Kasami, Mexhiti dhe Sali ndanë vendime për punësim në Spitalin e Tetovës, por Elezi thotë se ngjarja nuk ishte e politizuar

Në Spitalin e Tetovës sot u ndanë 145 vendime për punësim, por ceremonia mori edhe ngjyrim politik. Përveç drejtuesve shëndetësorë, vendime punonjësve u shpërndanë edhe dy bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, duke ngritur pyetjen se në çfarë cilësie morën pjesë në ndarjen e vendimeve. Drejtori i spitalit tha se ngjarja nuk ishte e politizuar, transmeton Portalb.mk.

Në Spitalin e Tetovës sot u ndanë 145 vendime pune për punonjësit shëndetësor.

Përveç drejtorit të Spitalit të Tetovës, Erzen Elezit dhe ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovskit, vendime punonjësve u ndanë edhe dy kryetarët e VLEN-it,Bilall Kasami i cili është kryetar i Komunës së Tetovës dhe Izet Mexhiti, i cili është kryetar i Komunës së Çairit. Vendime ndau edhe zëvendëskryeministri dhe ministri për Çëshjte Evropiane, Bekim Sali.

Në çfarë cilësie Kasami dhe Mexhiti shpërndanë vendime për punësim?

Nga Ministria e Shëndetësisë për 360 Gradë thanë se organizator i ngjarjes ishte Spitali Klinik i Tetovës, ndërsa ata vetëm ishin ftuar të merrnin pjesë në ceremoni.

“Mikpritës ishin nga Spitali Klinik i Tetovës. Ata i dërguan ftesat për ngjarjen dhe e përgatitën skenarin”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.

Drejtori i Spitalit të Tetovës, Erzen Elezi e mohoi partizimin dhe politizimin e ngjarjes, ai tha se Kasami dhe Mexhiti, ishin ftuar jo si bashkëkryetarë dhe përfaqësues të VLEN-it, por në cilësinë e kryetarëve të komunave.

“Nuk ka asgjë politike. Vendime për punësim shpërndamë edhe unë, edhe ministri Bekim Sali dhe ministri Sasho Klekovski. Ata nuk u ftuan si bashkëkryetarë të VLEN-it, por si kryetarë komunash. I ftuam për t’i nderuar dhe u dhamë të shpërndanin nga pesë vendime për punësim. Ata nuk mbajtën as fjalime në ngjarje, ndërsa as nuk ishte paraparë që të shpërndanin vendime, por në fund thamë t’i nderojmë dhe u dhamë t’i shpërndajnë”, tha Elezi.

Nga Ministria e Shëndetësisë njoftuan se me ngjarjen e sotme përfundon praktikisht projekti për punësimin e 1.500 punonjësve me kontrata shumëvjeçare, ndërsa paralajmëruan se së shpejti do të përfundojë edhe projekti për punësimin e 600 specializantëve.

Vendimeve të ndara sot i paraprinë disa protesta, konkurse dhe ankesa nga ana e personelit.

Bilall KasamiIzet MexhitiMinistria e Shëndetësisë (MSH)Sasho KlekovskiSpitali i Përgjithshëm i Tetovës