KE-ja e tha qartë në raport: Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim në avancimin e barazisë gjinore

Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim në avancimin e barazisë gjinore, pa zhvillime të rëndësishme në kornizën e saj kombëtare të politikave për integrimin e barazisë gjinore dhe përafrimin me acquis-in e BE-së. Kjo mes shumë vërejtjeve tjera thuhet Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2024 mbi në rrugën e RMV-së drejt Bashkimit Evropian. Portalb.mk analizoi raportin për sa i përket barazisë gjinore.

Nuk ka përparim

Raporti vë në dukje se lëvizja antigjinore ka vazhduar të jetë forcë tërheqëse në vend, dhe kjo ka pasur ndikim në procesin legjislativ dhe politikëbërës.

“Zbatimi i strategjisë kombëtare për barazinë gjinore (2022-2027) është i dobët dhe mekanizmat ndërinstitucionalë për zbatimin dhe monitorimin e politikave të barazisë gjinore duhet të forcohen”, thekson Raporti.

Zbatimi i Konventës së Stambollit sipas KE-së është gjithashtu jooptimal për shkak të financimit të pamjaftueshëm dhe protokolleve joefektive ndërinstitucionale.

“Në vitin 2023, Grupi i Ekspertëve për Veprimin kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje identifikoi një sërë çështjesh që kërkojnë veprime urgjente nga autoritetet për të përmbushur plotësisht dispozitat e konventës”, thuhet në raport.

Gjithashtu vihet në dukje se qasja në shërbimet shëndetësore për viktimat e dhunës me bazë gjinore pengohet nga numri i kufizuar i strehimoreve dhe mungesa e personelit.

Gjuha e urrejtjes në kulm

Komisioni Evropian thekson se kuadri ligjor dhe kapaciteti ndërinstitucional për të luftuar gjuhën e urrejtjes dhe krimin e urrejtjes ka nevojë për përmirësime të mëtejshme, veçanërisht për të përfshirë orientimin seksual dhe identitetin gjinor si baza të gjuhës së urrejtjes.

“Vendi duhet të ndjekë Rekomandimin Numër 15 të Politikës së Përgjithshme të Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI)për luftimin e gjuhës së urrejtjes dhe të adresojë plotësisht gjetjet dhe rekomandimet e përcaktuara në raportin e ECRI-t të shtatorit 2023”, thekson raporti.

KE-ja potencon se autoritetet ende nuk mbledhin të dhëna për gjuhën e urrejtjes dhe krimin e urrejtjes në mënyrë sistematike.

“OJQ-të vazhdimisht regjistrojnë rastet e krimeve të urrejtjes në një bazë të dhënash. Në vitin 2023 janë regjistruar 1 171 raste të gjuhës së urrejtjes, më e përhapura për shkak të përkatësisë etnike, orientimit seksual, identitetit gjinor dhe kombësisë”, thuhet në Raport.

Për komunitetin LGBTIQ Raporti thotë se nuk u arrit asnjë përparim në përmirësimin e kornizës ligjore ose të politikave që mbron të drejtat e personave të këtij komuniteti, Raporti thekson se gjuha e urrejtjes kundër komunitetit vazhdon në mediat sociale.

Pabarazi ekonomike

Tregu i punës në Maqedoninë e Veriut vazhdon të përballet me probleme strukrurore duke përfshorë hendek të madh gjinor. Raporti thekson se gratë në RMV janë dukshëm më pak aktive se burrat në tregun e punës.

“Maqedonia e Veriut duhet në veçanti të vazhdojë të zbatojë strategji për aktivizimin e tregut të punës për gratë”, thekson Raporti.

Mes tjerash thuhet se Ligji Organik i Buxhetit vendosi buxhetimin e përgjegjshëm gjinor si parim dhe prezantoi detyrim për përdoruesit e buxhetit që të dorëzojnë një deklaratë buxhetore gjinore për politikat me implikime të mundshme gjinore.

“Megjithatë, një buxhet efikas i përgjegjshëm ndaj gjinisë do të kërkojë forcimin e diskutimeve të politikave gjatë përgatitjes së buxhetit, duke u zhvilluar më tej”, thekson Raporti.

Pak dritë në fund të tunelit

Pavarësisht kritikave dhe vërejtjeve, Raporti thekson edhe pikat ku vendi ka bërë hapa përpara.

Bashkëpunimi aktiv i Maqedonisë së Veriut me organizatat ndërkombëtare ka vazhduar, duke promovuar rolin dhe pjesëmarrjen e grave.

“Plani i dytë kombëtar i veprimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është në zbatim, duke përfshirë elementë të tillë si një vetëvlerësim gjinor, një plan specifik veprimi gjinor të Ministrisë së Mbrojtjes dhe forcimin e bashkëpunimit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave”, thotë Raporti.

KE-ja thekson se Plani i veprimit për të drejtat e grave dhe vajzave rome zbatohet në mënyrë të moderuar.

“Në fushën e konkurrencës dhe zhvillimit të biznesit, u krijua një platformë kombëtare për gratë sipërmarrëse”, thotë Raporti.

Theksohet gjithashtu se në janar 2024, qeveria miratoi Programin për Mbështetjen e Sigurimeve Shoqërore të Grave Fermere për vitin 2024, duke mundësuar shfrytëzimin e përfitimit të lehonisë gjatë periudhave të pamundësisë për të kryer punë bujqësore për shkak të lindjes.

“Vlerësimi afatmesëm i Planit të Veprimit Gjinor të Kuvendit për 2022-2024 konfirmoi se masat u zbatuan me sukses”, tregoi Raporti.

Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 30 tetor 2024. Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.

Barazi gjinoreBashkimi Evropian (BE)Gjuha e urrejtjesRaporti i Komisionit Bashkimit Evropian (KE) për MaqedoninëReporting Media Diversity (RDN)