Problemet me sistemin e ngrohjes dhe punimet e papërfunduara për kanalizimin, ujësjellësin dhe rrugën deri te objekti po e vonojnë vënien në funksion të gjimnazit të ri “Sami Frashëri” në Kumanovë. Ministria e Arsimit do të hapë tender të ri për sistemin e ngrohjes, ndërsa Komuna e Kumanovës pritet të sigurojë mjete për infrastrukturën përcjellëse në buxhetin e vitit 2027. Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, pret që të gjitha kwto punime të përfundojnë deri në qershor të vitit të ardhshëm, shkruan Portalb.mk.
Fillimisht ishte planifikuar që nxënësit ta nisnin këtë vit shkollor në objektin e ri, por kjo nuk u realizua për shkak të problemeve me sistemin e ngrohjes. Sipas zëvendësministrit të Arsimit, Driton Sulejmani, gjatë realizimit të projektit u konstatua se pompat e instaluara nuk kishin kapacitet të mjaftueshëm për ngrohjen e objektit.
“Kemi qenë optimistë se nxënësit do ta fillojnë këtë vit në objektin e ri, por për shkak të disa problemeve, siç është problemi me ngrohjen e shkollës, sistemi i pompave i thonë ndryshe. Në fillim, kur ka qenë i projektuar, projekti i sistemit të pompave nuk e ka pasur kapacitetin e madhësisë së objektit”, deklaroi Sulejmani për Portalb.mk.
Për ta zgjidhur këtë problem, Ministria do të hapë një procedurë të re të prokurimit publik për furnizimin me pompa që i përshtaten kapacitetit të objektit. Ndërkohë, me kontraktuesin aktual është lidhur aneks-marrëveshje për përfundimin e punimeve të kontraktuara.
“Do të hapim një prokurim të ri publik, me të cilin do të furnizojmë një sistem pompash që i përshtatet kapacitetit të objektit. Tash kemi bërë një aneks-marrëveshje, me të cilën do t’i përfundojmë të gjitha punimet e kontraktuara me kontraktuesin”, tha ai.
Përveç sistemit të ngrohjes, Ministria duhet të sigurojë edhe inventarin shkollor dhe të rregullojë oborrin. Sipas Sulejmanit, kontraktuesi pret që punimet që janë përgjegjësi e Ministrisë të përfundojnë deri në fund të nëntorit.
Megjithatë, për ta vënë shkollën në funksion, duhet te përfundojnë edhe punimet që janë ne kompetencë të Komunës së Kumanovës. Sulejmani tha se javën e kaluar është takuar me kryetarin e komunës dhe janë dakorduar që në buxhetin e vitit 2027 të parshihen mjete për kanalizimin, ujësjellësin dhe ndërtimin e rrugës deri te objekti.
“Javën e kaluar pata takim me kryetarin e Komunës së Kumanovës, me të cilin u dakorduam që për buxhetin e vitit 2027 të parashihen mjete për rregullimin e sistemit të kanalizimit, të ujësjellësit dhe të rrugës së re, e cila duhet të hapet për të pasur qasje te objekti i ri shkollor”, theksoi Sulejmani.
Sipas tij, komuna pritet t’i realizojë këto punime gjatë vitit të ardhshëm, pasi Ministria t’i përfundojë obligimet e saj. Sulejmani pret që deri në qershor të përfundojnë të gjitha punimet, në mënyrë që nxënësit ta nisin vitin e ri shkollor në objektin e ri.
“Jam shumë optimist, po them edhe i sigurt, se nxënësit përfundimisht do ta fillojnë vitin e ri 2027 në objektin e ri”, tha ai.
Ndërkohë, nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” dhe të paraleleve në gjuhën shqipe të shkollës “Nace Bugjoni” vazhdojnë mësimin në hapësirat e improvizuara të një ish-fabrike.
Ndërtimi i objektit të ri nisi në maj të vitit 2023, por shkolla ende nuk është përfunduar. Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, investimi kap vlerën e mbi 300 milionë denarëve. Objekti ka katër kate dhe sipërfaqe prej 7.400 metrash katrorë.
- LEXO: Mbi një dekadë premtime për “Sami Frashërin” në Kumanovë, nxënësit edhe këtë shtator nuk do futen në objektin e ri
- LEXO: Ngecje në proces, nuk dihet nëse objekti i ri i gjimnazit “Sami Frashëri” do të hapet në shtator
- LEXO: Shkolla e mesme “Sami Frashëri” në Kumanovë do të ketë objekt të ri shkollor
- LEXO: Kushtet në shkolla: Nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” ende mësojnë në ish objektin e fabrikës
- LEXO: Viti i ri shkollor sërish në ish-fabrikën e improvizuar në klasa për gjimnazistët e “Sami Frashërit” në Kumanovë