Hashim Thaçi dhe Jakup krasniqi u shpallën fajtor për disa vepra dhe u dënuan me nga 25 vjet burg. Ndërkohë Kadri Veseli u shpall fajtor për arrestim dhe ndalim të paligjshëm arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme dhe në tërësi u dënua me 18 bjet burgim. Nga Ana tjetër, Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burg, ku për të katër llogaritet edhe koha e kaluar ne paraburim deri tani. Gjykata i shpalli të pafajshëm për disa vepra të tjera, transmeton Portalb.mk.
Vendimi është i shkalles së parë. Ata kanë te drejte ankese në shkallën e dytë.
Akuzat për të cilat u dënua Hashim Thaçi
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shpallur fajtor këtë mërkurë nga Gjykata Speciale në Hagë duke e dënuar me 25 vjet burgim.
Trupi gjykues e shpalli atë penalisht përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm, të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Akuzat për të cilat u dënua Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi është dënuar me dënim prej 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë. Trupi gjykues e ka shpallur të fajshëm për trajtim dhe arrestim të paligjshëm e trajtim çnjerëzor.
“Ju shpall fajtor për arrestim e trajtim të paligjshëm kundër së paku 305 personave, për trajtim mizor si krim lufte, torturë dhe vrasje të paligjshme. Pika 5-trajtim çnjerëzor të kryer së paku kundër 49 personave”, ka thënë gjyqtari.
Koha e kaluar në paraburgim, sipas trupit gjykues do të llogaritet në dënim. Ish-kryeparlamentari Krasniqi u përballë me paraburgim në Hagë qysh nga nëntori i vitit 2020.
Kadri Veseli dënohet me 18 vite burgim
Kadri Veseli është dënuar më 18 vjet burgim. Gjykatësi Charles Smith ka thënë se pas shqyrtimit të të gjitha provave Veseli është shpallur fajtor për arrestim dhe ndalim të paligjshëm dhe arbitrar kryer kundër së paku kundër 385 personave.
Për krim lufte kryer kundër 49 personave, torturë kryer kundër së paku 303 personave dhe vrasje të paligjshme si krim lufte kryer kundër së pak 96 personave.
Gjykata ka shqiptuar 10 vjet burgim për arrestim dhe ndalim të paligjshëm, 3 vjet burgim për krime lufte keqtrajtimi njerëzor dhe 13 vjet burgim për krimin e luftës torturës 6 vjet burgim për vrasje të paligjshme.
Rexhep Selimi dënohet nga Haga me 13 vite burgim
Rexhep Selimi u dënua nga Haga me 13 vite burgim dhe u shpall i pafajshëm për disa akuza të tjera.
Gjatë seancës, trupi gjykues ka konstatuar se Prokuroria e Specializuar nuk ka arritur të dëshmojë ekzistencën e një sulmi të përhapur dhe sistematik kundër popullatës civile pas 20 qershorit 1999, si kusht për akuzat për krime kundër njerëzimit.
“Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krime kundër njerëzimit, Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”, është shprehur kryetari i trupit gjykues.
Ky konstatim ka bërë që akuzat për krime kundër njerëzimit, si dhe ato për krime lufte, të mos mbështeten nga ky konstatim i gjykatës për periudhën pas 20 qershorit 1999.
Ndërkohë, gjatë seancës është konfirmuar akuza lidhur me ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, sipas pretendimeve të Prokurorisë.
Seanca në Gjykatën Speciale në Hagë vijon, ndërsa trupi gjykues po lexon dhe arsyeton vendimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Haga për ish-krerët e UÇK-së: U vërtetua arrestimi i paligjshëm i të paktën 385 personave
Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë ka konstatuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka provuar se ndaj të paktën 385 personave është kryer krimi i luftës i arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm.
Gjyqtari Charles Smith po vijon leximin e konstatimeve të trupit gjykues lidhur me krimet e përfshira në aktakuzë.
