Me hapjen e ekspozitës “Solidariteti si e ardhme” në Muzeun e Artit Bashkëkohor, mbrëmë në Shkup filloi edicioni i ri i “Dialogëve evropianë – Trashëgimia dhe e ardhmja evropiane”, të organizuar nga Instituti Francez dhe Ambasada e Francës në Maqedoninë e Veriut. Aktivitetet vazhdojnë nga sot deri më 2 tetor në disa lokacione në qytet, mes tyre Qendra Kulturore Rinore, Qendra Inoks, Qendra Kulturore “Jadro”, Europe House dhe Laboratorium. Programi përfshin edhe sesione të mbyllura pune dhe debate publike për marrëdhënien mes historisë dhe politikës, trashëgiminë antifashiste, të drejtat e njeriut, kulturën e pavarur, dezinformatat dhe të ardhmen e shoqërive evropiane, transmeton Portalb.mk.
Në hapjen zyrtare folën ambasadori francez Kristof Le Rigoler dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski. Le Rigoler theksoi se “Evropa nuk është një projekt i përfunduar, por një ndërtim kolektiv” dhe nënvizoi rëndësinë e dialogut për të ardhmen evropiane.
“Brenda këtyre dialogëve, historia është në thelb të diskutimeve, sepse padyshim që nuk kemi të njëjtat lexime të së kaluarës dhe as të njëjtat kujtime historike. Dhe pikërisht kjo shumësi e narrativave krijon detyrimin që të diskutojmë lirshëm për të gjitha temat, por gjithashtu edhe me rigorozitet historik, frymë kritike dhe respekt të ndërsjellë. Evropa nuk bazohet në fshirjen e dallimeve, por në aftësinë për të jetuar së bashku, por edhe për të ndërtuar së bashku një kornizë të përbashkët në të cilën dallimet mund të shfaqin të gjithë potencialin e tyre. Kjo kornizë e përbashkët konkretisht pasqyron vlerat e përbashkëta evropiane – dinjitetin, lirinë, barazinë, pluralizmin, demokracinë, mbrojtjen e të drejtave, lirinë e shprehjes dhe mundësinë që secili ta gjejë vendin e vet në shoqëri”, tha ambasadori Le Rigoler.
Mucunski tha se anëtarësimi në BE duhet të kontribuojë për transformimin e shoqërisë dhe forcimin e institucioneve, e jo për ndryshimin e identitetit kombëtar. Ai iu drejtua pjesëmarrësve të aktivitetit, mes të cilëve ka studiues të rinj dhe aktivistë nga vendet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se “zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është vetëm investim në stabilitetin e rajonit tonë, por edhe investim strategjik në sigurinë, fuqinë dhe të ardhmen e tij”.
Në hapje u prezantua edhe ekspozita “Solidariteti si e ardhme”, e përbërë nga një përzgjedhje veprash të rëndësishme nga koleksionet evropiane të Muzeut të Artit Bashkëkohor – Shkup, me theks të veçantë te koleksioni i krijuar pas tërmetit të vitit 1963 përmes donacioneve ndërkombëtare dhe solidaritetit artistik. Ekspozita shtron pyetjen se si ky akt historik solidariteti mund të shihet edhe si vlerë për të tashmen dhe të ardhmen.
“Dialogët evropianë” janë pjesë e programit “Horizonte të përbashkëta”, të iniciuar nga Franca në vitin 2024 me qëllim nxitjen e të rinjve nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi trashëgiminë e përbashkët historike dhe të ardhmen evropiane. Projekti financohet nga Ministria franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe përfshin aktivitete që lidhen me mobilitetin e të rinjve, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë, luftën kundër dezinformatave dhe gjuhës së urrejtjes, si dhe nxitjen e debatit publik.
Programi i sotëm i kushtohet historisë dhe trashëgimisë së përbashkët. Nga ora 18:00 në Qendrën Inoks do të mbahet debati publik “Historia si fushëbetejë?”, ndërsa nga ora 19:30 do të vijojë diskutimi për antifashizmin, luftërat demokratike, kujtesën dhe trashëgimitë ideologjike.
Të enjten do të diskutohet për dhunën me bazë gjinore në Evropë dhe të ardhmen e skenës së pavarur kulturore. Mes debateve publike është edhe paneli “Sa e kufizon lufta kundër dezinformatave lirinë e informimit?”, i cili do të mbahet në Qendrën Inoks nga ora 18:00, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Fondacionit “Metamorfozis”, revistës franceze të opinioneve dhe ideve AOC (Analyse Opinion Critique) dhe shoqatës së qytetarëve “Zashto Ne” nga Bosnja dhe Hercegovina.
Dita e fundit, 2 tetori, do t’i kushtohet çështjes së së ardhmes së Evropës. Janë paralajmëruar tryeza e rrumbullakët “Çfarë Evrope duam nesër?” dhe Parlamenti Evropian Rinor, kushtuar vlerave evropiane dhe dimensionit social, ekologjik, ekonomik dhe kulturor të Evropës së ardhshme. Programi përfundon në Laboratorium me një dialog muzikor Paris–Shkup.
Programi i plotë, me informacionet se cilat sesione janë të hapura për publikun, është publikuar në faqen e internetit të Institutit Francez në Shkup.