Vajza vdiq e vetme, pa ndihmë, pa humanizëm, e gjetëm të braktisur në spital, shprehet familja për vajzën që vdiq në zjarrin në “Puls”

Vajza jonë Ivona Antova, një vajzë 21 vjeçare me një zemër të madhe dhe dashuri për jetën, alpinizmin dhe modën, humbi jetën tragjikisht më 16 mars të vitit 2025. Por ajo nuk ishte vetëm viktimë e zjarrit – ajo u la vetëm, e pafuqishme, e lënduar dhe pa kujdes mjekësor, përderisa kërkonte shpëtim, thuhet në postimin e familjes së vajzës e cila është një nga viktimat e zjarrit të tmerrshëm që shpërtheu  në diskotekën “Puls” në Koçan, raporton A1ON, përcjell Portalb.mk.

– Në ato orë të fundit vetë Ivona e filmoi luftën e saj, se si e shtyjnë, si ra përtokë, si luste për ndihmë duke thirrur “vëlla, ma jep dorën, më ndihmo”, “vëlla, vëlla” – por askush nuk ia zgjati dorën. Në vend që ta shpëtonin, atë e goditën dhe e injoruan ata që ishin rreth saj.

E gjetëm në spital – të lënë vetëm në repartin e sëmundjeve interne, pa oksigjen, të mbuluar vetëm me një batanije, mbi një jastëk të njollosur nga frymëmarrjet e saj të fundit. Babai i saj e gjeti të shtrirë në një anë, me dorën nën kokë, sikur të ishte përpjekur të ngrihej, por nuk ka mundur. Unë, nëna e saj, nuk munda as ta shihja – isha në gjendje shoku, duke pranuar një serum, ndërsa zemra po më vdiste bashkë me të, thuhet në postim.

Ivona nuk vdiq menjëherë nga zjarri, shpjegojnë familjarët e saj.

– Ajo ishte pranë derës së daljes duke pritur dhe duke luftuar, duke i filmuar dhe fotografuar gjatë gjithë kohës miqtë e saj se si e shtyjnë, lutej për ndihmë, por u braktis nga të gjithë. Asaj nuk iu dha ndihmë atëherë kur kishte më së shumti nevojë. Ne kërkojmë drejtësi për fëmijën tonë. Kërkojmë të japin përgjegjësi që ata që injoruan dhe ata që e braktisën. Kërkojmë që kjo padrejtësi të mos harrohet – sepse asnjë fëmijë nuk meriton të vdesë i vetëm, në dhimbje dhe frikë.

Dashuria për Ivonën nuk do të shuhet kurrë. Ne do të luftojmë për të, ashtu siç luftoi ajo deri në frymën e saj të fundit.

Ndryshe, Ministria për Shëndetësi dje (6 korrik) ka njoftuar se grupi i parë prej 45 personave të cilët ishin të lënduar në ngjarjen tragjike në Koçan, e ka përfunduar fazën e parë të rehabilitimit në pushimoren e MPB-së në Qendrën malore Ponikva.

Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 62 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë. Prokuroria ka ngritur akuza kundër 34 personave të cilët, nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve të tyre brenda sistemit, shkaktuan katastrofën. Aktakuza përfshin gjithashtu tre kompanitë e pronarit të diskotekës, i cili është i pandehuri kryesor. 

KoçaniZjarri në diskotekën në Koçan