Komuna e Strugës njofton se realizimi i Korridorit VIII konsiderohet i domosdoshëm, duke u fokusuar veçanërisht në segmentin Trebenishtë – Qafë Thanë. Kryetari i komunës, Mendi Qyra, thotë se institucionet duhet të veprojnë në mënyrë të koordinuar dhe të përgjegjshme, duke u përpjekur të harmonizojnë nevojat zhvillimore me rekomandimet e UNESCO-s, çështje e trajtuar edhe në takimin e nivelit të lartë në Paris gjatë muajit shkurt, transmeton Portalb.mk.
“Realizimi i Korridorit VIII nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri për zhvillimin e Strugës, Maqedonisë së Veriut dhe gjithë rajonit. Ky projekt strategjik ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, ndërlidhjen infrastrukturore dhe perspektivën evropiane të vendit, dhe si i tillë paraqet prioritet të lartë. Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, është i vendosur se realizimi i segmentit Trebenishtë – Qafë Thanë është i domosdoshëm dhe duhet të vazhdojë. Ai thekson se institucionet duhet të veprojnë në mënyrë të koordinuar dhe të përgjegjshme, duke siguruar një zgjidhje që harmonizon nevojat zhvillimore me rekomandimet e UNESCO-s, çështje e trajtuar edhe në takimin e nivelit të lartë në Paris gjatë muajit shkurt”, thuhet në njoftim.
Komuna thotë se ka dhënë mendim pozitiv për projektin në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe ka mirëpritur iniciativën e kompanisë Bechtel Enka për organizimin e një takimi publik konsultativ që do të mbahet nesër në sallën e Këshillit të Komunës së Strugës në ora 12:00.
“Në funksion të transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve, Komuna mirëpret iniciativën e kompanisë Bechtel Enka për organizimin e një takimi publik konsultativ. Takimi publik do të mbahet nesër (e martë) në ora 12:00, në sallën e Këshillit të Komunës së Strugës”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, kryeministri Hristijan Mickoski tha se për shkak të UNESCO-s segmenti nga Trebenishta deri në Qafë Thanë prej 57 kilometrave tani për tani nuk do të ndërtohet. Kjo nënkupton se Struga nuk do të lidhet me autostradën Kërçovë – Ohër e cila me vite po zvarritet. Kjo çështje ka nxitur reagime të ashpra nga partitë opozitare, ndërkaq zëvendësministrja e Transportit premtoi se do të gjendet zgjidhje që ky segment të ndërtohet.
“Megjithatë, po kërkohet mënyra se si të përmbyllet edhe kjo tërësi, sepse hyn në perimetrin e UNESCO-s dhe këtu do të gjejmë një mënyrë që përsëri të kemi komunikacion të sigurt ndërmjet këtyre dy pjesëve dhe mendoj se do ta arrijmë këtë. Në këtë moment, me shumë gjasë, ende nuk është marrë vendimi përfundimtar, ende po negociohet dhe po diskutohet, por ka shumë gjasa që këtu të kemi ndryshime”, tha Mickoski.
Ndaj kësaj reaguan ashpër partitë opozitare shqiptare.
BDI thotë se edhe zyrtarisht u anulua Korridori 8, segmenti Trebenishtë-Qafë Thanë, që lidh Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë.
“Para një muaji kur e ngritëm këtë çështje thanë se është shpifje. Sot doli në shesh e vërteta. Edhe një projekt i anuluar, edhe një e drejtë e mohuar nga kjo qeveri. Një gjë u premtojmë, do të mbani përgjegjësi”, thanë nga BDI.
Nga ana tjetër Ziadin Sela sot i quajti arsyetime boshe dhe banale, justifikimet e qeverisë për ndërprerjen e ndërtimit të segmentit Strugë-Qafë Thanë, në kuadër të projektit për Korridorin 8.
Sela tha se nëse duhet të flitet për standardet e UNESCO, atëherë duhet të flitet për ndërtimet pa leje në rajonin e Liqenit të Ohrit.
“Nëse duhet të flasim për UNESCO-n, duhet të flasim për objektet pa leje, të cilat janë me mijëra në Liqenin e Ohrit, në qytetin e Ohrit dhe Strugës. Nëse flasim për zonën e UNESCO-s, ku në kontekst më tepër vendoset Struga sesa Ohrit, duhet thënë një e vërtet se Korridorit 8, nga Trebenishta në Qafë Thanë, në të gjithë këtë trajektore, nga Liqeni i Ohrit është së paku në vijë ajrore larg 1 km, nëse flasim për segmentin e autostradës Kërçovë-Ohër dhe Ohrin, ky segment, kjo linjë ajrore e afërsisë së autostradës me Liqenin e Ohrit, ka vende ku kjo distancë nuk është as edhe dhjetëra metra. Kështu që është e qartë, është vazhdimësi i një politikëbërje të sëmurë”, tha Sela.
Sela i bëri thirrje faktorit politik shqiptar në pushtet dhe faktorit ndërkombëtar që të reagojnë për këtë vendim.
Kujtojmë se zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime lidhur me realizimin e projektit. Ndërtimi i Korridorit 8 është shoqëruar me akuza për devijim të projektit, shkurtim të fondeve dhe largim të punëtorëve nga puna.
Ndryshe, Korridori 8 e lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, ai është pjesë e korridorit më të gjerë evropian të transportit Ballkani Perëndimor – Mesdheu Lindor.