Klekovski: Do të veproj për rastin e operacioneve të panevojshme në zemër kur të marr certifikatën e sigurisë

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, thotë se nuk mund të ndërmarrë veprime lidhur me rastin e operacioneve të panevojshme në zemër, pasi ende nuk ka certifikatë sigurie, transmeton Portalb.mk.

„Sigurisht që ekziston një përfundim i Qeverisë, vetëm se për momentin nuk mund të ndërmarr veprime, sepse ende nuk kam certifikatën për siguri shtetërore, përkatësisht certifikatën e sigurisë. Kam aplikuar, e kam kaluar intervistën dhe pres që, sapo të krijohen kushtet ligjore, ta bëj këtë, ashtu siç kam vepruar në të gjitha rastet e mëparshme ku kemi dyshime për kryerjen e një krimi“, tha Klekovski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas vizitës në pikën e Institutit të Shëndetit Publik.

Qeveria para disa muajsh, në një seancë të mbyllur, shqyrtoi raportin e komisionit të pavarur të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili konstatoi se në vend ishin kryer operacione të panevojshme në zemër.

Rasti i operacioneve të panevojshme në zemër u hap nga kardiologu intervenues Sasho Kedev, i cili në paraqitjet e tij publike deklaroi se pacientëve u kryheshin në mënyrë të panevojshme operacione në zemër. Më pas, Ministria e Shëndetësisë formoi një komision vendor me ekspertë, detyra e të cilit ishte të pranonte dhe shqyrtonte dosjet e dyshimta të pacientëve që kishin kryer ndërhyrje kardio-kirurgjikale. Në komision bënin pjesë profesionistë shëndetësorë nga spitalet private dhe publike, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe FSSH-së.

Gjetjet e komisionit vendor më pas u shqyrtuan nga tre ekspertë të huaj, të cilët konstatuan se në të paktën dhjetë raste ishin kryer operacione të panevojshme.

Ministria e Shëndetësisë (MSH)Sasho Klekovski