Për 470 filloristë në njëmbëdhjetë shkollat fillore në Komunën e Strugës sot filloi procesi arsimor, informoi udhëheqësi i sektorit të arsimit në Komunën e Strugës, Xhemi Hajredini, raporton MIA.
Për shkak të numrit të vogël të nxënësve, në katër shkolla rajonale, sipas tij, procesi arsimor do të pezullohet nga ky vit shkollor, dhe nxënësit janë transferuar në shkollat qendrore më të afërta.
“Me vendim të Këshillit të Komunës së Strugës, shkollat në fshatrat Bogojci, Poum, Xhepin dhe Nerezi kanë pushuar së funksionuari. Në shkollën fillore rajonale në fshatin Nerezi nuk kishte asnjë nxënës, ndërsa nga tre nxënës nga Poumi dhe Bogojci dhe katër nga Xhepini, të gjithë nga klasa të ndryshme, do të ndjekin mësimet në shkollat më të afërta me transport të organizuar”, deklaroi Hajredini.
Viti shkollor, theksoi ai, ka filluar me sukses në shkollat fillore dhe të mesme në Strugë. Problemi i vetëm ishte transporti për nxënësit e shkollave të mesme, për shkak të borxheve të papaguara të shkollave ndaj transportuesve, për të cilat komuna ishte në negociata me transportuesit dhe pret një zgjidhje së shpejti.
Një vit shkollor të suksesshëm të mbushur me njohuri, gëzim dhe arritje të reja të gjithë nxënësve u uroi kryetari Mendi Qyra, duke u thënë atyre të eksplorojnë botën me kuriozitet, guxim dhe zemër të hapur.
Në 11 shkollat fillore në Komunën e Strugës mësojnë 4.661 nxënës, ndërsa në dy shkollat e mesme 1.789. Numri i filloristëve të regjistruar krahasuar me vitin e kaluar është ulur për 11, gjegjësisht në vitin 2025, vitin shkollor e kanë filluar 481 filloristë.
Ndryshe, numri i paraleleve në arsimin fillor është reduktuar për rreth 200, ndërsa në arsimin e mesëm për rreth 100, për shkak të optimizimit të rrjetit shkollor, njoftoi më 25 gusht ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Ndryshe, sipas statistikave, në shtatë vitet e fundit numri i nxënësve në Maqedoninë e Veriut është zvogëluar për rreth 17 mijë. Vetëm gjatë një periudhe pesëvjeçare, 30 shkolla në mbarë vendin janë mbyllur për shkak të mungesës së nxënësve. Krahas mbylljes së objekteve shkollore, ka rënë edhe numri i paraleleve (klasave), duke u reduktuar me dhjetëra çdo vit. Fshati Kosternik ka rreth 300 banorë, por migrimi ka bërë që ai të zbrazet edhe më shumë.
- LEXO: 200 paralele më pak në arsimin fillor të RMV-së dhe 100 në atë të mesëm për shkak të optimizimit të rrjetit shkollor
- LEXO: RMV, po shqyrtohet mundësia e mbylljes së shkollave periferike ku ka pak nxënës
- LEXO: Nga 1 shtatori, 8 nga gjithsej 24 shkolla fillore vetëm në një qytet të RMV-së pritet të mbyllen