I akuzuari për djegien e veturave para Ambasadës së Bullgarisë pranoi fajësinë: Vetë vendosa ta bëj

I akuzuari për djegien e dy veturave diplomatike të Ambasadës së Bullgarisë në Shkup, ngjarje që ndodhi në qershor të këtij viti, në seancën e sotme në Gjykatën Themelore Penale në Shkup e pranoi fajësinë për rastin. Duke u deklaruar para gjykatës, ai tha se e pranon plotësisht fajësinë dhe se këtë pranim e bën me vetëdije, pa asnjë presion. Ai gjithashtu deklaroi se vetë kishte vendosur ta kryente veprën penale, përkatësisht t’i digjte veturat, raportojnë mediat, transmeton Portalb.mk.

“Po, ndihem fajtor dhe e pranoj plotësisht fajësinë, vetë vendosa”, përcjell “Sloboden Peçat” deklaratën e tij para gjykatës.

Kujtojmë se, ngjarja ndodhi më 15 qershor të këtij viti, rreth mesditës, kur i akuzuari u vuri flakën dy veturave diplomatike të parkuara para objektit të Ambasadës së Bullgarisë në bulevardin “Teodosij Golloganov”, duke i spërkatur me benzinë, të cilën paraprakisht e kishte mbushur në një shishe plastike në pikën e karburantit “Makpetrol”. Ai akuzohet për veprën penale “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”. Rastin fillimisht e ka trajtuar Prokuroria Themelore Publike në Shkup, por më pas e ka marrë në kompetencë Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK), e cila i ka dhënë edhe këtë kualifikim juridik.

Prokurorja që përfaqëson rastin para Gjykatës Penale, Katerina Kollaroviq, deklaroi për mediat se gjatë hetimit ambasadori i Bullgarisë në vend ishte ftuar të japë dëshmi, por për shkak të mungesës nga shteti, kishte dhënë deklaratë me shkrim. Në Prokurori janë marrë në pyetje edhe tre të punësuar në ambasadë, të cilët janë persona nën mbrojtje ndërkombëtare dhe kanë dëshmuar për atë që ka ndodhur, raportoi televizioni Telma.

“Ambasadori ishte ftuar si përfaqësues i Ambasadës ose si person që ai do ta autorizonte për t’u deklaruar lidhur me dëmin e shkaktuar. Në Prokurori janë marrë në pyetje edhe persona që janë nën mbrojtje ndërkombëtare. Ata kanë dhënë dëshmi dhe janë propozuar si dëshmitarë para Gjykatës”, deklaroi prokurorja Kollaroviq.

Sipas ekspertizës së dorëzuar nga avokatja e caktuar sipas detyrës zyrtare për të akuzuarin, ai ka qenë i aftë mendërisht në momentin e kryerjes së veprës penale. Megjithatë, avokatja kërkoi që të thirret eksperti që ka përgatitur raportin e ekspertizës, në mënyrë që të sqarojë më hollësisht konstatimet se i akuzuari ka çrregullime të caktuara dhe një gjendje që e përshkruan si person të papjekur.

Në seancë u propozua gjithashtu që në seancën e ardhshme të thirret një përfaqësues i Ambasadës së Bullgarisë, i cili duhet të deklarohet nëse kërkohet kompensim për dëmin e raportuar.

Në këtë rast bëhet fjalë vetëm për dëm material, ndërsa të punësuarit në ambasadë nuk kanë kërkuar kompensim për frikën e përjetuar.

Gjykata e caktoi seancën e ardhshme për 11 nëntor, kur do të thirren eksperti dhe përfaqësuesi i ambasadës.

Aktakuza për këtë rast u ngrit nga PTHP NKOK më 16 shtator, duke vlerësuar se me veprën e kryer, i akuzuari kishte krijuar rrezik të konsiderueshëm për jetën dhe trupin e personave nën mbrojtje ndërkombëtare.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, më 15 qershor, i akuzuari kishte mbushur një shishe plastike me benzinë në një pompë karburanti pranë Ambasadës së Bullgarisë në Shkup. Më pas ishte drejtuar drejt objektit diplomatik, kishte spërkatur me benzinë veturat e parkuara që i përdornin të punësuarit e ambasadës, u kishte vënë flakën dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut e dënuan atëherë djegien e veturave diplomatike në pronësi të Ambasadës së Bullgarisë dhe shprehën pritshmëri se do të zhvillohej një hetim i shpejtë dhe efikas për rastin.

Ambasada e Bullgarisë në RMVBullgariaGjykata Themelore Penale Shkupi 1