Kanë kaluar nëntë ditë nga vdekja e 32-vjeçarit Vedat Ademi i cili ndërroi jetë më 17 mars në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës. Nga mjekësia ligjore thonë se ende po punohet për rezultatet e obduksionit, të cilat pritet të ndihmojnë për zbardhjen e këtij rasti për të cilin familja e akuzon mjekun kujdestar se Vedatit iu dha terapi e gabuar, shkruan Portalb.mk.
Portalb.mk pyeti përgjejësit në Mjekësinë Ligjore për rezultatet e obduksionit të të ndjerit Vedat Ademi nga Kumanova, por nga atje shkurt u përgjigjen duke theksuar se ende nuk ka rezultate dhe se janë duke punuar për këtë rast.
Sead Ademi vëllai i të ndjerit Vedat Ademi për Portalb.mk theksoi se ende janë duke pritur për rezultatet e obduksionit.
“Për shkak të rastit Koçanit thonë se janë duke u vonuar rezultatet e obduksionit, dhe ne deri më tani kemi qenë të kuptueshëm, dhe po presim ende…”, deklaroi Ademi.
Kujtojmë se 32 vjeçari Vedat Ademi nga Kumanova ka ndërruar jetë në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës më 17 mars. Ai paraprakisht kishte ardhur për kontroll pasi është ankuar për probleme me stomakun. Portalb.mk bisedoi me Amet Ademin babain e 32-vjeçarit të ndjerë Vedat Ademi dhe Sead Ademin vëllaun e të ndjerit, ata thonë se i është dhënë ilaç ndaj të cilit ishte alergjik, dhe se për këtë fajësojnë mjekun i cili ishte kujdestar, Zoran Gjeorgjievski.
Drejtori i Spitalit, Stefan Trajanovski pranoi se i është dhënë terapi, por se në vend të përmirësimit ai ka pasur dhimbje në gjoks pas çka ka ndërruar jetë. Policia konfirmoi rastin, dhe deklaroi se pas urdhrit të prokurorit, trupi i pajetë është dorëzuar për obduksion dhe ende priten rezultatet. Më 19 mars Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari e shkarkoi drejtorin Stefan Trajanovski, në vend të tij u caktua Sasho Stoshevski. Pas obduksionit pritet të qartësohet përgjegjësia e mjekut kujdestar.
- LEXO: Rasti i Vedatit: Është shkarkuar drejtori i Spitalit të Kumanovës, për mjekun ende nuk ka procedurë, Taravari: s’jam polic e prokuror (VIDEO)
- LEXO: 32 vjeçari Vedat Ademi ka ndërruar jetë në spitalin e Kumanovës, familjarët thonë se i është dhënë terapi që i shkaktoi reagim alergjik
- LEXO: Letër publike nga familjarët e të ndjerit Vedat Ademi