Sipas konstatimeve të paraqitura në seancë, shumë prej personave të ndaluar janë rrahur rëndë, deri në atë pikë sa nuk kanë qenë në gjendje të qëndronin në këmbë. Gjykata ka konstatuar gjithashtu se disa të ndaluar kanë humbur jetën si pasojë e rrahjeve nga pjesëtarë të UÇK-së.
Gjyqtari Smith tha se të ndaluarit kanë përjetuar edhe vuajtje të konsiderueshme psikologjike.
“Trupi gjykues konstatoi se mënyra e qëllimshme me të cilën viktimat u ndaluan dhe u arrestuan, pa dhënë asnjë arsye për ndalimin e tyre dhe duke iu mohuar çdo formë e gjykimit të rregullt, tregon se disa prej anëtarëve të përfshirë synonin arrestimin dhe ndalimin e tyre pa ndonjë arsye të vlefshme dhe në shpërfillje të çdo garancie mbrojtëse dhe forme të procesit të rregullt”, deklaroi Smith.
Sipas gjyqtarit, trupi gjykues ka konstatuar se pjesëtarë të UÇK-së, në qendra të ndryshme ndalimi në Kosovë dhe në Shqipërinë veriore, krijuan, kontribuuan në krijimin dhe i mbajtën të ndaluarit në kushte çnjerëzore.
Të ndaluarit, sipas gjykatës, janë mbajtur në ndërtesa të ndryshme, përfshirë edhe shkolla.
Smith tha gjithashtu se shumë prej pjesëtarëve të UÇK-së të përfshirë në ndalime i kanë keqtrajtuar fizikisht të burgosurit.
“Në vende të ndryshme, anëtarët e UÇK-së i godisnin rregullisht me shkelma dhe i rrihnin brutalisht dhe vazhdimisht të ndaluarit, duke përdorur, ndër të tjera, qytat e pushkëve dhe shkopinj të ndryshëm”, tha gjyqtari Smith.
Trupi gjykues po vijon paraqitjen e konstatimeve për akuzat ndaj të akuzuarve.
Gjyqi i ish-krerëve të UÇK-së, bie akuza për krime lufte dhe kundër njerëzimit
Gjykata Speciale në Hagë gjatë seancës ka bëre me dije se nuk ka pasur krime kundër njerëzimit nga katër ish-udhëheqësit e UÇK-së pas 20 qershorit 1999. “Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krime kundër njerëzimit, Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”, ka thënë kryetari i trupit gjykues
Kjo ka sjellë që akuza për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte kanë rënë për secilin prej katërshes së UÇK-së.
Në Gjykatën Speciale në Hagë është duke vazhduar seanca për vendimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë prej vitesh në qendër të një prej proceseve më të rëndësishme që lidhen me periudhën e luftës në Kosovë
Të katër kanë pasur role të ndryshme brenda UÇK-së, ndërsa pas luftës u angazhuan në politikë dhe në ndërtimin e institucioneve të Kosovës. Nga drejtues të strukturave të luftës, ata u shndërruan në figura të rëndësishme të jetës politike të vendit.
Hashim Thaçi
Hashim Thaçi është një prej figurave më të njohura të politikës së Kosovës, por rrugëtimi i tij politik nisi gjatë viteve të luftës.
Në strukturat e UÇK-së, Thaçi ishte një prej drejtuesve politikë. Gjatë viteve të konfliktit u shfaq në publik si një prej përfaqësuesve politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mori pjesë në zhvillimet politike që shoqëruan luftën.
Pas përfundimit të luftës, ai u bë një prej figurave kryesore të politikës kosovare. Thaçi ishte ndër themeluesit dhe drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, forcë politike që doli nga strukturat e ish-UÇK-së.
Në vitin 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Thaçi u bë kryeministër i vendit. Gjatë mandatit të tij në krye të qeverisë, ai ishte një prej figurave kryesore në proceset politike dhe diplomatike që lidhen me Kosovën.
