Gostivari po sanon dëmet nga reshjet, disa shtëpi dhe rrugë janë dëmtuar nga uji

Shtëpitë dhe rrugët e vërshuara nga moti i mbrëmshëm në Gostivar janë pastruar, ndërsa dëmet janë sanuar, informuan nga Qendra për menaxhim me krizat, transmeton Portalb.mk.

Sipas informacioneve në terren, në Gostivar më së shumti raportime për dëme ka në vendbanimet Banjeshnicë, Ciglanë dhe fshatin Bellovishte.

Reshjet, siç informon QMK, kanë shkaktuar edhe kaos afatshkurtër në trafik. Në disa vende, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje më të vogla në tokë, të cilat gjithashtu janë sanuar me ndihmën e mekanizimit.

Reshjet e forta kanë goditur pasditen e djeshme Velesin dhe Gostivarin. Në qytete ishin vërshuar shumë rrugë dhe disa shtëpi.

Nga Komuna e Gostivarit dje thanë se ekipet po punonin në terren për të riparuar dëmet dhe për të ndihmuar qytetarët.

“Pas reshjeve intensive që përfshinë edhe Gostivarin, sidomos Turçanin e Madh, Ndërmarrja Publike “Komunalec” dhe zjarrfikësit e qytetit, dolën në terren për të riparuar dëmet e shkaktuara dhe për të ndihmuar edhe qytetarët të cilët mund të kenë pësuar nga kjo fatkeqësi. Uroj që dëmet në pronat private të jenë sa më të vogla. Ekipet tona janë në gatishmëri të plotë”, informuan dje nga Komuna e Gostivarit.

GostivariKomuna e GostivaritPërmbytje - Vërshime
Comments (0)
Add Comment