Prokuroria Themelore Publike në Manastir ka ngritur propozim-akuzë kundër një personi për veprën penale “Lëndim trupor”, sipas nenit 130, paragrafi 2, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, përkatësisht për lëndim të shkaktuar gjatë ushtrimit të dhunës në familje, njoftuan sot nga ky institucion, shkruan Portalb.mk.
Bëhet fjalë për rastin kur nëna e vajzës 21-vjeçare, Emilia, Beti Angelovska nga Manastiri, kishte denoncuar në polici se vajza e saj ishte shtrënguar për fyti dhe ishte tentuar të mbytej me duar nga i dashuri i saj. Sipas denoncimit, ajo për një vit e gjysmë kishte përjetuar rrahje, kërcënime me vrasje dhe keqtrajtim psikologjik nga partneri.
Siç informojnë nga Prokuroria, i akuzuari më 10 nëntor, në shtëpinë e tij në Manastir, e ka lënduar fizikisht të dashurën e tij. Pas një konflikti verbal mes tyre, ai e kishte goditur në fytyrë me grushte dhe shuplaka, më pas e kishte shtrënguar për fyti dhe goje, duke i shkaktuar lëndime sipërfaqësore trupore, si dhe disa mavijosje dhe hematoma.
“I akuzuari gjatë procedurës së mbledhjes së provave ishte siguruar me masën e paraburgimit, duke marrë parasysh rrezikun që të tentonte t’i shmangej ndjekjes penale dhe të përsëriste sjelljen e dhunshme. Me këtë rast, Prokuroria mori parasysh informacionet se ai menjëherë pas ngjarjes kishte ikur nga stacioni policor dhe për disa ditë nuk ishte i kapshëm.
Duke vlerësuar se këto rreziqe vazhdojnë të ekzistojnë, prokurori publik me aktakuzën e dorëzuar i propozoi gjykatës vazhdimin e masës së paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në bllokadën e djeshme para Qeverisë, para të pranishmëve foli edhe nëna e Emilijas, Beti Angelovska, e cila rrëfeu për dhunën që kishte përjetuar vajza e saj dhe për mungesën e mbrojtjes institucionale në këtë rast.
Angelovska dje kërkoi nga Prokuroria Publike që t’i shqyrtojë në mënyrë të hollësishme telefonat e vajzës së saj, të cilët janë marrë për ekspertizë.
“E lus ministrin e Punëve të Brendshme, e lus Prokurorinë Publike. Telefonat janë marrë për ekspertizë, në to ka incizime, video dhe materiale ku shihet se ajo është rrahur. Më kapin mornicat vetëm kur mendoj për ato pamje të vajzës sime. E kam rritur vetë për 21 vjet dhe nuk do të lejoj që askush të ma shkatërrojë vajzën”, tha Angelovska.
Kujtojmë që gjatë ditës së premte, u mbajt një marrsh protestues para Qeverisë, ku organizatorët kërkuan përgjegjësi nga institucionet, veprim në kohë ndaj denoncimeve për dhunë në familje dhe dhunë me bazë gjinore, si dhe masa konkrete për mbrojtjen e grave që janë të ekspozuara ndaj rrezikut.