Në vitin 2016 u zgjodh president i Kosovës, detyrë që e mbajti deri në vitin 2020, kur dha dorëheqjen pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij nga Dhomat e Specializuara.
Sot, pas disa vitesh në Hagë, Thaçi pret vendimin e gjykatës.
Kadri Veseli
Kadri Veseli është një tjetër prej figurave të njohura të UÇK-së dhe të politikës së Kosovës.
Gjatë luftës, Veseli ishte i lidhur me strukturat e inteligjencës së UÇK-së dhe ishte pjesë e rrethit drejtues të organizatës.
Pas përfundimit të luftës, ai kaloi në politikë dhe u bë një prej figurave kryesore të Partisë Demokratike të Kosovës.
Veseli shërbeu për vite me radhë në institucionet e Kosovës. Ai ishte deputet dhe më pas kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Për një periudhë, Veseli konsiderohej një prej figurave më të rëndësishme politike të vendit, ndërsa pas tërheqjes së tij nga drejtimi i institucioneve, vijoi aktivitetin politik.
Në nëntor të vitit 2020, ai u transferua në Hagë, ku iu bashkua procesit gjyqësor së bashku me Thaçin, Selimin dhe Krasniqin.
Edhe për Veselin, dita e sotme shënon një moment vendimtar pas viteve të qëndrimit në Hagë.
Rexhep Selimi
Rexhep Selimi është një prej emrave që lidhen drejtpërdrejt me strukturat ushtarake të UÇK-së.
Gjatë luftës në Kosovë, Selimi ishte pjesë e strukturave drejtuese dhe operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u bë një prej figurave të njohura të saj.
Pas luftës, ai vijoi angazhimin politik në Kosovë. Selimi ishte deputet i Kuvendit të Kosovës dhe për vite me radhë ishte pjesë aktive e jetës politike të vendit.
Ai u përfshi edhe në subjektin politik Vetëvendosje dhe shërbeu si një prej figurave të saj në Kuvend.
Selimi u transferua në Hagë në nëntor të vitit 2020, së bashku me tre bashkëpandehurit e tjerë.
Ndryshe nga Thaçi dhe Veseli, të cilët pas luftës mbajtën poste të larta shtetërore, Selimi vazhdoi për një kohë të gjatë aktivitetin e tij politik si deputet dhe një prej zërave të njohur të opozitës.
Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi është figura e katërt e këtij procesi dhe një prej emrave të njohur të historisë politike të Kosovës.
Gjatë luftës, Krasniqi shërbeu si zëdhënës i UÇK-së. Në këtë rol, ai ishte një prej zërave publikë të organizatës dhe përfaqësonte UÇK-në në komunikimin me mediat dhe opinionin publik.
Pas luftës, Krasniqi u përfshi në jetën institucionale të Kosovës.
Ai ishte deputet dhe për një periudhë të gjatë mbajti postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Për një periudhë të shkurtër, ai shërbeu edhe si ushtrues i detyrës së presidentit të Kosovës.
Krasniqi ishte gjithashtu një prej figurave të rëndësishme të Partisë Demokratike të Kosovës, përpara se të largohej nga kjo forcë politike dhe të angazhohej në një tjetër projekt politik.
Në nëntor të vitit 2020, ai u arrestua dhe u transferua në Hagë.
Sot, emri i tij qëndron krah atyre të Thaçit, Veselit dhe Selimit, ndërsa të katër presin vendimin e gjykatës.
Nga lufta në politikë, nga strukturat e UÇK-së në institucionet e Kosovës, rrugëtimi i këtyre katër figurave ka qenë i lidhur ngushtë me historinë e Kosovës gjatë tri dekadave të fundit.
Sot, pas gjashtë vitesh nga transferimi i tyre në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi presin verdiktin që do të përcaktojë një tjetër kapitull në historinë e tyre personale dhe politike.