Qendra për Komunikime Qytetare publikoi hulumtimin „Mbikëqyrja publike e prokurimeve publike: Studime rasti“. Janë analizuar raste konkrete të procedurave të tenderimit, në të cilat është vërejtur zbatim jo konsistent i Ligjit për Prokurime Publike dhe, njëkohësisht, kujdesi për paratë publike nuk ka qenë prioritet, transmeton Portalb.mk.
Më poshtë janë disa nga gjetjet kryesore për tre tenderët:
Tenderi për blerjen e 150 autobusëve elektrikë:
Pas dy procedurave të anuluara, “Ikarus Electric Zrt” hungarez dhe “Zhongtong Bus Holding” kinez, nga konkurrentë, papritur u bënë partnerë.
- Tenderi për blerjen e autobusëve elektrikë është zhvilluar tri herë gjatë një periudhe prej 15 muajsh. Me çdo përsëritje, pjesëmarrësit bëheshin të njohur, ashtu si edhe çmimet dhe ofertat e tyre, duke zvogëluar pasigurinë dhe duke rritur rrezikun e koordinimit mes ofertuesve.
- Kompania hungareze “Ikarus Electric Zrt” dhe ajo kineze “Zhongtong Bus Holding” në tenderin e dytë konkurruan si rivalë, ndërsa në tenderin e tretë dorëzuan një ofertë të përbashkët, e cila u përzgjodh si më e favorshmja. Në ekipin fitues, si nënkontraktor, paraqitet edhe EVN Maqedonia, për furnizimin me stacione karikimi që do t’i prodhojë “Sungrow Deutschland”, degë e kompanisë kineze Sungrow Power Supply.
- Oferta fituese nuk ishte më e ulëta dhe u përzgjodh pasi dy oferta më të lira u refuzuan. Vlera e prokurimit është 60 milionë euro – 57 milionë euro për autobusët dhe 3 milionë euro për stacionet e karikimit.
- Autobusët e ardhshëm do të kenë kapacitet dukshëm më të vogël se autobusët aktualë të JSP-së. Autobusët e rinj do të kenë gjithsej 66 vende, që është 20 vende më pak se autobusët e fundit të blerë nga Qyteti i Shkupit dhe madje 30 vende më pak se autobusët e dhuruar nga BE-ja.
- Ministria e Transportit nuk i dorëzoi dokumentet e kërkuara, përfshirë analizën mbi bazën e së cilës ishte përgatitur dhe ndryshuar dokumentacioni i tenderit.
- Kombinimi i përsëritjes së tenderit, ndryshimeve të kushteve, ndryshimit të përbërjes së ofertuesve dhe mungesës së arsyetimit për ndryshimet e bëra në përshkrimin e autobusëve dhe karikuesve krijon rrezik të shtuar për favorizim dhe kufizim të konkurrencës, duke vënë në pikëpyetje parimet e konkurrencës, trajtimit të barabartë dhe transparencës, të përcaktuara në nenin 3 të Ligjit për Prokurime Publike.
Salla sportive “Jackson”, me vlerë 2.3 milionë euro:
- Kontrata e parë për ndërtimin e objektit ishte rreth 1.1 milion euro. Kontrata parashikonte se punët shtesë dhe të paparashikuara nuk mund të tejkalonin 20% të vlerës së saj, përkatësisht rreth 220 mijë euro. Gjatë ndërtimit, projekti u ndryshua. Në vend të një aneksi të kontratës ekzistuese, Komuna publikoi një tender të ri me titull „Punë shtesë dhe të paparashikuara për objektin“, mbi bazën e të cilit u lidh një kontratë e re me vlerë rreth 1.25 milionë euro me TVSH, që është edhe më e madhe se kontrata fillestare.
- Pika kyçe është se tenderi i dytë nuk kishte të bënte me një ndërtim të ri, të ndarë apo me një projekt të pavarur, por me “punë shtesë dhe të paparashikuara” në objektin që tashmë po ndërtohej. Vetë objekti i prokurimit i përcaktuar nga Komuna e Shtipit tregon qartë se bëhej fjalë për vazhdimin dhe plotësimin e punëve ndërtimore tashmë të nisura. Neni 119 i Ligjit për Prokurime Publike përcakton qartë se vlera e punëve të paparashikuara dhe shtesë nuk mund të tejkalojë 20% të kontratës bazë.
- Fakti që tenderi u zhvillua përmes një procedure të hapur mundësoi vetëm transparencë formale. Dokumentacioni i tenderit nuk përmbante ndarje mjaftueshëm të qartë mes punëve tashmë të kryera dhe atyre të reja të planifikuara. Në kohën kur u zhvillua tenderi i dytë, kontrata e parë ende nuk kishte përfunduar. Dokumentacioni nuk ishte plotësuar me përcaktim të qartë të punëve të kryera, gjendjes së kantierit, afateve, mënyrës së fillimit të punimeve, përgjegjësisë për punët e kryera dhe ato të reja, ndarjes së garancive mes kontraktuesit të vjetër dhe të ri, çështjeve lidhur me qasjen në kantier, lidhjeve teknike me ndërtimin ekzistues etj.
- Siç pritej, në tenderin e dytë ofertë dorëzoi vetëm një kompani –”Sandra Inxhinieri” Shkup, e njëjta kompani që tashmë po e ndërtonte sallën. Nga shtatori 2025 deri në korrik 2026, e njëjta kompani paralelisht realizonte dy kontrata në të njëjtin objekt, nën të njëjtin mbikëqyrës.
Rikonstruksioni i fushës së futbollit në fshatin Çegran: në tender – stadium futbolli, në terren – livadh me bar të tharë
- Fusha e futbollit duhej të rikonstruktohej që në dhjetor 2023. Gati tre vjet më vonë, në vend të një fushe funksionale, në lokacion nuk ka as bar të mbjellë, as tribuna të rinovuara, as sistem ujitjeje dhe as ndriçim – siç ishte paraparë me tenderin.
- Kontratën e kishte lidhur Agjencia për Rini dhe Sport në mars 2023, në vlerë prej rreth 112 mijë eurosh. Deri tani janë paguar rreth 70 mijë euro, përkatësisht afërsisht 63% e shumës së përgjithshme.
- Sipas raportit të fundit të mbikëqyrjes dhe gjendjes në terren, në fushë nuk punohet që nga gjysma e dytë e vitit 2025. Kontrata për rikonstruksionin e stadiumit të futbollit tashmë ka skaduar.
- Ministria e Sportit, si pasardhëse ligjore e Agjencisë, nuk u përgjigj nëse janë ndërmarrë masa për shkak të moszbatimit të kontratës dhe as nëse janë përdorur mekanizmat kontraktualë për sanksionimin e vonesës.
- Kjo gjendje tregon për neglizhencë serioze ndaj efektit të parave të shpenzuara publike. Kur institucionet mund të arrijnë në një situatë ku paguhen dhjetëra mijëra euro, ndërsa në këmbim nuk sigurohet një objekt funksional, kjo ngre pikëpyetje serioze për efikasitetin e kontrollit, menaxhimin e kontratave dhe përgjegjësinë për shpenzimin e parave publike.
Hulumtimi është realizuar në kuadër të projektit „Mbikëqyrja publike e prokurimeve publike“, me mbështetje financiare nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shkup.