ANALIZË: U shtrënguan kushtet e kreditimit në Maqedoninë e Veriut, borxhet ndaj bankave janë mbi 9,6 miliardë euro

Deri në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti, ekspozimi i përgjithshëm kreditor i bankave arriti në 9.610.400.000 euro. Kreditimi është në rritje, por po rritet edhe vlera e kredive jofunksionale. BPM-ja ndërmori masa me të cilat i ashpërsoi kushtet për kreditë banesore dhe kreditë konsumatore hipotekare, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Pse politika monetare ndërmori masa për ashpërsimin e kushteve?

Si bankat, ashtu edhe qytetarët kanë filluar të bëjnë llogaritjet. Nga 1 dhjetori hyjnë në fuqi rregullat e reja për kreditë banesore dhe kreditë konsumatore hipotekare. Afati i shlyerjes së kredive banesore shkurtohet për 5 vjet: në vend të afatit maksimal prej 30 vjetësh, kredia do të shlyhet për 25 vjet. Sa u përket kredive konsumatore hipotekare, afati shkurtohet nga 20 vjet sa ishte deri më tani, në maksimum 15 vjet. Do të ashpërsohen edhe kushtet lidhur me raportin e këstit ndaj rrogës, i cili do të jetë 45% për kreditë në denarë dhe 40% për kreditë në valutë të huaj.

Sipas ekonomistëve të konsultuar nga Portalbi, kjo paketë masash do të ndikojë në koston e kredive, pasi shkurtimi i afatit të shlyerjes do të sjellë automatikisht rritjen e këstit mujor. Përveç kësaj, kushtet më të rrepta mund të ndikojnë në uljen e kërkesës për kredi, gjë që mund të reflektohet edhe në ekonominë e përgjithshme.

“Mendoj se Banka Popullore, në njëfarë mënyre, po ndjek trendin në SHBA dhe në BE, ku gjatë periudhës së fundit në fokus janë kreditë hipotekare afatgjata dhe çështja e borxhit të amvisërive. Këto kategori kredish, në nivel global, për shkak të krizës me të cilën po përballet ekonomia botërore, konsiderohen me rrezik. Këto masa në tregun tonë do të kenë disa efekte, nga ulja e kërkesës për kredi deri te shtrenjtimi i kredive, për shkak të vetë faktit se afati i shlyerjes shkurtohet, gjë që do të çojë në këste më të larta mujore. Kreditë banesore janë pjesë e sektorit të ndërtimtarisë, të cilin e konsiderojmë si një nga shtyllat kryesore të rritjes ekonomike. “Nga njëra anë, po flasim për një industri ndërtimi në rritje, nga ana tjetër, po shtrëngohet rripi i kreditimit për banesa, që thjesht do të thotë se fuqia blerëse e qytetarëve po ulet”, thotë ekonomisti Abil Baush.

Çfarë do të thotë kjo për qytetarët?

Ai thekson se ne jemi një vend ku qytetarët tradicionalisht blejnë prona të patundshme, përkatësisht investojnë në banesa, andaj do të jetë e rëndësishme të shihet se si këto masa të BPM-së do të “përshtaten” me skenarin e rritjes së sektorit të ndërtimtarisë, i cili konsiderohet segment i rëndësishëm i ekonomisë.

Amvisëritë kanë borxhe prej gati 2 miliardë eurosh për kredi banesore

Deri në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti, ekspozimi i përgjithshëm kreditor i bankave arrin në 9.610.400.000 euro. Në nivel tremujor, kreditimi i amvisërive është rritur për 3,7%, ndërsa pjesën më të madhe e zënë pikërisht kreditë banesore dhe ato konsumatore.

“Rritja vazhdon të vijë kryesisht nga rritja e kredive konsumatore dhe banesore”, thonë nga Banka Popullore e Maqedonisë.

Autoriteti monetar ndërmori masa më të rrepta në kushtet kur sektori bankar vlerësohet si stabil, me likuiditet në nivel të kënaqshëm, por me një rënie të caktuar. Nga ana tjetër, sipas të dhënave zyrtare, vërehet rritje e nivelit të kredive jofunksionale.

“Aftësia paguese e sistemit bankar shënon rritje, duke mbetur në nivel të lartë dhe të qëndrueshëm. Likuiditeti i sistemit bankar është në nivel të kënaqshëm, megjithëse treguesit kanë shënuar një rënie të caktuar. Cilësia e portofolit kreditor është ruajtur në nivel të lartë, me një rritje minimale të përqindjes së kredive jofunksionale”, thuhet në Raportin e ri për rreziqet e sektorit bankar, ku theksohet se rritja vjen nga portofoli kreditor i kompanive.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga ekspozimi i përgjithshëm kreditor i bankave, në vlerë prej 9.610.400.000 eurosh, kreditë e amvisërive, sipas përllogaritjeve të Portalbit, përbëjnë 53% ose një shumë prej 5.064.000.000 eurosh.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sipas të dhënave të fundit në dispozicion, amvisëritë kanë më së shumti borxhe pikërisht në bazë të kredive konsumatore dhe banesore. Konkretisht, në fund të gjashtëmujorit të parë bankar, borxhi në bazë të kredive konsumatore arrinte në më shumë se 2.508.000.000 euro, ndërsa borxhi për kredi banesore tejkalonte 1.900.000.000 euro.

Analiza Ekonomike e PortalbitBanka - BankëBanka Popullore e RMVBorxh - BorxhmarrjeKredi bankareKredi të shpejta