Kosova formoi grup pune në mbështetje të ish-krerëve të UÇK në apel

Ende pa u dekretuar ligji i ndryshuar për Gjykatën Speciale nga presidentja e Kosovës, qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti formoi të mërkurën (14.10.2026) një grup pune për hartimin dhe bashkërendimin e një strategjie shtetërore lidhur me procedurat në shkallën e Apelit para Dhomave të Specializuara në rastin e ish-krerëve të UÇK-së. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, nga shkalla e parë e Gjykatës Speciale, u dënuan për krime lufte me gjithsej 81 vjet burgim. Pala mbrojtëse tashmë e ka apeluar këtë vendim. Kryeministri Kurti vazhdon të besojë se “aktgjykimi i shkallës së parë i Gjykatës Speciale është i padrejtë, juridikisht dhe moralisht”, prandaj kryeministri tha se “Qeveria po punon që të bëhet korrigjimi i tij në shkallën e Apelit, pranë Dhomave të Specializuara”. Grupi i punës do të kryesohet nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, dhe brenda grupit do të ketë edhe përfaqësues të parlamentit të Kosovës, transmeton Dojçe Vele (DW).

“Për këtë nevojitet një strategji shtetërore e kombëtare, si dhe një organizim që i tejkalon dallimet partiake. Për këtë arsye, po e themelojmë grupin punues, të kryesuar nga Konjufca, me përfaqësim institucional e parlamentar, për të bashkërenduar mbështetjen juridike e institucionale në funksion të procedurave të Apelit. Me këtë vendim po e konkretizojmë zotimin tonë, që me mjetet që i kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe për mbrojtjen e historisë së luftës së UÇK-së”, tha Kurti, duke e cilësuar këtë si një “vendim të rëndësishëm”.

Menjëherë pas vendimit të qeverisë, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se Kuvendi do të jetë pjesë e këtij angazhimi dhe, sipas saj, në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë do të propozojnë delegimin e një përfaqësuesi të Kryesisë së Kuvendit në këtë grup punues.

“Aktgjykimi i 16 shtatorit ishte i padrejtë dhe i pasaktë. Në këtë fazë, është thelbësore që procesi në Apel të mbështetet nga një strategji e përbashkët shtetërore, me angazhim të koordinuar dhe mbështetje të plotë institucionale. Kuvendi do të jetë pjesë e këtij angazhimi”, tha Haxhiu.

BE shpreh shqetësim për ndryshimin e ligjit

Formimi i grupit punues për hartimin dhe bashkërendimin e një strategjie shtetërore lidhur me procedurat në shkallën e Apelit të Gjykatës Speciale në rastin e ish-krerëve të UÇK-së ndodh në kohën kur zyrtarë të lartë të BE-së vazhdojnë të jenë të shqetësuar për ndryshimet ligjore që i bëri Kuvendi i Kosovës në ligjin për Gjykatën Speciale. Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së, dy ditë më parë kritikoi ashpër Kosovën për vendimin në Kuvend që të ndryshohet ligji për Gjykatën Speciale, duke e quajtur këtë vendim të papranueshëm dhe në kundërshtim me normat ndërkombëtare të sundimit të ligjit.

“Do të doja të jem e qartë se ndryshimet e ligjit për Dhomat e Specializuara nga ana e Kosovës shkojnë kundër detyrimeve fundamentale të Kosovës ndaj BE-së. Dhe kjo është e papranueshme. Të ndryshosh rregullat në kohën kur proceset në gjykatë janë në vazhdim e sipër është kundër çdo standardi ndërkombëtar të sundimit të ligjit”, tha komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos.

Ekspertët skeptik për efektet e ligjit të ndryshuar

Ndonëse ligji i ndryshuar për Gjykatën Speciale ende nuk është dekretuar nga presidentja e Kosovës, edhe pse kjo pritet të ndodhë së shpejti, njohësit e çështjeve të drejtësisë dhe përfaqësues të tjerë institucionalë po e marrin me rezervë mundësinë e respektimit të këtij ligji nga Gjykata Speciale. Avokati i Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, u shpreh skeptik se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara do të jenë ndonjë ndihmesë për katër ish-udhëheqësit e UÇK-së që u dënuan në shkallë të parë.

“Askush nuk mund t’ia ndalojë Kuvendit të hartojë ligje, është e drejtë dhe është zgjedhje e tyre. Por sa do të ndryshojë ky ligj, unë jam skeptik qysh në fillim, sepse betejat për drejtësi fitohen në gjykatë dhe jo me ndryshime ligjore”, tha Qelaj për mediet lokale. Avokati i Popullit ka publikuar një raport, i cili ngre shqetësime për mungesën e mekanizmave mbikëqyrës ndaj Gjykatës Speciale, duke thënë se ajo funksionon në mënyrë autonome dhe pa një kontroll demokratik nga institucionet e Kosovës.

Ligji i ndryshuar nga parlamenti i Kosovës për Gjykatën Speciale, që pritet të dekretohet nga presidentja e sapozgjedhur e Kosovës, Justina Pula-Shiroka,nuk e kufizon angazhimin e Gjykatës për të vazhduar hetimet për trafikim organesh gjatë luftës në Kosovë, të pretenduara nga raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për çka edhe ishte themeluar Gjykata Speciale. Por ligji tashmë i ndryshuar parashikon ngushtimin në disa fusha të mandatit të Gjykatës Speciale, që përfshin periudhën kohore që mbulon Gjykata, nga periudha e ligjit të mëparshëm, janar 1998 – dhjetor 2000, në 1 korrik 1999 – 31 dhjetor 2000. Në ligj parashihet po ashtu kufizimi i dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, mbajtja e dënimeve në Kosovë dhe mundësia e faljes presidenciale për personat e dënuar me vendim të formës së prerë.

Burimi i tekstit:

KosovaUshtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK)