Janë djegur makineritë që përdoren për ndërtimin e stadiumit të Shkëndijës në Haraçinë

Makineritë që po përdoren për ndërtimin e stadiumit të Shkëndijës në Haraçinë janë djegur gjatë mbrëmjes së kaluar. Rastin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, i cili tha se organet e rendit po hetojnë rastin dhe kërkoi që përgjegjësit të zbulohen dhe të përballen me drejtësinë, transmeton Portalb.mk.

“Djegia e makinerive që po punojnë në ndërtimin e stadiumit të Shkëndijës është një goditje ndaj një projekti që i shërben sportit, rinisë dhe zhvillimit të Haraçinës”, shkroi Beqiri në rrjetet sociale.

Megjithatë, ai tha se incidenti nuk do ta ndalë realizimin e projektit.

“Punimet do të vazhdojnë. Projekti do të përfundojë. Stadiumi i Shkëndijës do të ndërtohet”, deklaroi Beqiri, duke shtuar se Haraçina ka pritur 50 vjet për këtë projekt dhe se nuk do të kthehet prapa.

Ai tha gjithashtu se nuk do të tërhiqet përballë, siç u shpreh, “presionit, kërcënimeve apo pengesave” dhe se do ta çojë projektin deri në fund.

Ndërtimi i qendrës së re sportive në Haraçinë nisi këtë vit, ndërsa më 25 shtator u vendos gurthemeli i stadiumit ndihmës të Shkëndijës. Objekti është paraparë të përdoret për stërvitjet e klubit, ndërsa projekti më i gjerë përfshin edhe ndërtimin e një stadiumi kryesor me tribuna.

Sipas raportimeve të mëhershme, qendra sportive po ndërtohet në një pronë publike prej rreth 10 hektarësh të urbanizuar nga Komuna e Haraçinës, ku krahas infrastrukturës së futbollit janë paraparë edhe hapësira për basketboll dhe hendboll.

HaraçinaKF ShkëndijaKomuna e Haraçinës