Katër zjarre janë aktive në Maqedoni, tre nën kontroll dhe 24 janë shuar

Gjithsej 31 zjarre në hapësira të hapura janë regjistruar në territorin e shtetit gjatë 24 orëve të fundit, thuhet në raportin e Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK) për gjendjen deri në orën 7:30 të mëngjesit. Sipas tyre, katër zjarre janë ende aktive, tre janë nën kontroll, ndërsa 24 të tjerat janë shuar, transmeton Portalb.mk.

Sipas QMK-së, ende është aktiv zjarri në territoret e komunave Studeniçan dhe Zelenikovë, i cili prej disa ditësh po përhapet në zonën mes fshatrave Morane, Vrtekicë dhe Ramni Gabër, me një degë drejt fshatit Paligrad dhe mbi fshatrat Vrazhalle dhe Tisovicë. Nga zjarri është përfshirë pyll i përzier.

Pyje të ulëta, bimësi e ulët, kullota dhe fier po digjen në zjarrin që ka përfshirë komunat Gostivar dhe Makedonski Brod. Në rajonin e Gostivarit, zjarri ndodhet pranë fshatit Trnovë dhe është përhapur drejt fshatrave Bitovë, Zagrad dhe Strajane, në territorin e Komunës së Makedonski Brodit.

Zjarri është aktiv edhe në Komunën e Çashkës, mbi fshatin Nezhilovë dhe në vendin e quajtur Svatovi, ku po digjen dëllinja dhe bimësi e ulët. Aktiv është edhe zjarri në Komunën e Strugës, pranë fshatit Frangovë, ku zjarrfikësit po luftojnë me flakët që kanë përfshirë pyll të ulët dhe bimësi të ulët.

Sipas raportit të QMK-së, nën kontroll janë zjarret pranë vendit Darda, në fshatin Tajmishte, në territorin e Komunës së Kërçovës, zjarri në deponinë e Dellçevës dhe ai pranë fshatit Strmnicë, në Komunën e Bërvenicës.

Ekipet zjarrfikëse kanë arritur të shuajnë zjarret në 24 komuna, ndër të cilat disa në territorin e Komunës së Zhelinës, si dhe në Tearcë, Makedonski Brod, Kërçovë, Dellçevë, Gradsko, Gostivar, Rosoman, Bosillovë, Haraçinë, Gazi Babë, Karposh, Strumicë, Kavadar, Kumanovë, Shutkë dhe Manastir.

Në këto zona kryesisht janë djegur bimësi e ulët dhe mbeturina, por edhe pyje të përziera. Gjithashtu, në një fabrikë lëkurësh “Godel”, pranë fshatit Biglla në Komunën e Dellçevës, ka marrë flakë lëkurë e depozituar.

Në Komunën e Gradskos, në fshatin Manastirec, zjarri kishte përfshirë vreshta dhe pemishte, por zjarrfikësit kanë arritur ta shuajnë.

Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) RMVZjarr