U nënshkrua marrëveshja për grant prej 30,8 milionë eurosh me BERZH për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë

Është nënshkruar marrëveshja për grant në vlerë prej 30,8 milionë eurosh ndërmjet Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila do të financojë ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë. Granti është siguruar përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) dhe do të mbështesë realizimin e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend, transmeton Portalb.mk.

Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, tha se autostrada Shkup–Bllacë është pjesë e Rrugës Trans-Evropiane 6, e cila lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën dhe më tej me portet në Shqipëri dhe Mal të Zi, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e tregtisë, biznesit dhe turizmit.

“Është vërtet kënaqësi kur nisin projekte të reja dhe sot jemi në fillimin e një projekti të ri – ndërtimin e një autostrade që do të jetë pjesë e Rrugës Trans-Evropiane 6, e cila do të lidhë Shkupin me Prishtinën, e më pas do të vazhdojë drejt Tiranës dhe Durrësit, si edhe drejt Barit. Me këtë, Shkupit i hapet edhe një port dhe një mundësi shtesë për tregti, biznes dhe zhvillimin e turizmit”, deklaroi Nikolloski.

Ai theksoi se projekti është një realizim konkret i vizionit, që Maqedonia të shfrytëzojë pozitën e saj strategjike në Ballkan, ku kryqëzohen korridoret panevropiane 8 dhe 10, si dhe drejtimet e tjera rajonale të transportit.

“Pavarësisht se nuk kemi dalje në det, në këtë mënyrë shteti mund të bëhet pika strategjike më e rëndësishme në Ballkan, përmes së cilës do të kryqëzohen biznesi, tregtia, turizmi dhe shkëmbimi ekonomik. Pikërisht realizimi i këtij projekti është një mbështetje konkrete për këtë vizion”, theksoi Nikolloski.

Ai bëri të ditur se afati për ndërtimin e autostradës është katër vjet, por shprehu pritjen që punimet të përfundojnë edhe përpara afatit të paraparë.

“Më gëzon veçanërisht fakti që, pas shumë vitesh, madje dekadash, të anashkalimit të kompanive vendore të ndërtimit, kontraktuesi i përzgjedhur është kompania vendase GRANIT. Me këtë tregojmë se kompanitë maqedonase kanë kapacitet të realizojnë me sukses projekte të mëdha infrastrukturore”, tha Nikolloski.

Zëvendëskryeministri falënderoi kryeministrin Mickoski, punonjësit e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore dhe të Ministrisë së Transportit, si dhe Bashkimi Evropian dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për përkushtimin e përbashkët në realizimin e projektit.

Autostrada Shkup–Bllacë, me gjatësi prej 10,5 kilometrash, paraqet një sfidë të rëndësishme inxhinierike, pasi përgjatë trase­s së saj do të ndërtohen rreth 40 objekte infrastrukturore.

Ndaj marrëveshjes ka reaguar Bujar Osmani nga Bashkimi Demokratik për Integrim – BDI, i cili tha se për dy vjet thanë se autostrada Shkup–Bllacë ishte bllokuar sepse po ndryshohej traseja, gjë që sipas tij ishte justifikimi me të cilin u arsyetua çdo vonesë.

“Sot, me nënshkrimin e kontratës, del qartë se nuk është ndryshuar as edhe një milimetër nga traseja e projektit që ne lamë të përgatitur. Pra, financimi ishte siguruar, projekti ishte përfunduar, shpronësimet ishin realizuar dhe procedurat e tenderimit ishin nisur. Dy vite u humbën duke mashtruar opinionin me një “ndryshim traseje” që nuk ka ekzistuar kurrë. Qytetarët meritojnë një përgjigje të thjeshtë: Pse u humbën dy vite?”, shkroi Osmani në Facebook.

Autostrada Shkup – Bllacë është një arterie e rëndësishme rrugore që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovo dhe Malin e Zi. Ndërtimi i saj pritet të mundësojë transport më efikas dhe më të sigurt, të përmirësojë lidhjet me vendet fqinje dhe të krijojë mundësi të reja për zhvillim ekonomik, tregti dhe investime.

Ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë kishte nisur edhe në vitin 2020. Projekti ka një gjatësi totale prej vetëm 12 kilometrash.

Për të përshpejtuar ndërtimin, ai u nda në dy segmente: njëri nga pika kufitare e Bllacës deri te nyja e Bllacës, ndërsa tjetri nga nyja pranë aeroportit sportiv “Stenkovec” deri në fshatin Bllacë.

Megjithatë, për gjashtë vjet u ndërtuan vetëm dy kilometra, të cilët nuk u vunë në funksion.

Nga ana tjetër, Kosova ndërtoi pjesën e saj të autostradës Autostrada Arben Xhaferi – nga Prishtina deri te pika kufitare Pika Kufitare Bllacë – me gjatësi prej 65 kilometrash brenda gjashtë vjetësh. Ajo është në funksion prej shtatë vitesh.

Në muajin qershor u vendos që faza e dytë e autostradës Shkup – Bllacë të ndërtohet nga kompania “Granit”, ndërsa të fillojnë në muajin qershor ose korrik të këtij viti.

Pjesa e dhjetë kilometrave të ardhshëm në autostradën Shkup – Bllacë pritej të fillojnë në pjesën e parë të vitit 2022, kështu kishte premtuar drejtori i atëhershëm i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi.

Pastaj nga qeveria e re VMRO-VLEN u paralajmërua se punimet për autostradën Shkup-Bllacë do të nisin në fund të dhjetorit të vitit 2025, megjithatë kjo nuk ndodhi. Punimet nuk kanë nisur, jo për shkak kushteve klimatike, por siç sqarojnë nga kabineti i zëvendësministres Kaltrina Zekolli – Shaqiri, arsyet e vonesës janë procedurat burokratike të institucionit financiar dhe periudhës së festave të fundvitit.

Ministria i Transportit, Aleksandar Nikollovskimë 13 qershor sqaroi që punimet në terren do të fillojnë posa të kryhen procedurat administrative, ndërsa u premtua se punimet do të përfundojnë për tre vjet e gjysmë, ndërsa u theksua që autostrada do të ketë pesë tunele, dy galeria dhe 12 ura.

Aleksandar NikollovskiAutostrada “Arbën Xhaferi”Autostrada Shkup - PrishtinëBanka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)BllacaBujar Osmani