Hetim kundër një shtetasi amerikan me origjinë nigeriane për posedim arme dhe sulm ndaj një polici në Shkup

Prokuroria Themelore Publike (PTHP) në Shkup ka nisur hetim kundër një shtetasi amerikan me origjinë nigeriane, i dyshuar për kryerjen e një vepre penale – posedim, ndërmjetësim dhe tregtim të paautorizuar me armë dhe eksplozivë, si dhe sulm ndaj një personi zyrtar gjatë kryerjes së detyrave të sigurisë, transmeton Portalb.mk.

Incidenti ndodhi më 21 dhjetor në orët e hershme të mëngjesit para një klubi nate në Parkun e Qytetit në Shkup, kur i dyshuari sulmoi një polic i cili u përpoq ta identifikonte.

“Ai i shkaktoi lëndime trupore policit duke e goditur me grushte. Pasi u arrestua, në posedim të tij u gjet një pistoletë gjysmëautomatike ‘Glock’ me kalibër 9 mm, si dhe dy karikatorë me 30 fishekë për të njëjtën pistoletë”, tha Prokuroria në këtë rast.

Pasi u përcaktua se shtetasi i huaj po qëndronte në një hotel në Shkup, prokurori publik mori urdhër kontrolli për dhomën e tij, ku u gjet një sasi e madhe armësh dhe municionesh.

“U gjetën një tjetër pistoletë Glock, tre karikatorë me nga 15 fishekë secili, 75 fishekë shtesë në qese me zinxhir, një komplet pastrimi armësh, tre thika, si dhe sende të tjera – një xhaketë fantom, doreza taktike, mbështjellës dore, kabllo lidhëse, një USB dhe dokumente letre”, njoftoi Prokuroria.

Për këto sende është lëshuar urdhër ekspertize.

Prokurori Publik i paraqiti propozim gjyqtarit të procedurës paraprake për masë paraburgimi, sepse ekziston rreziku real i arratisjes, mundësia e ndikimit në procedurë dhe dëshmitarë dhe fshehjes së provave, si dhe rreziku i kryerjes së një krimi tjetër.

ArmëMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Prokuroria Themelore Publike (PTHP) RMV