën që këto deponi të zgjerohen çdo ditë. Për ta zgjidhur këtë problem, nevojitet një reagim i koordinuar institucional për pastrimin e tyre, inspektime më të shpeshta, si dhe edukim më i madh i qytetarëve dhe brezave të rinj për mbrojtjen e mjedisit.” thotë ai.
Sipas tij, për zgjidhje të problemit, nevojitet një reagim i koordinuar institucional.
“Kërkohet një reagim i menjëhershëm dhe i koordinuar institucional për identifikimin, hartëzimin dhe pastrimin e këtyre deponive. Duhen inspektime më të shpeshta ndaj ndotësve, por edhe më shumë ndërgjegjësim e përgjegjësi nga i gjithë komuniteti,” thotë Muaremi.
Kujtojmë se në programin zgjedhor të kryetarit të Komunës së Tearcës, Daut Memishi në pikën 15 ka premtuar se do të kujdeset për pastërtinë publike.
Kujtomë se mbeturinat e Komunës së Tearcës do të duhet të hidhen në deponinë e re rajonale për rajonin e Pollogut, megjithatë procedura për ndërtimin e saj po zvarritet.