Hap pushim mjekësor, por pushon jashtë shtetit: Ministria e Shëndetësisë e RMV-së po shqyrton denoncimet anonime për të luftuar abuzimet

Nëse një person është me pushim mjekësor, por në fakt ndodhet me pushime jashtë vendit, në të ardhmen ai mund të denoncohet nga kushdo, jo vetëm nga punëdhënësi. Ministria e Shëndetësisë po shqyrton mundësinë e zbatimit të një modeli të ngjashëm me atë të Sllovenisë për të parandaluar keqpërdorimin e pushimeve mjekësore, transmeton Portalb.mk.

Në Slloveni është vendosur një regjim lëvizjeje që ndalon personat me pushim mjekësor të punojnë në punë tjetër, si dhe u ndalon daljen jashtë shtetit. Në rast se konstatohet abuzim, ata janë të detyruar të kthejnë kompensimin financiar të marrë gjatë pushimit mjekësor.

Kontrollet në Slloveni nuk bëhen vetëm me kërkesë të punëdhënësit, por edhe mbi bazën e denoncimeve anonime.

“Ata kanë një sistem elektronik për denoncimin e sjelljes së papërshtatshme të pacientëve. Pra, kushdo mund të raportojë nëse një person është me pushim mjekësor, ndërsa ka shkuar për pushime në Itali. Një gjë e tillë nuk ekziston te ne. Në vendin tonë kontrollet mund të kryhen vetëm me kërkesë të punëdhënësit, ndërsa denoncimet anonime dhe kontrollet mbi këtë bazë nuk ekzistojnë. Ky është një nga modalitetet që duhet ta diskutojmë seriozisht”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Megjithatë, ministri vlerëson se Maqedonia e Veriut është ende larg zbatimit të plotë të modelit slloven.

Lidhur me pyetjen nëse ka pasur keqpërdorime të pushimeve mjekësore në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut (ARM), Klekovski tha se ende është në pritje të raportit përfundimtar, por nuk pret që rezultatet të dallojnë nga ato të kontrollit në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB). Fondi për Sigurim Shëndetësor (FSSH) kishte konstatuar se çdo pushim i pestë mjekësor në MPB ishte i parregullt, përkatësisht i rremë.

“Raporti për kontrollin në ARM ende nuk ka përfunduar, pasi kontrolli është më i gjerë se ai në MPB. Megjithatë, nuk pres gjetje të ndryshme nga ato të kontrollit në MPB dhe besoj se opinioni do të informohet sapo raporti të përfundojë”, shtoi ministri.

Rregullat për pushimet mjekësore nuk janë rishikuar që nga viti 2012.

Sipas të dhënave të prezantuara, numri i pushimeve mjekësore deri në 30 ditë është rritur me 33 përqind krahasuar me periudhën 2021–2025, ndërsa numri i përfituesve është rritur me 6 përqind.

Diagnozat më të shpeshta për pushimet mjekësore janë infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe gastroenteriti, përkatësisht inflamacioni i lukthit dhe zorrëve.

Ndërkohë, numri i pushimeve të gjata mjekësore ka mbetur pothuajse i njëjtë, rreth 25 mijë në vit, por shuma e mjeteve të paguara për to është rritur disa herë.

Fondi i Sigurimit Shëndetësor RMVMinistria e Shëndetësisë (MSH)Mjekësi Mjek(e) DoktorShëndetësi - Shëndeti