Grupi parlamentar i Taravarit në zhbërje, deputetja Mimoza Musa ndau rrugën me to

Mimoza Musa është deputetja e radhës e cila lëshoi “anijen” e Arben Taravarit dhe vendosi të jetë pjesë e shumicës parlamentare të përbërë nga VMRO-DPMNE, Lëvizja ZNAM dhe koalicioni VLEN, shkruan Portalb.mk.

Deputetja vendimin e saj e ka kumtuar përmes një postimi në Facebook, ku mes tjerash shkruan se nuk është në politikë për interesa personale, por për t’i shërbyer me dinjitet dhe përgjegjësi çdo votuesi që besoi në këtë mision.

“Një vit më parë, më 8 maj, mora besimin e mbi 107 mijë shqiptarëve si deputete e Aleancës për Shqiptarët, në listën e koalicionit VLEN. Ky mandat nuk është thjesht një numër, është zëri i një populli të lodhur nga mbi 20 vite pushtet i BDI-së dhe që kërkon me ngulm ndryshim. Po kalojmë një periudhë të vështirë politike dhe me të drejtë shumë përkrahës, miq e bashkëpunëtorë pyesin: Me kë është deputetja Mimoza Musa? Sot, në një klimë politike të trazuar, dua të jem e qartë me ju: Unë jam deputete e Aleancës për Shqiptarët. Besimin që ma dhatë nuk do ta tradhtoj. Nuk jam këtu për interesa personale, por për t’i shërbyer me dinjitet dhe përgjegjësi çdo votuesi që besoi në këtë mision. Ndryshimi ka nisur dhe ne do ta çojmë përpara”, shkroi deputetja Mimoza Musa.

Kujtojmë se, Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Arben Taravari pësoi edhe një çarje pas vendimit të vet kreut se nuk do të vazhdojnë të i shërbejnë qeverisë aktuale dhe se do të vazhdojnë të jenë në opozitë. Paraprakisht, Taravari ishte ndarë edhe me partnerët e koalicionit shqiptar VLEN, pas mosmarrëveshjeve se si do të jetë formati që do shkojnë në zgjedhje lokale. Taravari vendosi të shkoj në zgjedhje lokale ndaras nga koalicioni VLEN pas çka pësoi edhe ndarja e rrugëve politike.

Por, jo të gjithë ithtarët e Taravarit vendosën të vazhdojnë rrugën me të. I pari që i tha- jo Taravarit ishte krahu i djathtë i tij, Arben Fetai, zëvendës- kryeministër aktual i Maqedonisë së Veriut. Pas Fetait edhe deputeti Salim Sulejmani dha dorëheqje nga pozita e deputetit.

Me t’u shkëputur nga koalicioni VLEN, fraksioni i Arben Taravarit numëronte 5 deputetë, ndërkaq sot numëron vetëm 3 deputetë. Pas daljes së deputetes Mimoza Musa dhe deputetit Salim Sulejmanit, grupi i Taravarit ka mbetur me deputetët, Rijad Shaqiri, Halil Snopçe dhe Sadik Sulejmani.

Arben FetaiArben TaravariVLEN koalicioni