Me paraqitjen e provave materiale nga Prokuroria Publike, sot në Gjykatën Themelore Penale Shkup vazhdon gjykimi për rastin “Lotaria Shtetërore”, në të cilin ndër të akuzuarit janë ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe ish-drejtori i SHA “Lotaria Shtetërore”, Përparim Bajrami, transmeton Portalb.mk.
Në seancën e kaluar, Prokuroria prezantoi dokumentacion të gjerë lidhur me themelimin e shoqërisë së përbashkët me një partner të huaj, vendimet e Qeverisë, si dhe transaksionet financiare të lidhura me prokurimin e terminaleve të videolotarisë (VLT).
Në sallën e gjyqit u paraqitën edhe Programi i punës së SHA “Lotaria Shtetërore” për vitin 2023, një kontratë në vepër dhe një ekspertizë e përgatitur nga një vlerësues i autorizuar për vlerën dhe leverdinë e investimit në terminalet e videolotarisë, si dhe informacioni i dorëzuar në Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë për nevojën e organizimit të pavarur të lojërave elektronike të fatit, së bashku me analizën e tregut.
Prokuroria iu referua edhe provave që burojnë nga seanca e 158-të e Qeverisë, e mbajtur më 6 qershor 2023 – propozim-rendit të ditës, shënimeve stenografike, procesverbaleve, konkluzioneve të Qeverisë dhe vendimit për miratimin e punës së Bordit Drejtues të Lotarisë, si dhe mendimit të Ministrisë së Financave.
Si prova materiale u dorëzuan edhe urdhërpagesa në valutë, ekstrakte bankare nga Halk Banka, kartela analitike për operatorët ekonomikë “Eurogames Technology”, “Sinot” dhe “Shpedicija MKD”, si dhe dhjetëra formularë për realizimin e faturave, llogari dhe fletëdërgesa për pajisjet e blera.
Përveç ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe ish-drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami, të cilët ishin në arrati, por u kthyen dhe iu dorëzuan autoriteteve në vend, në këtë lëndë gjyqësore janë të akuzuar edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.
Ata akuzohen se, duke tejkaluar autorizimet zyrtare, i kanë shkaktuar dëm SHA “Lotaria Shtetërore” në vlerë prej 596.125.511 denarësh.
Të gjithë të akuzuarit gjatë procedurës së deritanishme janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë për veprat për të cilat ngarkohen.